Pranga trafikantëve, dërgonin njerëz në Greqi
GJIROKASTËR- Dy anëtarë të një grupi të mirorganizuar të trafikimit të qenieve njerëzore nga Shqipëria drejt Greqisë janë vënë në pranga ditën e djeshme në Gjirokastër. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë ndaluar shtetasin Blerim Rondo, 28, vjeç nga Gjirokastra, ndërsa transportonte 4 persona, që kishin si qëllim kalimin në shtetin grek. “Ky shtetas u ndalua në aksin rrugor Jorgucat-Kakavijë, ndërsa udhëtonte me mjetin e tij tip Hundai me targa AC 449 ZP dhe transportonte 4 shtetas nga rrethi i Beratit (tre femra dhe një fëmijë), për t’i kaluar në mënyrë të paligjshme drejt shtetit grek kundrejt shumës 1700 Euro për person”, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Por arrestimi i 28-vjeçarit nuk ka qenë aspak i rastësishëm, por ai ka ardhur pas mbledhjes së një sërë informacionesh në rrugë operative. Menjëherë pas arrestimit dhe konkludimit se në trafik ishin të përfshirë edhe persona të tjerë, policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me atë të Beratit ka bërë të mundur edhe arrestimin e një tjetër personi. “Për Rondon, Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dispononin informacione të marra në rrugë operative se ky shtetas ishte pjesë e një trafiku të mirorganizuar të qenieve njerëzore drejt shtetit grek”,- thanë burimet. Pas veprimeve të para rezultoi se në këtë trafik ishin të përfshirë edhe shtetas të tjerë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat u bë i mundur arrestimi i shtetasit Thanas Kocaqi, 42-vjeç, lindur dhe banues në Kutalli të rrethit Berat. Të dy të arrestuarit do të përballen me veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, mbetur në tentativë”, ndërsa nga policia po punohet për identifikimin e pjesëmarrësve të tjerë në këtë trafik dhe dokumentimin ligjor.