Caktohen gjyqtarët e Metës
Gjykata e Lartë përzgjodhi dje trupën e gjyqtarëve që do të shqyrtojë dosjen ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta për akuzën e korrupsionit.Ai është dërguar i pandehur në Gjykatën e Lartë një ditë pas zgjedhjeve të 8 majit. Dosja me të pandehur ish-zv.kryeministrin Meta, hetimet ndaj të cilit nisën pas publikimit të video-përgjimit mes tij dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, mbërriti në Gjykatën e Lartë vetëm pak ditë më parë. Dje, dosja është hedhur në short për përcaktimin e Kolegjit Penal që do ta shqyrtojë atë. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga shefja e Marrëdhënieve me Median dhe Publikun në Gjykatën e Lartë, Ida Vodica. Në Gjykatën e Lartë u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë me kërkues: Prokuroria e Përgjithshme, për procedim penal nr.1 të vitit 2011 kundër Ilir Metës, njoftoi Vodica. Sipas njoftimit zyrtar, Kolegji Penal do të ketë si relator gjyqtarin Ardian Dvorani. Ndërsa anëtarë të Kolegjit do të jenë gjyqtarët Besnik Imeraj, Arjana Fullani, Gani Dizdari dhe Guxim Zenelaj. Pas përzgjedhjes së përbërësve të trupës gjykuese, në ditët në vijim pritet të përcaktohet data e seancës së parë për nisjen e shqyrtimit të kësaj dosjeje.
DOSJA
Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet ndaj ish-zv.kryeministrit Meta, pas publikimit në emisionin investigativ Fiks Fare të një regjistrimi video-audio të një bisede mes tij dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, në mars 2010, në zyrën e këtij të fundit. Bëhet fjalë për një bisedë ku përmendeshin shifra 700 mijë euro, si edhe 7 për qind. Kjo bisedë u interpretua më pas në dalje publike nga ana e Priftit, si favore të paligjshme që i kërkoheshin atij nga ish-zv.kryeministri. Hetimet ndaj Metës nisën, pasi ai hoqi dorë nga imuniteti. Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur ndaj tij akuzën e Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë. Ndërkohë, më 16 mars të këtij viti, avokatët e Metës depozituan një kërkesë-padi në Gjykatën e Lartë. Në këtë kërkesë-padi ata kërkonin shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme për të marrë si provë videon e regjistruar nga Dritan Prifti më 10 mars 2010 në Ministrinë e Ekonomisë. Sipas avokatëve, është argumentuar me faktin se prova nuk është marrë konform ligjit dhe, si e tillë, nuk mund të përdoret. Kjo kërkesë pritet të shqyrtohet më 23 maj në Gjykatën e Lartë.
Kolegji Penal
Ardian Dvorani relator
Besnik Imeraj anëtar
Arjana Fullani anëtar
Gani Dizdari anëtar
Guxim Zenelaj anëtar
ARMAND BAJRAMI