E Diel, 1 Nëntor 2026

Të shpallen zgjedhjet e parakohshme

Ish-kryeparlamentari, Pëllumbi: Dy aktorët kryesorë nuk merren vesh

Mesazhi politik i opozitës për zgjedhje të parakohshme po fiton konsensus të gjithanshëm brenda faktorëve dhe individëve me influencë. Në një kontekst dinamik, sidomos brenda Partisë Socialiste, ku një shumësi zërash mbajnë përherë të gjallë debate dhe divergjenca të shumta, duket se rrëzimi i qeverisë “Berisha 2” është një opsion që mund të nxisë kohezionin dhe unifikimin. Në një intervistë televizive për “Ora News”, dje një nga emrat e njohur të PS, Servet Pëllumbi, ka nënvizuar se situata e tanishme e krijuar në vend, me prirjen që po dëshmon, mund të zgjidhet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme. “Megjithëse bojkoti nuk realizoi atë që kërkonte opozita, mendoj se në disa drejtime pati disa suksese; shkundja e PS, ai krijoi një shans për shumicën që të reflektonte, edhe pse ajo nuk e zgjidhi situatën. Unë nuk e di si do dalë shumica nga kjo situatë, por një krizë e këtillë si zgjidhje ka zgjedhjet e parakohshme...”, deklaroi Pëllumbi, pa shkuar më tej mbi procedurën e shpalljes eventuale të tyre. Keqfunksionimi i institucioneve, pamundësia e shumicës për të kaluar ligje organike, si dhe një anormalitet i krijuar nga dëshmitë e fundit për shkeljet e konsumuara në zgjedhjet e fundit janë sjellë prej tij si argumente që e komunikojnë zgjidhjen politike si të pakapërcyeshme në një vend ku dominon ajo që ai e quajti “demokraci imituese”.

“Ne jemi në një krizë politike, pasi dy aktorët kryesorë nuk merren vesh, situata është e vështirë”, vlerësoi Pëllumbi. Nga ana tjetër, me më shumë interes është edhe analiza për bojkotin parlamentar të Partisë Socialiste, një lëvizje e cila i kushtoi asaj ftohtësinë e komunitetit ndërkombëtar. Kështu, sipas ish-kryetarit të Kuvendit, bojkoti pati vlerën e tij pozitive në dhënien e një motivi për PS, të një reflektimi, por mbi të gjitha për informimin e opinionit me atë se çfarë ka ndodhur realisht më 28 qershor. Ky kuadër pozitiv gjykimi për qëndrimet e diskutueshme të selisë rozë në këto 8 muajt e fundit megjithatë kushtëzojnë ndryshimin e kursit, për arsye se siç u shpreh Pëllumbi, “bojkoti e përmbylli rolin e vet”.

Me fjalë të tjera, vijimi i kësaj linje është i dëmshëm, pasi tanimë opozita me një opinion të gjerë me vete dhe me përshkallëzimin e protestave, ka mundësinë e kombinimit të luftës politike e për pasojë izolimin e shumicës në pushtet. Lidhur me perspektivën dhe aspektin praktik të zgjedhjeve të parakohshme, ish–deputeti socialist ka hedhur idenë se një fitore e PS mund të arrihet edhe pa aleancën me Lëvizjen Socialiste për Integrim. “E majta ka një problem të madh; ajo nuk po arrin të gjejë kohezionin e saj. Në 2005-n, PS i humbi zgjedhjet për shkak se nuk arriti të gjejë zgjidhje me LSI, po kështu në 2009...Megjithatë me lëvizjen e fundit të LSI... mendoj se PS mund t’i fitojë zgjedhjet edhe pa të...”, deklaroi ai.

Ky është një qëndrim që pasqyron jo vetëm dasinë e madhe mes PS dhe LSI, por edhe faktin se kalimi i kësaj të fundit në qeverisje me PD, ka përcaktuar ndoshta më mirë edhe ndarjen e elektoratit mes së majtës dhe së djathtës. Thënë ndryshe, dilema socialiste e 2005 dhe 2009 po minimizohet për t’i lënë vendin një ballafaqimi tradicional.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›