E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të premten vendimi për lirimin e Haradinajt?

Prishtinë, 26 gusht - Të premten është afati i fundit ligjor kur Gjykata e Hagës duhet të vendosë për lirimin me kusht të ish-kryeministrit kosovar Ramush Haradinajt.
Kjo pas garancive që ofroi EULEX pranë kësaj gjykate. Bazuar në atë çka iu është komunikuar nga pala mbrojtëse e zotit Haradinaj, zyrtarët e AAK-së thonë se kreu i partisë mund të kthehet këtë të shtunë në Kosovë, ose 24 orë pas vendimit të gjykatës. Por akoma nuk dihet nëse kjo do të ndodhë me siguri. Sepse prokuroria ende nuk ka dhënë mendimin e saj në lidhje me vendimin e mundshëm të gjykatës.
EULEX pak ditë më parë ofroi garancitë për lirimin me kusht të liderit opozitar, Ramush Haradinaj.
Siç dihet, ditë më parë mediet kosovare, duke u mbështetur edhe në informacione nga AAK,  paralajmëruan se Ramush Haradinaj do të lirohet të mërkurën, më 25 gusht, për t’u mbrojtur në liri kundruall akuzave për krime lufte nga Prokuroria e Tribunalit të Hagës.
Mirëpo, dje, Haradinaj nuk është liruar.
Zyrtarë të AAK-së kanë deklaruar se janë duke pritur që trupi gjykues të mblidhet gjatë kësaj jave për të vendosur nëse Haradinaj do të mund të mbrohet në liri apo jo. “Kemi lajm vetëm që EULEX-i ka garantuar për sigurinë në mbrojtje në liri të z Haradinaj dhe ne presim që ai të kthehet, nuk ka ditë të caktuar, nuk e di kush e ka përmendur ditën, por janë procedura të Gjykatës që marrin pak kohë, por jemi të bindur që zoti Hardinaj shumë shpejt do të jetë në Kosovë”, është shprehur Ahmet Isufi.
As zyrtarë të EULEX-it nuk janë në dijeni për ndonjë vendim të marrë nga Tribunali, por kanë theksuar gatishmërinë për t’i ofruar siguri Tribunalit që Haradinaj të gjykohet në liri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›