E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në Himarë, shpresë dhe dhimbje në spital

Dy prej vajzave të shtruara në reanimacionin e këtij spitali, vazhdojnë të mbahen me frymëmarrje artificiale. Ditën e djeshme u realizua operacioni i Fetije Pecit në shtyllën kurrizore, i cili, sipas mjekëve, rezultoi i suksesshëm.

Ndërkohë rastet e rënda po ndiqen në vazhdimësi nga ekipet e mjekëve. Dy vajzat që paraqiten më rëndë janë Florije Peci, që ka dëmtime në kokë, trup dhe palcën e kurrizit, shembje të gjoksit dhe barkut dhe Eriselda Gubere, e cila ka dëmtime të shpretkës, hemorragji të brendshme, dëmtime të veshkës unike, si dhe të disa vertebrave të zonës së kurrizit. Ndërkohë, për të gjitha rastet janë angazhuar dhe ekipe të neurologjisë dhe psikologë për t’u marrë me rastet nga trauma e pësuar.

Edhe në Spitalin e Vlorës situata vazhdon të jetë e njëjtë. Në këtë spital ndodhet edhe e plagosura Besjan Xheneti, e cila humbi të fejuarin në aksident. Pasi është zgjuar nga gjendja e rëndë shëndetësore, vajza e ka kërkuar Armand Halilagën, i cili u përcoll të martën pasdite për në banesën e fundit.

Elbasan, prokuroria nis hetimet

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka nisur hetimet lidhur me autobusin me të cilin udhëtonin studentët e Universitetit "Aleksandër Xhuvani". Hetimet do të përqendrohen nëse aksidenti ka ndodhur si pasojë e ndonjë defekti teknik, apo për faj të shoferit. Burime nga Prokuroria e rrethit bënë të ditur sot se "ekspertë të Prokurorisë kanë nisur hetimet, të cilat si fillim janë përqendruar në agjencinë e udhëtimit "Llixha 2001" ,duke marrë nga kjo e fundit të gjitha dokumentet teknike, ku edhe do të vërtetohet nëse agjencia ka plotësuar të gjitha rregullat e duhura të mjetit, sikurse është kolaudimi dhe kontrolli teknik i tij.

Gjithashtu, në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor në Elbasan është tërhequr dosja, ku edhe ndodhet patenta e shoferit Pëllumb Çela, si edhe dokumentet teknike të automjetit. Ndërkohë që edhe nga universiteti "Aleksandër Xhuvani" janë tërhequr të gjitha dokumentet,  ku do të vërtetohet nëse ky institucion kishte lidhur më parë një kontratë me agjencinë "Llixha 2001", lidhur me transportin e studentëve në ekspedita, si edhe ekskursione të ndryshme. /Start/

                                                                                             2012-05-23 10:14
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›