Pendimi i Tiger Woods
Që kur shpërtheu skandali seksual, katër muaj më parë, i kishin thënë se për t’u rikthyer në sport, duhet të kalonte përmes një rrëfimi publik, ku të tregonte të gjithë të vërtetën, ku duhej t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve. Dhe, për herë të parë, pas asaj që ndodhi dhe tronditi gjithë botën e sportit, Tiger Woods, lojtari më i mirë i golfit dhe njeriu më i paguar në sport, pranoi të japë një intervistë për publikun, ku tregoi me detaje atë çfarë kishte ndodhur. Edhe pse për vetëm 5 minuta, kjo ishte intervista e tij e parë që prej 27 nëntorit. “Kam lënduar shumë njerëz dhe kam jetuar një jetë të mbushur me gënjeshtra. E pranoj që jetoja në gënjeshtra të vazhdueshme. Pastaj kur i eliminon të gjitha mbeturinat dhe fillon të mendosh mbi atë që je, kupton diçka shumë të keqe. U përpoqa që të ndaloja, por nuk munda. Kjo ishte e tmerrshme. Tani jam mirë, mendoj se jam rikuperuar përfundimisht”, tha ai. Më tej, Tiger, i veshur me një kostum të sponsorit të tij “Nike” tha: “Kam bërë shumë gjëra të gabuara në jetë, por tani, pasi qëndrova i shtruar në një klinikë për 45 ditë, dua të rikthehem te rrënjët e mia. Ajo që ndodhi mëngjesin e aksidentit është në raportin e policisë, por mbi të gjitha është një çështje private mes gruas sime Elin dhe meje. Vendosa që të kërkoja falje publikisht, sepse ua detyroja shumë njerëzve. Lëndova jo vetëm gruan, por edhe miqtë, kolegët, fëmijët, publikun dhe të rinjtë që më shihnin si shembull. Njerëzit më shihnin shumë larg veprimeve të mia të fundit. Për këtë arsye, desha të kërkoj falje dhe vërtet që më vjen keq për atë që kam bërë. Kam bërë shumë gabime që më duhet t’i shlyej”. Në të vërtetë, para se të jepte intervistën e parë publike, tre muaj pas aksidentit, ai kërkoi faljen e parë publike. Me lot në sy dhe i prekur para gazetarëve, u shpreh se i vinte keq që kishte zhgënjyer njerëzit me sjelljet e tij “të papërgjegjshme dhe egoiste”. Për herë të parë, deklaroi publikisht se e kishte tradhtuar të shoqen dhe jo vetëm një herë të vetme. “Kam qenë i pabesë, kam pasur marrëdhënie me femra të tjera dhe ajo çfarë kam bërë ka qenë e papranueshme”. Por, ndërkohë, Tiger mohoi faktin për shkëmbimet e dhunës, për të cilat është akuzuar se kanë ndodhur mes tij dhe së shoqes. “Ka pasur nga ata që kanë spekuluar në lidhje me ndonjë goditje të Elin ndaj meje Natën e Falënderimeve. Kjo nuk është e vërtetë dhe fakti që njerëzit sajojnë gjëra të tilla, më nervozon. Njerëzit duan të kuptojnë se si ishte e mundur që u tregova disa herë me radhë kaq egoist, kaq budalla për t’i bërë gjithë ato gjëra gruas dhe fëmijëve të mi”, ka deklaruar Woods. Atleti amerikan foli edhe për terapinë së cilës iu nënshtrua për 45 ditë, por nuk dha detaje. Ai nuk i tregoi arsyet për të cilat ishte kuruar, por tregoi se çfarë kishte mësuar prej saj: “Ishte e vështirë, sidomos kur e shihja veten nga një pikë, nga e cila nuk do të kisha dashur ta shihja kurrë. Isha bërë njeri tjetër, sepse isha larguar nga vlerat e mia. Kisha lënë pas dore budizmin, meditimin dhe gjithçka tjetër që prindërit më kishin mësuar. Nuk kisha shkuar më parë në terapi, sepse nuk e kisha kuptuar se sa i madh ishte problemi im, por e rëndësishme është që e mora guximin dhe shkova”. Pastaj ai foli edhe për momentet më të errëta në këto katër muaj. “Pjesa më e vështirë ishte përballja me nënën dhe gruan, sepse janë ato që lëndova më shumë dhe që dua më shumë. Elin ishte e lënduar, e tronditur dhe e zemëruar dhe kishte gjithë arsyet e botës për të qenë kështu. U martova me të, sepse e doja me gjithë shpirt dhe fakti që ia kam bërë këtë dikujt që e dua kaq shumë, më bën të ndihem ende keq”, u shpreh ai në intervistën për televizionin ESPN. Në të njëjtën kohë, Tiger u shpreh i vendosur në dëshirën për t’iu kthyer edhe një herë golfit. “Kur vendos të përballesh me të gjithë këtë dhe nis të rifitosh veten, ndjen brenda vetes një forcë të re, të cilën nuk e kisha provuar kurrë më parë”. Në funksion të kësaj force të brendshme, Woods ka vendosur t’i rikthehet sportit të zemrës, me të cilin bëri emër, para dhe karrierë, golfit. Për ESPN, ai tha se tani është një tjetër njeri, por nuk e di se çfarë lloj golfisti mund të jetë bërë ndërkohë. “Ndihem pak nervoz në lidhje me këtë temë. Nuk di të them se si do më presin dhe as se çfarë lloj sportisti jam tani. Pyes veten nëse do të mundem ende të ndiej emocionin e ndonjë duartrokitjeje të vogël aty-këtu”, tha ai, duke folur për rikthimin e parashikuar për “Masters Usa” në Xhorxhia, nga data 8 deri më 11 prill. Pak ditë më parë, Woods pati mundësinë të lexonte në të gjitha tabloidet amerikane SMS-të e një prej ish të dashurave, Veronica Siwik-Daniels, 32 vjeçe, ish-pornostar, e njohur nga të gjithë me emrin Joslyn James. Vajza kishte vendosur t’i publikonte në internet, për t’i shkuar së vërtetës deri në fund. Në ato mesazhe që James betohet se i janë dërguar prej Tiger del ana e tij më e errët, dëshirat e tij seksuale të dhunshme dhe sekrete. Edhe pse numri i vajzave me të cilat ai mendohet të ketë shkuar, ka vajtur në 15, Woods asnjëherë nuk u është përgjigjur publikisht akuzave të tyre. Edhe në intervistën e dhënë nuk preferoi asnjëherë të jepte detaje, duke theksuar vazhdimisht se kishte bërë gjëra që kishte lënduar shumë njerëz. Tani i takon “Masters Usa” për të vendosur se si do ta mirëpresë rikthimin e një kampioni pas periudhës së vështirë që kaloi. Shumë sponsorë u larguan, ndërsa tifozë të tjerë i kthyen shpinën. Nëse e kanë bërë të gjithë apo jo, këtë do ta shohim pas pak ditësh. Ai tashmë nuk ka më asgjë për të fshehur: më i sinqertë se kaq nuk mund të tregohej. I takon botës së golfit përgjigjja përfundimtare, pasi Elin, e lënduara më e madhe nga kjo ngjarje, e fali. Të paktën për momentin. Në fund ai tha se besimi budist mund ta ndihmonte në kalimin e plotë të këtij problemi: “Budizmi më ka mësuar që të rresht së ndjekuri impulset dhe të mësoj të vetëpërmbahem”. Ndërsa në lidhje me martesën, ai tha se me të shoqen kishin diskutuar për shumë gjëra, por që gjithçka do të mbetej mes tyre.
#