E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Milano trafikanti i femrave



Tiranë - Interpol Tirana ekstradoi dje në mbrëmje nga Milano, Itali drejt Shqipërisë shtetasin shqiptar Klodian Zeka, lindur më 4 janar 1983 në Tiranë. Ngjarja, që i atribuohet personit të ekstraduar, ka lidhje me faktin se gjatë muajve të parë të vitit 2002, i pandehuri Zeka, në bashkëpunim me shtetasit Elvis Pocari dhe Hidajet Kaceli, kanë tentuar të trafikojnë drejt Anglisë shtetasen Marsuela Kuka, me qëllim shfrytëzimin e saj për prostitucion. I pandehuri Klodian Zeka, pasi nuk ka realizuar trafikimin e Kukës, është kthyer me të në Tiranë dhe e ka mbajtur me forcë në banesa të ndryshme, duke kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. E dëmtuara në atë kohë ishte vetëm 16 vjeçe. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin numër 400, datë 20.04.2004, e ka dënuar shtetasin Klodian Zeka me 16 vjet heqje lirie, për veprën penale të “trafikimit të femrave për prostitucion” mbetur në tentativë dhe “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”, parashikuar nga neni 114/b/2-22 dhe 101, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Vendimi i Shkallës së Parë është apeluar në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila me Vendimin nr. 764, datë 11.11.2004, e ka ndryshuar Vendimin nr. 400/2002 përsa i përket masës së dënimit, duke e ulur atë nga 16 në 10 (dhjetë) vjet burg. Në bazë të Konventës Europiane mbi Ekstradimin si dhe nenit 504 të K. Pr. Penale, organet e Drejtësisë kanë kërkuar ekstradimin nga Milano të Klodian Zekës në mënyrë që të vuajë dënimin në vendin tonë. Në Aeroportin e Rinasit shtetasi në fjalë i është dorëzuar Drejtorisë se Përgjithshme të Burgjeve.

28 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›