Të pikturosh boshllëkun
I thashë një mikut tim:
- Kam problem me APPLE, sepse nuk e kuptoj mirë.
Shpejt ma ktheu:
- Nuk e kupton, pasi është shumë i thjeshtë.
Je mësuar me programe të ndërlikuara, që janë të tepërt.
Befas, mu kujtua piktura e Aliut.
Mu kujtua e gjithë rruga, që kam bërë me të deri më sot. Mu kujtuan pikturat, që mi tregonte në studio, ndërsa i vendoste në kavaletë njëra pas tjetrës. Nuk nxitonte, por tensioni i ndihej. Nuk më lejonte ta ndihmoja. Qëndroja zhytur thellë në kolltuk, për të shijuar të rejat që do të më rrëfente. E kryente të treguarit si një rit. Afrohej, ulej, ndizte cigaren dhe shihte herë nga piktura e herë nga unë. Më shihte drejt e në sy. E dija që ishte momenti i tij më i rëndësishëm pas krijimit të veprës. Kërkonte të rrëfehej në heshtje e intimitet të thellë dhe të dëgjonte një fjalë. Por, e dija edhe më mirë se askush nga ne nuk ia kish dhënë dot atë. Të gjithë ne belbëzonim mirë, mirë edhe kjo mirë dhe largoheshim nga studio me një shije të paqtë, por pa i thënë ndonjë gjë të rëndësishme. Kishim shumë dëshirë tia thoshim, po si duket nuk e kuptonim. Ndërkohë, studioja e tij, ditë pas dite mbushej me pikturat, që rrinin të kthyera dhe të mbështetura në sup të njëra-tjetrës.
Aliu pikturon boshllëkun…, më tha një ditë Perikli Çuli.
Ishte i vetmi që tha një gjë përballë asgjësë që pëshpëritnim ne. Pas asaj thënieje, çdo gjë mu bë e qartë dhe që nga ajo ditë, unë e ndoqa krijimin e mikut tim ndryshe. E ndoqa në heshtje, por me vëmendje të madhe. Thënia e Perikliut ishte sikur të ndaje njohjen në dy periudha:
Para Aliut që pikturon boshllëkun dhe Pas Aliut që pikturon boshllëkun.
Nuk ia thashë menjëherë mikut tim këtë shikim depërtues, sepse doja pak kohë të bindesha, por e vëzhgoja fshehtas dhe më pas, lehtësisht konstatova, se Perikliu i kishte rënë në të. Isha përpëlitur më kot, ndërkohë që e kisha para syve. Isha rrekur shpeshherë ta formuloja gjykimin tim, por thosha vetëm… fjalë, fjalë, fjalë pa fund për ta mbyllur me një mirë, mirë shumë mirë. Kërkoja ngjarje, por ngjarje nuk gjeja. Harroja, se boshllëku është vetë ngjarja. Kryengjarja! Aty luhet e gjithë drama. Aty aktorët janë hije, gati të padukshëm dhe veprojnë në heshtje. Fshihen, por lënë disa gjurmë në të. Është shqisë tjetër ajo, që të bën ti shohësh e ti dëgjosh. E kemi atë, por shpesh na mbyllet me mish. Kështu reagojmë edhe përpara një fëmije. Edhe përpara një plaku. Qeshim me fëmijën. Qeshim edhe me plakun. Qeshim duke u gëzuar me ta, por gëzimi nuk na lë të shohim më thellë. Thjeshtësia si duket nuk na mjaftoka.
Këtë e bëj edhe unë.
Mos harro, se kështu kemi thënë kur u gjendëm përballë katrorit të zi të Malevich-it. Përballë të thjeshtës ngatërrohemi, sepse na gënjen mendja, dhe mendja është kufitare dhe, kufijtë që ajo vendos, na burgosin shpirtin.
Nuk e bën dot. Nuk e bëjmë dot. Nuk e bëj dot.
Që ta bësh, kërkohet një tjetër lloj fuqie, që Aliu me sa duket e ka. Është sikur prek nirvanën, por tek kjo prekje nuk mbërrihet lehtë. Nuk të jepet kur nuk e meriton. Aliu pikturon qenien më të frikshme, atë që ne e quajmë me mendjelehtësi HIÇ. Ai në rini të vet ia ka ndier kafshimin. Tani e pikturon dhe e largon frikën. E përkëdhel dhe e bën bashkëbisedues. I afrohet butë dhe e nomatis me ngjyrë. E kthen gjithë orkestrën në spalë. E bën personazh të madh dhe ata të veckëlit i fsheh, që të mos bëjnë pis. Boshllëku ia thith të gjithë. Është si në një skenë, ku ata janë transparentë e recitojnë në heshtje. Nëse kërkon ti shohësh, duhet tu afrohesh me dashuri, të vësh veshin tek sipërfaqja e pikturuar dhe të dëgjosh pëshpërimën e tyre. Por, ne ende jemi kuriozë dhe dimë të matim vetëm me kutin e kuriozitetit.
(Shkëputur nga refleksionet e piktorit Gazmend Leka
mbi krijimtarinë e Ali Osekut)