Ingo Schulze, lexime në Tiranë
Një nga prozatorët e njohur sot në Gjermani, Ingo Schulze, ndodhet në Tiranë. Për tri ditë me radhë do të lexojë e promovojë veprën e tij, si dhe do të ketë bashkëbisedime me shkrimtarë shqiptarë. Schulze do të realizojë një bashkëbisedim artistik nga romani i tij i përkthyer së fundmi shqip nga Ardian Klosi, “Adami dhe Evelina“. Takimi i parë me publikun ka qenë mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Metropolit, ku pjesët janë lexuar nga aktorët Valbona Imami, Sesilia Plasari dhe Dritan Boriçi. Po sot, në orën 19.00 në Teatrin e Metropolit leximi do të jetë në gjermanisht. Jürgen Röhling do të flasë për jetën dhe veprën e Ingo Schulzes. Shkrimtari do t’u përgjigjet pyetjeve të publikut, ndërsa të mërkurën, ora 10.00, shkrimtari gjerman do të takohet me kolegë të tij shqiptarë dhe përfaqësues të medias në Sallën Gjermane të Librit (Biblioteka e vjetër Kombëtare, përballë Parlamentit).
Ingo Schulze është bërë mjaft i njohur në Gjermani qysh prej debutimit të tij “33 çaste lumturie” si prozator me një numër vëllimesh me tregime dhe romanesh si “Simple Stories”, “Jetë të reja”, “Celular” etj. Ka marrë edhe disa çmime të rëndësishme, ndërsa në vitin 2007 edhe çmimin e Panairit të Leipzigut për vëllimin “Handy”. Romani i tij më i fundit “Adami dhe Evelina” u botua vjet në shqip nga shtëpia botuese “K & B” në përkthimin e Ardian Klosit dhe u prezantua gjatë Tetorit Gjerman. Ky libër përshkruan fatet e disa të rinjve gjermano-lindorë në verën dhe vjeshtën e vitit 1989, pak para rënies së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të Gjermanisë.
#