E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja në maternitet e gruas, dyshohet mjekimi i pakujdesshëm

06/06/2011  Zbardhja pas autopsisë, nisin hetimet ndaj personelit mjekësor që realizoi operimin e gruas

KORÇE- Policia e Korçës në bashkëpunim me Prokurorinë e këtij rrethi, po vijojnë punën intensivisht për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në vdekjen e gruas 49- vjeçare Fatbaradha Aliko nga fshati Borsh i rrethit Devoll, e cila u nda nga jeta mbrëmjen e së shtunës në maternitetin e qytetit të Korçës, por deri më tani nuk është mbërritur në një konkluzion përfundimtar, pasi pritet dalja e rezultateve përfundimtare të autopsisë, madje do të jenë analizat laboratorike që po kryhen në Tiranë ato që do të hedhin dritë të plotë mbi këtë ngjarje dhe që do të ndihmojnë në zbardhjen e saj. Aktualisht nga ana e policisë dhe Prokurorisë kanë filluar hetimet ndaj personelit mjekësor që realizoi operimin e gruas, si dhe trajtimin mjekësor të 49-vjeçares. Personeli mjekësor që u mor me trajtimin e këtij rasti po hetohet për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm. Megjithatë, hetimi ndaj personelit mjekësor ka nisur mbi dyshimet e ngritura nga të afërmit e viktimës dhe për vetë faktin që kjo vdekje ndodhi në ambientet spitalore. Për këtë arsye është marrë në pyetje personeli mjekësor, gjë që do të ndihmonte në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Megjithatë, pa mbërritjen e analizave të Mjekësisë Ligjore nuk mund të thuhet asgjë saktësisht se çfarë ka ndodhur me viktimën dhe shkaqet që e çuan atë drejt vdekjes.

Policia

Burime të Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës sqaruan se “në vijim të informacionit të dhënë gjatë ditës së shtunë për vdekjen e shtetases F. Aliko, në maternitetin e qytetit të Korçës, vlen të theksohet se priten rezultatet përfundimtare të autopsisë së bërë, me qëllim për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së kësaj shtetaseje. Të njëjtat burime pohuan gjithashtu se “strukturat e policisë së Korçës në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës kanë filluar procedimin penal në drejtim të personelit mjekësor të maternitetit për veprën penale “mjekim i pa kujdesshëm”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, meqenëse kjo ngjarje ka ndodhur në ambientet spitalore”. Gjithashtu, burimet e policisë bënë të ditur se “gjatë orëve të pasdites të ditës së shtunë filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Fredi Goce, 43 vjeç, (vëllain e viktimës), banues në fshatin Vishocicë të Devollit, pasi në ambientet e maternitetit të qytetit të Korçës, kur kishte marrë vesh për vdekjen e së motrës kishte dëmtuar me sende të forta disa xhama e dyer të këtij institucioni. Sipas policisë, vepra penale e konsumuar në këtë rast është ajo e “shkatërrimit të pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë Korçë për veprime të mëtejshme.

Ngjarja

Sipas burimeve të policisë, vdekja e 49-vjeçares, F. Aliko, zuri fill në datë 04.06.2011, gjatë orëve të drekës në maternitetin e Korçës. Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi u ngrit grupi hetimor dhe pas mbërritjes së tij në vendin e ngjarjes, nga hetimet paraprake të kryera u sqarua se kjo shtetase ishte shtruar në maternitet me “Fibromyome Uteri”, ku për këtë diagnozë ishte operuar para 10 ditësh dhe pacientja kishte dalë nga operacioni në gjendje të mirë pa asnjë komplikacion. Pas rikontrollit të bërë ditën e shtunë gjendja e saj shëndetësore rezultoi e mirë, por në momentin që ishte ngritur për të plotësuar disa nevoja të saj personale kishte ndërruar jetë. Aktualisht trupi i viktimës ndodhet në morgun e qytetit, ndërsa pritet mbërritja e rezultateve përfundimtare të autopsisë për të zbardhur shkaqet e vërteta të vdekjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›