Të shtëna me armë zjarri në një fabrikë në Gjermani, humbin jetën dy persona

Dy persona kanë humbur jetën në Gjermani, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një fabrikë Mercedes-Benz në Sindelfingen. Një 53-vjeçar hyri në sallën e prodhimit në fabrikën në Sindelfingen dhe hapi zjarr duke qëlluar dy 44-vjeçarë.
Sipas autoriteteve, autori është arrestuar dhe nuk ka më asnjë rrezik për punonjësit, ndërsa zyrtarët e policisë thanë se ngjarja nuk ndodhi për shkak të një konflikti të çastit, por dyshohet se ishte e organizuar. Motivi i autorit mbetet ende i paqartë.
Gjermania ka disa nga ligjet më të rrepta të armëve në Evropë dhe autoritetet thonë se po planifikojnë t’i shtrëngojnë ato më tej. Në mars, të shtënat në një sallë mbledhjesh të Dëshmitarëve të Jehovait në Hamburg i morën jetën shtatë personave.
Ligjet aktuale kërkojnë që çdokush nën 25 vjeç të kalojë një vlerësim psikologjik përpara se të marrë një licencë për armë.
Në vitin 2021, sipas Regjistrit Kombëtar të Armëve të Zjarrit, kishte rreth një milion pronarë privatë të armëve në Gjermani. Ato përbëjnë 5.7 milionë armë zjarri legale dhe pjesë armësh zjarri, shumica e tyre në pronësi të gjahtarëve./ BBC
/rtsh.al/