E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të plagosurat, 5 jashtë rrezikut, 3 në gjendje të rëndë

Kirurgu Rasim Madani, gjatë një prononcimi për mediat gjatë mbrëmjes bëri të ditur se dy nga vajzat që paraqesin gjendjen më të rënduar, Kaltra Pollozhani dhe Eriselda Guberi, mund të transportohen në klinika jashtë vendit për shërbim më të specializuar, gjithnjë nëse situata e tyre nuk do të ketë përmirësim.

Sipas Madanit, Florie Peci, vajza që iu nënshtrua operacionit në shtyllën kurrizore pasditen e sotme, mbetet ende e pavetëdijshme.

Lajmi i mirë, theksoi mjeku, është fakti se gjendja e tyre sa vjen e stabilizohet, dhe, sipas tij, pritet të ketë përmirësim të mëtejshëm.

“Pesë prej vajzave të shtruara në Spitalin Ushtarak kanë dalë përfundimisht nga gjendja e rrezikut për jetën dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore”, tha kirurgu.

Berisha: Trajtim jashtë vendit për të plagosurat nëse lind nevoja

Tiranë (18:32) - Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot pasdite studentet e plagosura në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku bëri me dije se atyre do t’u mundësohet trajtimi jashtë vendit nëse do të jetë e nevojshme.

“Urojmë që këto vajza që po trajtohen ta kapërcejnë me sukses të plotë situatën e krijuar, sikundër dy rastet që përballen me shumë vështirësi uroj që klinika të specializuara të vlerësojnë se mund të japin një ndihmë më tepër në mbështetje të jetës së tyre”, tha Berisha.

Kryeministri garantoi familjarët e studenteve të plagosura se qeveria do të bëjë gjithçka që mundëson mjekësia për t’u dhënë atyre ndihmën më të specializuar.

“Mund të them se operacioni i emergjencës ka qenë në shkallën më të lartë të organizuar”, tha kreu i qeverisë, i cili përgëzoi pilotët dhe ekipin e helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Forcave të Armatosura që “fluturuan pa ndërprerë edhe jashtë kushteve të lejuara, në mënyrë që t’i sjellin sa më shpejt pranë ndihmës së specializuar të plagosurat e këtij aksidenti”.

Kryeministri e cilësoi aksidentin si ndër më tragjikët në historinë e vendit dhe shprehu bindjen se çdo shqiptar, kudo që është, lutet për to. Berisha shprehu mirënjohje për banorët e zonës së Himarës, që shkuan të parët në ndihmë si dhe ekipin mjekësor të Qendrës Spitalore të Himarës, Sarandës, Vlorës dhe Spitalit Ushtarak në Tiranë.

Viktimat e aksidentit, Berisha homazhe dhe lot në Elbasan

Elbasan (16:10) - Kryeministri Sali Berisha bëri homazhe në Universitetin e Elbasanit për nder të 11 studenteve që ndërruan jetë një ditë më parë në Himarë.

Kreu i qeverisë tha se dhimbja është më e madhe kur lajmin e merr vesh jashtë vendit, ndërsa e konsideroi ngjarjen si tepër të rëndë.

“I shpreh edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta, solidaritetin më njerëzor të gjithë prindërve të studenteve që u ndanë nga jeta në një nga aksidentet më tragjike që ka njohur shumë e shumë vite. Shprehim ngushëllime për shokët dhe shoqet, dhe stafin akademik për këtë dramë të madhe që përjetuan nga ndarja nga jeta e vajzave të këtij universiteti, të cilat ishin nisur në një udhëtim për të shijuar bukuritë e vendit të tyre. Uroj që shpirti i tyre të gjejë paqen e merituar. Uroj që familjarët të gjejnë forcën për të përballuar këtë dhimbje të rëndë. I lutem Zotit që të plagosurit të shërohen”, tha Berisha. Pas kësaj, ai e ndërpreu fjalën i përlotur.

Aksidenti tragjik, 2 të plagosura me frymëmarrje artificiale

Tiranë (15:10)– Nga të dhënat më të fundit nga Spitali Ushtarak, bëhet me dije se dy prej vajzave të përfshirë në aksidentin tragjik të Himarës, janë ende me frymëmarrje artificiale, çka do të thotë se gjendja e tyre është e rëndë. Mjeku Fatos Olldashi, tha se gjendja e të plagosurave të tjera është më e stabilizuar. Më herët, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se transportimi i dy vajzave të plagosura jashtë vendit për ndihmë të specializuar është e pamundur. 

“Ka ecuri pozitive, por vazhdon të mbetet serioze gjendja e 2 vajzave, traumat e të cilave kanë qenë të gjera, edhe në këtë rast parametrat e tyre janë mbajtur në mënyrë të qëndrueshme nga stafi që është për t’u përgëzuar sepse ka bërë një punë profesionale dhe përgjithësisht duke bërë vlerësimin 2 janë në gjendje të vështirë”, tha ministri Vasili.

Sipas tij, në kushtet aktuale është i pamundur transportimi i të plagosurave në gjendje më të rënduar, për shkak se mbahen në jetë përmes aparaturave. “Transporti i tyre është i pamundur se mbahen në jetë me aparatura, ato do të vlerësohen hap pas hapi nga stafi mjekësor. Nuk do të bëhet asnjë hap i nxituar që do të rëndonte situatën”, tha Vasili.

Ministri i Shëndetësisë tha lidhur me gjendjen shëndetësore të të plagosurave të tjera se “rezultatet postoperatore janë pozitive, konsiderohen jashtë rrezikut për jetën, por sërish vazhdon të jetë përkujdesja mjekësore”.  Në Spitalin Ushtarak marrin aktualisht trajtimin mjekësor 14 të plagosura, ndërsa një e plagosur ndodhet në Spitalin Amerikan.

Aksidenti tragjik, në Vlorë dy prej vajzave rëndë

Vlorë (10:30) - Në Spitalin e Vlorës janë të shtruara 10 vajza që u përfshinë në aksidentin e një dite më parë, ndërsa gjendja e tyre po shkon drejt stabilizimit.

Drejtori i këtij spitali , Shkëlqim Selami, tha se, "me përjashtim të dy vajzave, që kanë nevojë për skaner rezonancë gjendja e 8 të tjerave është drejt një përmirësimi të dukshëm".

Sipas tij, të gjitha të plagosurat janë jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahen në terapi intensive, në ambientet më të mira të këtij spitali.

"Rreth një orë më parë është bërë një konsultë e specializuar nga një grup prej 10 mjekësh të specialiteteve të ndryshme, të cilët kanë vlerësuar gjendjen shëndetësore të tyre dhe në përfundim është arritur në konkluzionin se situata në përgjithësi paraqitet e mirë dhe me tendencë përmirësimi të vazhdueshëm", theksoi Selami.

Aksidenti tragjik, të plagosurat drejt stabilizimit

Tiranë (09:39) – Sipas të dhënave më të fundit nga Spitali Ushtarak i Tiranës, bëhet e ditur se gjendja e 14 vajza të shtruara në pavionet e këtij spitali, është drejt stabilizimit.

Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, bëri me dije se 9 prej vajzave janë në terapi intensive, ndërsa të tjerat janë në kirurgji.

“Gjatë gjithë natës kanë ndjekur një për një të gjithë të shtruarit. Në terapi intensive janë 9 vajza dhe 5 të tjera janë në kirurgji. Aksidenti i madh dhe dëmtimet në të gjitha rastet janë serioze, por sot gjendja duket optimiste dhe me shumë shpresë. Dhe dy rastet më të rënda janë në parametra më të stabilizuar”, theksoi ai para pak momentesh.

I pyetur për rezervat e gjakut në spital, drejtori Mihaj, bëri me dije se deri rreth orës 23:00, ka pasur dhurues të shumtë gjaku, duke përfshirë këtu edhe dhuruesit që kanë gjak zero negativ, rezervat e të cilit ishin më të pakta. “Pas orët 11 të natës mbrëmë dhe janë dhuruar gjak zero negativ dhe ka rezerva të mjaftueshme. Kishte një numër të madh njerëzisht që dhuruan gjak dhe sot do të ketë dhurime të tjera. Ne i kemi nën kontroll rastet”, tha ai.

Tragjedia në Himarë, emrat e 13 viktimave, kombi në zi

Tiranë 07:29 – Kjo e martë do të jetë ditë zie për kombin, ndërsa flamuri kombëtar është ulur në gjysmë shtizë. Aksidenti tragjik i ndodhur pasditen e së hënës në Himarë, la pas 13 të rij të vdekur dhe 26 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore. Në orët e vona të natës, Policia e Shtetit bëri të ditur edhe identitetin e viktimave.

Studentët që humbën jetën:

1.    Denisa Guzi nga Gramshi
2.    Ermira Mana nga Elbasani
3.    Aurora Molla nga Pogradeci
4.    Lindita Kabashi nga Elbasani
5.    Joana Debinja nga Lushnja
6.    Elsa Daka nga Elbasani
7.    Juliana Tola nga Elbasani
8.    Armand Halilaga nga Kavaja
9.    Pëllumb Çela, drejtuesi i mjetit, nga Elbasani
10.    Fabiola Shehi nga Bërxulla Tiranë
11.    Eriola Xhoi nga Elbasani vazhdojnë procedurat e verifikimit me familjarët
12.    Eranda Baloshi nga Elbasani
13.    Dorina Stafa nga Kruja

Po kurohen në Spitalin Ushtarak Tiranë:

1.    Kaltra Pollozhani
2.    Alma Deda
3.    Eranda Bato
4.    Antoneta Taçe
5.    Doriana Kumria
6.    Anisa Çobaj
7.    Shegushe Haka
8.    Elsa Shtylla
9.    Ifsjana Karriqi
10.    Mirsie Biba
11.    Besjana Dani
12.    Briselda Gubere
13.    Florije Peci
14.    Blerina Çereni
15.    Griselda Zeneli

Po kurohen në Spitalin e Vlorës:

1.    Elidona Gjinaj
2.    Enkela Daja
3.    Ticiana Hysa
4.    Juliana Kuqi
5.    Ergita Opingari
6.    Adjola Musaka
7.    Liri Hasa
8.    Besjana Xheneti
9.    Adisa Çela
10.    Anisa Hysa

Në gjendje të mirë në Spitalin e Himarës
11.    Arta Ballabani

Nga grupi i posaçëm hetimor vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve
të këtij aksidenti të rëndë. /Start/

                                                                                             2012-05-22 22:39
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›