Demokracia në progres

Kosova ka shënuar progres viteve të fundit në zhvillimin dhe promovimin e demokracisë, duke siguruar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, të drejtat e minoriteteve, zbatimin e parimeve të demokracisë parlamentare, ndërtimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut. Kështu ka thënë të enjten kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në hapjen e kremtimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.
Ai ka theksuar se edhe Kosova u është bashkuar shteteve demokratike të botës, duke kremtuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, përderisa ka thënë se festimi i kësaj dite, tregon se ky është një rast i mirë për t’iu folur fëmijëve për vlerat demokratike të shoqërisë së Kosovës.
“Megjithatë, funksionimi dhe avancimi i demokracisë është i pamundshëm pa pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në zgjedhjen e përfaqësuesve të dëshmuar me veprimet e tyre dhe në kultivimin e frymës së tolerancës, solidaritetit dhe mirëkuptimit. Andaj të gjithë bashkë duhet të marrim përgjegjësinë për avancimin dhe funksionimin e demokracisë në vend”, ka thënë Krasniqi.
Kuvendi si organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend, sipas Krasniqi ka arritur që të promovojë demokracinë dhe kulturën parlamentare për të mundësuar avancimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Ai ka falënderuar ata që ndihmuan organizimin e kremtimit të kësaj dite, në mënyrë të veçantë, Institutin Demokratik Kombëtar (NDI) për mbështetjen e vazhdueshme për Kuvendin e Kosovës, por edhe USAID-in dhe OSBE-në.
Përfaqësuesi i NDI-së, Robert Benxhamin ka vlerësuar me këtë rast se demokracia në Kosovë nga viti 1999 është zhvilluar në mënyrë impenjuese.
Ai ka vënë në dukje nevojën për demokratizimin më të madh të partive politike në vend, duke thënë se duhet të hapen për pjesëmarrjen e njerëzve.
“Derisa e festojmë këtë ditë është shumë e rëndësishme, të kuptojmë se ndërtimi i demokracisë është shumë kompleks dhe i vështirë, dhe asnjëherë nuk përfundon, sepse për të krijuar një rregull demokratik, Qeveria duhet të jetë gjithnjë aktive. Përderisa ecni përpara kështu dhe çdo ditë tjetër, unë do të jem atje që t’iu mbështes dhe do të respektojë gjithmonë demokracinë tuaj unike”, ka thënë Benxhamin.
Me rastin e shënimit të kësaj dite, NDI ka dhuruar një donacion të përbërë nga pajisje audiovizuele për këndin e mediave në Kuvendin e Kosovës.
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë lidhet me Deklaratën e Përgjithshme për Demokraci të Unionit Ndërparlamentar, miratuar më 15 shtator 1997 në Kajro dhe me Rezolutën për Demokraci, të miratuar dhjetë vjet më vonë, më 13 dhjetor 2007 nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Gjatë gjithë ditës së sotme, deri në orën 16.00, qytetarët do të kenë mundësinë të vizitojnë Kuvendin, të përcjellin drejtpërdrejt punën e Kuvendit, në të aktivitetin “Dyert e hapura të Kuvendit” dhe në “Panairin e OJQ-ve”.
Po ashtu do të bëhet simulimi i seancës plenare nga të rinjtë, para të cilëve do të flas edhe kryeparlamentari Krasniqi, ndërkaq do të zhvillohet një debat parlamentar me temën “Çfarë presin të rinjtë nga institucionet e Kosovës?”, dhe do të bëhet votimi i deklaratës së përbashkët, e cila do t’i dorëzohet kryetarit të Kuvendit dhe presidentes së Republikës së Kosovës.