E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit jashtë kalendarit të Kuvendit

06/03/2012  Ndryshimet në ligjin e dëmshpërblimeve zvarriten prej 6 muajsh

Berisha dha porosi që deri më 20 mars të jenë hequr të gjitha pengesat për këtë kategori

Megjithëse ndryshimet në ligjin për ish-të përndjekurit e regjimit komunist i janë propozuar Kuvendit që në fillimin e shtatorit të vitit të kaluar, ende nga ana e këtij institucioni nuk kanë hyrë për diskutim. Për më shumë se gjashtë muaj Byroja e Kuvendit dhe Komisioni i Ligjeve nuk e kanë parë të udhës ta futin ende në kalendarin e diskutimeve dhe më pas në votim. Ligji në fjalë zgjeron skemën e atyre personave që përfitojnë dëmshpërblimin, sidomos kur bëhet fjalë për dënimin e të pushkatuarve pa gjyq. Në një nen të tij flitet dhe për zhvendosjen e datës për këta persona me rreth 35 ditë. Më parë përfitonin dëmshpërblim të afërmit e viktimave të regjimit që ishin pushkatuar më datën 30 nëntor 1944, ndërsa me ndryshimet e bëra përfitojnë të gjithë ata që u janë pushkatuar të afërmit pas tetorit 1944. Ligji i mëparshëm linte jashtë skemës së dëmshpërblimit jo pak, por mbi 3000 persona të vrarë pa gjyq pas hyrjes së komunistëve nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë.

Nuk parashikohet në kalendar

Ndërkohë në Kuvendin e Shqipërisë ende nuk dihet se kur do të fillojë shqyrtimi i këtij ligji, por askush nuk di të japë arsyet e zvarritjes së tij. Në kalendarin e punimeve të Kuvendit, të miratuar javën e kaluar, të paktën deri më 14 mars nuk është përcaktuar ndonjë datë për këtë çështje. Edhe në Institutin e ish-të përndjekurve të regjimit nuk dinë të thonë ndonjë gjë konkrete, ndërkohë që në ligj është përcaktuar dhe shtyrja e datës së dorëzimit të dosjeve, që është 30 prilli i vitit 2012. Në rast se vazhdon kështu, atëherë ekziston mundësia që të skadojë afati për dorëzimin e dosjeve dhe ligji të mos jetë ende gati. Ndërkohë vetë Kryeministri Berisha para pak ditësh dha porosi që deri më 20 mars të hiqen të gjitha barrierat ligjore që pengojnë marrjen e dëmshpërblimit nga ana e të përndjekurve të regjimit komunist

Persekutorët

Shqipëria është nga të paktat vende në Evropën Juglindore, për të mos thënë i vetmi që ende nuk ka dënuar krimet e komunizmit. Por jo vetëm kaq. Në një kohë që flitet për shtet të së drejtës e megjithëse kanë marrë pafajësi nga një vendim i Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese të vitit 1991, të përndjekurit ende s’kanë mbyllur marrjen e dëmshpërblimit. Kjo vjen në një kohë kur për pafajësi janë dëmshpërblyer pikërisht ata që morën dënime përgjatë viteve 1992-1996, por pas 1997-s u shpallën të pafajshëm. Ramiz Alia, Aranit Çela e të tjerë persekutorë janë trajtuar me shuma të konsiderueshme parash, ndërsa për ata që u persekutuan sërish vazhdohet të hidhet topi sa në njërën fushë në tjetrën. Nuk dihet nëse në gjysmën e dytë të marsit do të merret në shqyrtim projektligji, por deri tani duket qartë se është shumë e vonuar data.

Data

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i përfituesve, masës, kritereve dhe procedurës së përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme gjatë periudhës 25.10.1944 deri më 1.10.1991.

Afatet

Brenda datës 30.04.2012 ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar për dënimin penal të padrejtë sipas formularit të paraqitur në aneksin “A”, që i bashkëlidhet këtij ligji.

Kërkesat

“Në Ministrinë e Drejtësisë aktualisht janë të depozituara rreth 700 kërkesa jashtë afatit 1.07.2009 dhe që nuk janë marrë në shqyrtim nga strukturat përgjegjëse për shkak të depozitimit jashtë afatit ligjor. Ligji duhet t’u njohë të drejtën e përfitimit edhe subjekteve që kanë depozituar kërkesë jashtë afatit që parashikon aktualisht ligji”, - thuhet në relacionin e qeverisë. Në vendimin e mëparshëm ky afat ishte deri më datën 1 gusht të viti 2009.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›