Kërcënohen pronarët e çimentos

Charles Bouri dhe Jorge Jeha
Dy aksionerë të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë pretendojnë se janë kërcënuar me jetë përmes telefonit. Pronarët e fabrikës së çimentos, konkretisht drejtori Charles Bouri dhe njëri prej ortakëve të tij, shtetasi Jorge Jeha, kanë bërë denoncim në polici.
Ata depozituan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës mesazhet kërcënuese që kanë ardhur në telefonat e tyre celularë, mbrëmjen e së dielës. Sipas Policisë, tekstet kërcënuese janë dërguar nga një numër i panjohur. Mesazhet e shkruara në gjuhën shqipe, që shprehin kërcënim për jetën, duke përmendur edhe eliminimin fizik të aksionerëve të fabrikës së Fushë-Krujës, janë marrë në shqyrtim nga oficerët e Krimeve të Rënda të Tiranës. Sipas burimeve të rezervuara nga grupi hetimor, dyshohet se kërcënimet janë kryer për shkak të detyrës së tyre dhe paraprakisht mund të kenë ardhur nga ndonjë banor i Fushë-Krujës, ashtu siç janë kërcënuar edhe më parë. Të njëjtat burime thanë se telefonat celularë të shtetasve anglezë dhe brazilianë janë konfiskuar provizorisht në cilësinë e provës materiale dhe nga këqyrja e tyre rezulton se mesazhet që u janë nisur dy biznesmenëve janë identike. Kërcënimet vijnë nga i njëjti numër celular dhe kanë të njëjtën përmbajtje. Janë dy fraza që përbëjnë kërcënim serioz: Do të të zhdukim nga toka dhe Do të të eliminojmë fizikisht, tha një burim i Policisë. Kanosjet vijnë rreth dy javë pasi u mor në pyetje në Policinë e Tiranës drejtori dhe aksionari kryesor i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, Charles Bouri. Atij i janë kërkuar sqarime nga hetuesit në lidhje me vrasjen e ish-zv.drejtorit Anuar Rizik, i cili mbeti i vdekur më 8 maj të këtij viti nga eksplozivi i vendosur në portën e shtëpisë.
KERCENIMI
Policia tha se mbrëmjen e së dielës janë paraqitur njëri pas tjetrit për të bërë kallëzim penal dy aksionerët e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Fillimisht është paraqitur shtetasi anglez Charles Alexandër Bouri, 40 vjeç, banues provizorisht tek ish-Blloku në Tiranë. Ai ka denoncuar në polici se mbrëmjen e së dielës është kërcënuar disa herë me mesazhe në telefon, nga një numër i panjohur. Bauri ka arritur të kuptojë vetëm disa fjalë të shkruara në gjuhën shqipe, nëpërmjet të cilave ka kuptuar se bëhej fjalë për kërcënim. Menjëherë pas tij, ka bërë kallëzim në zyrën e Krimeve Kundër Jetës të Policisë së Tiranës edhe shtetasi brazilian, Jorge Edmont Jeha, 57 vjeç, banues provizorisht në rrugën Ismail Qemali në Tiranë. Edhe Jeha, aksioner i fabrikës së çimentos, kishte marrë në celularin e tij të njëjtat mesazhe kërcënuese si ortaku Bouri.
AKSIONERET
Dy shtetas anglezë, Charles dhe Aleksandër Bouri, së bashku me një shtetas shqiptar, Besim Dika, themeluan në Tiranë në vitin 1996 një kompani çimentoje. Dy vëllezërve nga Londra iu bashkëngjit edhe shtetasi brazilian, Jorge Jeha. Të katër aksionerët e kompanisë administrojnë fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Kjo kompani, që në themelim të saj ka pasur si qëllim përgatitjen e çimentos dhe përpunimin e saj, duke e tregtuar brenda dhe jashtë vendit. Shtetasi palestinez, Anuar Rizik, i cili u ekzekutua më 8 maj në Tiranë nga një shpërthim eksplozivi në shtëpinë e tij pranë Ambasadës Amerikane, ishte drejtor në fabrikën çimentos, që ka pasur probleme të vazhdueshme, qoftë nga banorët e Fushë-Krujës, qoftë nga probleme të ndryshme konkurrence.
Banorët e Fushë Krujës u dënuan për kërcënimet

Fabrika e Çimentos në Fushë-Krujë
TIRANE – Denoncimi i fundit në polici nuk është i pari. Aksionerët e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë kanë marrë mesazhe kërcënuese edhe më parë. Veç kërcënimeve të herëpashershme me eksploziv në fabrikë, rrugët që lidhen me të dhe shtyllat që e furnizojnë me energji, për të cilat janë arrestuar disa banorë të fisit Zalla, një person është dënuar me vendim të formës së prerë për mesazhe kërcënuese. Në shkurt të këtij viti, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke dënuar me 4 muaj burg shtetasin Bashkim Zalla, banor i fshatit Zallë të Fushë-Krujës. Ai akuzohej se kishte kërcënuar nëpërmjet telefonit njërin nga aksionerët e fabrikës së çimentos, shtetasin brazilian Jorge Jeha. Në mesazhin e pasqyruar nga vendimi gjyqësor, shtetasi Bashkim Zalla kërcënon shtetasin Jeha, duke i bërë të ditur se ai kishte dijeni të plotë për planin e tyre për vrasjen e shtetasit Charles Bouri, duke paguar plot 1.5 milionë euro për këtë vrasje. Madje Bashkim Zalla, i cili merrte nga fabrika e çimentos një pjesë të ardhurash për shkak të ndotjes së shkaktuar nga fabrika, që më vonë u ndërprenë për shkak të problemeve financiare, ka kërcënuar aksionerin Jeha, se nëse ky plan do të vihej në zbatim, atëherë ai në shenjë hakmarrjeje do ta vriste atë. Në fund të mesazhit, shtetasi Bashkim Zalla i thotë biznesmenit Jorge Jeha se informacionin që kishte do tia transmetonte dhe Aleksit, i cili është aksioneri tjetër i kompanisë dhe vëllai i Charles Bouri, që pretendon se e di që do të eliminohet. Ndonëse shtetasi Bashkim Zalla me anë të kësaj SMS-je pretendon se ka dijeni mbi një rivalitet të egër mes aksionarëve të kompanisë ku punonte dhe 43-vjeçari i vrarë Anuar Rizik, kjo SMS është denoncuar në Prokurori nga vetë biznesmeni Jorge Jeha, i cili ka pretenduar se SMS-ja ishte një kërcënim ndaj jetës së tij nga ana e Bashkim Zallës.
Rizik, vrasja e zv.drejtorit të fabrikës, hetimi për biznesin
Anuar Rizik i vrarë në Tiranë
TIRANE – Drejtori i fabrikës së çimentos, Çarls Bouri, i cili pretendon se është kërcënuar të dielën në telefon, është dëshmitari kryesor i çështjes për vrasjen e Anuar Rizik. Dy javë më parë, Buori u mor në pyetje në lidhje me vrasjen me eksploziv të ish-zv.drejtorit të fabrikës, Rizik, i cili gjeti vdekjen në dalje të banesës së tij më 9 maj 2012 nga një shpërthim. Hetimet janë përqendruar më shumë në një vrasje për problemet e biznesit. Megjithatë, edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga vrasja e zv.drejtorit të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, shtetasit palestinez Anuar Rizik, Policia e Tiranës ende nuk ka një të dyshuar për ngjarjen e rëndë që ndodhi fare pranë Ambasadës Amerikane. Dosja prej disa javësh i është rikthyer për hetim Policisë së kryeqytetit dhe deri tani pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është ajo e problemeve në biznesin e çimentos. Për shkak të incidenteve me eksploziv të ndodhura vazhdimisht pranë fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, menjëherë pas vrasjes së Anuar Rizik policia shoqëroi mbi 20 persona nga kjo zonë me dyshimin se ata kishin gisht në ekzekutimin e Anuar Rizik. Veprimet hetimore në Fushë-Krujë ndaj banorëve të zonës vazhduan edhe disa ditë më parë, por nuk u gjetën
