E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të respektohet verdikti i Kolegjit”

06/06/2011  Vendimi, ambasadorët e OSBE-së, SHBA-së dhe BE-së në deklaratë të përbashkët

Sipas trojkës perëndimore, ky është institucioni më i lartë për ankesat zgjedhore

Trojka ndërkombëtare u bën apel palëve politike të respektojnë vendimin e Kolegjit Zgjedhor për rezultatin zgjedhor të Tiranës. Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, të tre ambasadorët perëndimorë: Arvizu, Sequi, Ëollfarth kanë zbardhur qëndrimin e tyre lidhur me një vendim të tillë, duke i mëshuar me forcë faktit se Kolegji është organi më i lartë që gjykon apelimet zgjedhore. Kështu, duke qenë se të tre këta diplomatë të akredituar në Tiranën zyrtare kanë ndjekur hap pas hapi të gjitha zhvillimet si para, ashtu dhe paszgjedhore, të ndodhur përballë një momenti të tillë, veç thirrjes për respektim të vendimit, bëjnë me dije se do të ndjekin me vëmendje këto zhvillime deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor për zgjedhjet lokale të 8 majit. Madje, lidhur me këto zgjedhje, ambasadorët nuk harruan të japin vlerësimet e tyre për votuesit shqiptarë.

Apeli

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian, ambasadori Ettore Sequi, u shprehën dje në një deklaratë të përbashkët për shtyp lidhur me përgjigjen që Kolegji Zgjedhor i dha ankesës së Partisë Socialiste për rezultatin zgjedhor të Bashkisë së Tiranës. “U njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore. Është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak”, vihej në dukej në deklaratën e ambasadorëve perëndimore, sa i takon një çështje të tillë. Por nga ana tjetër, diplomatët e huaj u ndalën dhe në në tjetër moment, të lidhur ngushtësisht me këtë vendim. “Është e rëndësishme që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar”, citohej në njoftimin për shtyp.

Qëndrimi

Njëkohësisht, ambasadorët dhanë vlerësimet e tyre për procesin zgjedhor të 8 majit. “Ne besojmë se më 8 maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre. Ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike. Ne do të ndjekim nga afër përmbylljen e procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it, duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura në deklaratat tona të mëparshme”, deklaruan tre diplomatët.

Deklarata e Eduart Kukan

Kreu i delegacionit të PE-së për vendet e Evropës Juglindore, Eduard Kukan, që vizitoi Shqipërinë nga data 6 deri në 9 maj, e vlerësoi të qetë dhe të rregullt ditën e votimit në zgjedhjet lokale të 8 majit. Por nisur nga situata paszgjedhore, Kukan u shpreh se “stabiliteti apo destabiliteti i vendit do të jenë në duart e partive politike dhe liderëve politikë. Në këtë situatë Parlamenti Evropian duhet të flasë në një zë dhe ky zë duhet të jetë i koordinuar si në Komisionin Evropian, dhe në Këshillin Evropian, dhe ne duhet të kemi parasysh interesin e vendit dhe njerëzit e tij, sepse jam i bindur se populli shqiptar meriton shumë më tepër”.

Ambasadorët para vendimit të Kolegjit

Nisur nga klima e tensionuar paszgjedhore, e konkretisht me vendimin e KQZ-së për numërimin e votave në kutitë e gabuara, diplomatët patën intensifikuar takimet e tyre me drejtuesit e shtetit shqiptar, por sidomos me kreun e opozitës. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, kreu i delegacionit të BE-së, Etore Sekui, si dhe kreu i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, në takimet e tyre patën deklaruar njëzëri se “ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor”.

Apeli i Ashton dhe Fule

“Zgjidhje konsensuale dhe të qëndrueshme mund të gjenden për ato çështje, të cilat nuk janë mbuluar në mënyrë eksplicite nga ligji dhe që kërkojnë interpretim”, patën deklaruar përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule. Gjithashtu, nisur nga ky këndvështrim, ata bënë thirrje se “interesi i vendit dhe vazhdimësia e procesit të integrimit evropian duhet të mbizotërojë para interesave partiake. Udhëheqësit politikë duhet të jenë në lartësinë e aspiratave evropiane dhe demokratike të vendit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›