Jemi shqiptarë dhe pikë!
Në Përvjetorin e Katërt të Pavarësisë së Kosovës - Përjetime dhe përsiatje -
Hidhësi në valën e gëzimit: Presidenti Topi s’paska marrë pjesë në festimet me rastin e Përvjetorit të Katërt të Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga Ambasada e saj në Tiranë. As Edi Rama, ndonëse ky qenka dukur pas pilafi. Nuk ka rëndësi të zgjatem me “as...”, “as...”, “as...”. Nuk kanë aspak rëndësi edhe përrallat me protokolle shteti, me çështje ftesash etj. Mungesa e personaliteteve të larta shtetërore e politike në një rast si ky, na hidhëron të gjithë, të madh e të vogël, cilindo që i thotë vetes shqiptar.
Pse, pra?
Nuk është vështirë të gjejmë përgjigjen e psesë për Ramën. Mjaft të kujtojmë mikun e tij Goran Bregoviç, të cilit, me bujari karagjozi, i dhuroi Çelësin e Tiranës. Mjaft të sjellim në kujtesë motivet muzikore të orkestrës së serbo-boshnjakut: ca rrok, ca pop, ca tango, ca elektronike, ca klasike, ca fetare, ca safi serbe, ca safi cigane, ca xhamaikane (reggae) etj. etj. S’do mend, te Orkestra për Martesa e Funerale e serbo-boshnjakut me dy fytyra - një e nacionalistit të egër, një e muzikantit kozmopolit - do të gjente veten njeriu me shumë fytyra, njeriu me xhamadanë e me opinga, njeriu me shtirje xhentëlmenësh e me zakone bllokmenësh, njeriu që uzurpoi Bashkinë Kryeqytetit tri mandate resht dhe bëri si i deshi qejfi, njeriu që refuzoi t’i jepte emrin e Presidentit Rugova një rruge në Tiranës, kur ka emërtuar qindra të tjera me emra anonimësh, që nuk i njeh kush, përveç, ndoshta të vetëve. A kishte sesi të jepte ky njeri sinjale antikombëtare më të qarta sesa përmes Orkestrës për Martesa e Funerale, kur thelbi i politikëbërjes së tij janë bash martesat e funeralet? Simbolikë më e qartë s’ka si kërkohet. Dhe, nëse pasardhësi i bllokut u rrek t’i dhuronte Bregoviçit Tiranën tonë, Milosheviçit dhe bandave të Arkanit do t’ua kishte dhuruar me bujari enveriste jo vetëm Prishtinën, por gjithë Kosovën Martire, pavarësisht mbroçkullave të Nexhije Hoxhës. Do t’u kishte dhuruar serbomëdhenjve martesat e lindjet kosovare, gëzimet e funeralet kosovare, këngët e vajet shqiptare, varret e heronjve tanë, të vjetra e të reja, që prej më të hershmeve, deri te më të freskëtat, te Adem Jashari me të tijtë. Nuk ka, pra, se si ta shtyjnë këmbët aq lehtë këtë politikan-artist të improvizuar drejt një tubimi me domethënie kombëtare.
Por hidhësia më e madhe, që s’mund të justifikohet me një arsyetim shkel e shko, na vjen prej institucionit të Presidentit. Zotëri Topin, ç’e pengoi? Mllefi ndaj ftuesve apo ndaj të ftuarve që s’do të donte t’i kishte nëpër këmbë, për shkaqe pazaresh politike? Apo koha që sa vjen e po i ngushtohet për të rregulluar nga karrigia presidenciale, në mos të tjera, së paku punët e partisë së saposhpallur të kuqeziut të falimentuar Kreshnik Spahiu?
Me protokoll a pa protokoll, institucioni i presidenti të një vendi, qoftë edhe me fuqi të kufizuara e thjesht honorifike, përfaqëson unitet, për çka ne shqiptarët kemi nevojë sot më shumë se kurrë. Koha po punon për shqiptarizmin. E papranueshme, në mos e qortueshme, që zotëri Topi të shkojë kundër rrjedhës, fshehur pas kuqezinjve që, dashur a padashur, po e zhbëjnë unitetin kombëtar, ndonëse shtiren sikur do të bëjnë namin për Komb e Atdhe, në mbështetje të ca protestave të paligjshme, që e kanë dëmtuar deri në tejskaj çështjen e Kosovës.
Këtu, në Bruksel, ne e festuam për bukuri Përvjetorin e katërt të Pavarësisë së Kosovës, pa dallim ngjyrimesh politike, pa mbingarkesa emocionale, shkaktuar cicmicesh të së kaluarës. U mblodhëm nga të gjitha krahët e Mbretërisë së Belgjikës: prej Namyri, në Bryzh; prej Anverse, në Ardenë. Ishim me prejardhje nga të gjitha krahinat e trojeve etnike: prishtinas, dibranë, gjilanas, ulqinakë, pejanë, korçarë, gjakovarë, gostivaras, tiranas, tetovarë, tropojanë, gjirokastritë, prizrenas, konispolatë, kurbinas, kuksianë... Na mblodhi Ambasada e Republikës së Kosovës, pa ftesa të veçanta kokë më kokë. E shumta, me ndonjë telefonatë nga ana e punonjësve të Ambasadës ose me telefonata njëri-tjetrit. Nuk e ndiem mungesën e protokolleve zyrtare. As të fjalimeve pompoze. Na mjaftuan dy fjalë mirëseardhjeje të Ambasadorit, zotëri Ilir Dugolli, dhe përshëndetja e përsëritja dhjetëra, qindra, mijëra herë e urimeve: Gëzuar festën! E gëzofshim Kosovën për jetë të jetëve! Të gjithë bashkë! Dhe, të gjithë bashkë, me nga një gotë verë ose lëng frutash në dorë, përjetuam emocione të paharruara.
Bisedat vinin nga vinin, silleshin gjithherë te bashkimi i trojeve etnike në një shtet të vetëm, me një kryeqytet të vetëm dhe pa kufi ndarës mes vedi, një peng shqiptar i trashëguar brez pas brezi. Identiteti kombëtar, mbi të gjitha, tha dikush. Dhe, në mërgatën shqiptare të Belgjikës, të vjetër ose të re, identiteti kombëtar ruhet me fanatizëm. Ndaj edhe nuk i ndiejmë kufijtë, ndaj edhe i urrejmë dasitë. Është garancia jonë për të ardhmen. Është kontributi ynë modest në dobi të Çështjes Shqiptare.
Agjencitë e lajmeve bënin të ditur dje se vota popullore nuk e pranoi futjen e gjuhës ruse, si gjuhë të dytë zyrtare në Letoni. Referendumi, me mbi 74%, u tha stop! pretendimeve të pakicës ruse për diskriminim gjuhësor, ndonëse emigracioni rus i mbetur në Letoni qysh nga koha sovjetike, përbën sot për sot 1/3 e popullatës. Letonezët vërtetuan s e kanë të shenjtë identitetin kombëtar. Në Kosovën tonë shqiptare, ku pakica serbe, me gjithë manipulimet e bëra, është ku e ku larg kësaj shifre, të nxjerrin sytë tabelat rrugore dygjuhëshe, shqip dhe serbisht. Deri kur kështu? Deri që ne të kuptojmë se identiteti ynë kombëtar e kërkon domosdoshmërisht unitetin e mendësive tona. Ama, po t’i biem njëri gozhdës, tjetri patkoit, me simbolika vetëvrasjeje ngjyrash ose termash që prekin krenarinë tonë proverbiale, pakica serbe e Kosovës nuk do të nginjet me referendume për Mitrovicën shqiptare. Nuk do të nginjet kurrë me kërkesa absurde për t’i vërtetuar botës praninë e tyre në Kosovë përmes ca ngujimeve mikroskopike, ose të ca objekteve të kultit, ngulur si gjembaçë me paramendime ogurzeza, ose të tabelave rrugore anekënd vendit, edhe aty ku këmba e serbit s’ka shkelur kurrë. Bota, tashmë, e njeh të vërtetën shqiptare dhe nuk ka nevojë për spekulime sharlatanësh. Por punët kanë radhë. Dhe radha do durim e kohë.
Në tubimin e Brukselit me rastin e Përvjetorit të Katërt të Pavarësisë së Kosovës, vërshuan pa rezerva ndjenjat atdhetare të secilit pjesëmarrës, larg sloganeve me terma nacionaliste, larg fryrjes pompoze me atdhetarizëm. Nuk ishte aspak e nevojshme të mburrej prishtinasi Gani Azemi se në dejtë e tij rrjedh shqiptarizmi. E ka treguar libri që ka shkruar, “Letra fqinjit tim serb”. As gostivarasi Myrteza Bajraktari s’pati përse t’i binte kraharorit për çka ka bërë ai për çështjen kombëtare. Në vend tê Myrtezait, flet libri i tij, “Një vështrim tjetër i Historisë”, botuar para pak kohe në Tiranë. Kështu ish-i përndjekuri politik prej regjimit enverist, kurbinasi Lek Pervizi. Për të, ka folur dhe vazhdon të flasë veprimtaria e palodhur atdhetare dhe në dobi të mërgatës shqiptare në Belgjikë. Kështu, Sami Rexhepi i Ferizajt. Shkolla e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe është dëshmitare e veprimtarisë së tij atdhetare. Prizrenasin Maksut Vezgizhi, artist i pikturës bashkëkohore, i njohur ndërkombëtarisht përmes ekspozitave të tij të shumta, nuk pata rastin as ta takoja, ndonëse isha i përgatitur të shkruaja diçka për evenimentin. Nuk më lanë radhë takimet pambarim. Por, më shumë se sa ai vetë, për të më foli ekspozita e “Interpaysage”, hapur në mjediset e Ambasadës. Ashtu edhe për mikun tim, poetin pejan Jusuf Zenunaj. Më shumë sesa më ka folur ky njeri i heshtur për veten e vet, qysh se e kam njohur, më foli poezia e tij “Plisi i bardhë hyri në histori”, të cilën ma dërgoi poetesha Shqiponja Duro, në vigjilje të festës.
Ka qëlluar të kemi pasur edhe ca fërkime mes nesh, shqiptarëve që jetojmë në Belgjikë. Mua më ka ndodhur me një burimas (deri dje Istog, sot Burim). Kemi shkëmbyer edhe do replika të pakëndshme, nxitur, ndoshta prej pozicioneve tona politike, ndoshta prej padurimit për t’i marrë gjërat shtruar. Por ne nuk jemi parë kurrë shtrembër. Nuk i kemi thënë kurrë njëri-tjetrit plaç. Në tubimet tona, jemi përshëndetur shqiptarisht dhe i kemi zgjatur dorën shoku shokut, sikurse edhe në rastin më të fundit. Ja, cilat janë vlerat e unitetit tonë, pavarësisht këndvështrimit prej nga i ndjek rrjedhat politike njëri ose tjetri.
E solla këtë shembull, si më pikantin, i bindur se shpreh ndjenjat e çdo pjesëmarrësi në tubimin festiv, pavarësisht pozicioneve politike, pavarësisht fërkimeve të rastit, pavarësisht motivit që i nxit.
Jemi shqiptarë, bre, dhe pikë. Kemi të njëjtat ideale kombëtare. Pikë!
...