Varret e Qiriazëve mbulohen nga ferrat
Varret e themeluesve të alfabetit shqip janë mbuluar nga barishtet. Të lëna pas dore, për ta mund të kujtohen vetëm kur ka ndonjë përvjetor jubilar si ky i tanishmi. Në një varr, ku emri dhe datat e lindjes e të vdekjes janë zhdukur prej kohësh, në varrezat e vetmuara të kishës "Sveti Dimitrij" në fshatin Magarevo të Manastirit (Bitola), prehen eshtrat e njërit nga themeluesit të alfabetit të unifikuar shqip, Gjergj Qirjazi. Bashkë me vëllezërit e tij, Gjerasim dhe Risto, si dhe motrën Parashqevi, kanë qenë pjesëmarrës aktivë në Kongresin e Manastirit. Për fat të keq, duhej të mbusheshin 100 vjet, nga kjo ngjarje madhore për popullin shqiptar, që dikush të kujtohej dhe ta pastronte varrin nga kaçubet që e kishin mbuluar dhe të vendoste mbi të lule të freskëta. "Varrin nuk e mirëmban askush; është lënë në mëshirën e kohës. Mezi e gjeta varrin, megjithëse kam ardhur edhe herë të tjera më parë me babanë tim, kur isha i vogël", ka thënë një nga pasardhësit e vetëm të kësaj familjeje, Risto Qirjazi. Një grup intelektualësh të njohur nga Maqedonia dhe Shqipëria shkuan këto ditë te varri i Gjergj Qirjazit, vendosën lule të freskëta mbi të, u përulen para tij në shenjë respekti ndaj veprës së madhe të kësaj figure të shquar të historisë shqiptare dhe kënduan himnin e alfabetit shqip. "Ky njeri nuk është figurë politike, por një njeri, vepra intelektuale e të cilit e kapërcen kohën në të cilën ka jetuar. Qirjazi është vllah nga Shqipëria, besimtar ortodoks, që ka jetuar në Maqedoni. Jeta e tij duhet të konsiderohet si një pjesë e rëndësishme e historisë së qytetit dhe meriton shumë më tepër sesa një varr pa emër", ka thënë historiani Albert Hani, nga Korça, i cili ishte mes atyre që udhëtuan në këto varre. Nuk dihet se ku është varrosur Gjerasimi, ndër më të shquarit midis vëllezërve Qirjazi, që ka qenë burgosur disa herë dhe ka vuajtur shumë për shkak të përndjekjeve nga ana e turqve osmanë dhe asimiluesve grekë. Të tre vëllezërit, sikurse dihet, kanë marrë pjesë në Kongresin e Manastirit, që u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir (Bitola). Me ta ishte edhe motra e tyre, Parashqevi, e vetmja pjesëmarrëse grua në kongres, megjithëse në atë kohë, në hapësirat ballkanike, nuk ishte zakon që të merrej mendimi i grave për çështje madhore. "Kemi mbledhur dokumente origjinale në bibliotekat e pasardhësve të familjes Qirjazi", thotë Risto Qirjazi, sipas të cilit fjala është për afro 50 eksponate në formë dorëshkrimesh, fotografish dhe origjinalesh të mbetura nga Kongresi i Manastirit, që do t‘i prezantohen publikut të gjerë më 20 nëntor në Shtëpinë e Alfabetit Shqip në Manastir.