E Diel, 1 Nëntor 2026

Të premten intervistohen konkurrentët për drejtor të QKUK-së

Nga Express më 15 shtator 2011 në ora 13:16

Kandidatët, të cilët kanë konkurruar për drejtor ekzekutiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nesër do t’i nënshtrohen testit me shkrim. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, tanimë është formuar edhe paneli intervistues dhe brenda afateve ligjore do të bëhet edhe zgjedhja e drejtorit ekzekutiv të QKUK-së.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë për Kosovapress se në konkursin e tretë me radhë për drejtor ekzekutiv të QKUK-së, i cili është mbyllur javën që shkoi, kanë konkurruar 14 kandidatë, mirëpo tani kanë mbetur vetëm 13, ngase kjo garë është tërhequr kandidati i 14-të, neuropsikiatri Sylen Vranica.

Sipas tij, pas formimit të panelit intervistues, nesër pritet të bëhet intervistimi me shkrim, sipas kritereve të MSH-së, ndërsa në javën që vjen bëhet edhe intervistimi me gojë.

“Pritet që brenda afateve ligjore të bëhet edhe zgjedhja e drejtorit ekzekutiv të QKUK-së”, ka thënë Hoti.

Sidoqoftë, pjesa më madhe e kandidatëve për drejtor ekzekutiv janë po ata që kishin aplikuar edhe në dy konkurset tjera për këtë pozitë.

Sikurse pjesa më e madhe e kandidatëve, edhe tre emrat e rinj të kësaj gare vijnë nga fusha e shëndetësisë. Derisa i pari është drejtori aktual i Klinikës së Fëmijëve, Murat Zejnullahu, në këtë garë ka hyrë si emër i ri Halim Ramadani, nga Spitali Rajonal i Gjilanit, ndërsa kandidat tjetër i ri në këtë garë është edhe Ismet Hebibi, oftalmolog-kirurg nga Juniku.

Ndërkaq, emrat që për herë të dytë, përkatësisht të tretë brenda këtij viti kanë vendosur të provojnë fatin në këtë garë janë: Njazi Gashi, Irfan Daullxhiu, Hysen Hyseni, Ramë Miftari, Salih Krasniqi, Haxhi Avdyli, Bajram Koci, Mehmet Maxhuni, Lulzim Emini dhe Fitim Selimi.

Nga kjo garë janë tërhequr disa emra të tjerë, madje edhe Dardan Stublla, i cili pas përfundimit të procedurave përzgjedhëse në konkursin e fundit të muajit korrik nga paneli intervistues ishte emëruar drejtor ekzekutiv i QKUK-së.

Por, vendimi për përzgjedhjen e tij ishte anuluar pak ditë më pas me rekomandimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës me arsyetimin se përzgjedhja e tij paraqet shkelje flagrante të ligjit dhe procedurave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›