E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të suksesshëm në gjithë vendin, përjashtuar veriun

Nga Express më 05 korrik 2011 në ora 20:30

Zyrtarët nga Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it e kanë cilësuar të martën si të suksesshme fushatën kundër abuzimit me substanca narkotike me moton “Mos i mbyll sytë”. Ata prezantuan statistikat për konfiskimin e narkotikëve dhe arrestimin e disa personave të implikuar në këtë dukuri, por nuk kanë paraqitur asnjë të dhënë për pjesën veriore të Mitrovicës.

Gjatë një konference të përbashkët, zyrtarët e policisë vendore dhe asaj të BE-së bën të ditur se brenda periudhës dymujore të fushatës përveç konfiskimit të qindra kilogramëve drogë, janë arrestuar edhe 83 persona, kurse masa e paraburgimit është shqiptuar ndaj 58-ve.

Kapiteni Bahri Shala nga Departamenti i trafikimit me narkotik në Policinë e Kosovës, tha se falë bashkëpunimit me qytetarë kohën e fundit ka një rritje të suksesit policor në luftimin e dukurive negative.

“Gjithsejtë Policia e Kosovës i ka pas 45 raste dhe nga këto raste 83 presona kanë qenë të arrestuar nga ta 58 janë ndaluar dhe iu është caktuar masa e paraburgimit. Për këto dy muaj, prill dhe maj, gjithsejtë kanë qenë 30 operacione, nga këto 22 kanë qenë raste të trafikimit me narkotik, 7 të posedimit dhe 3 të kultivimit. Ndërsa sa i përket konfiskimit në muajit prill dhe maj kanë qenë mbi 7 kilogram drogë e llojit heroinë, kanë qenë 50 kilogram drogë e llojit mariuhanë, 30 gremë të llojit kokainë, 150 bimë të kanabisit, ndërkaq 3 kilogram kanë qenë lloje të drogave tjera”, ka thënë Shala.

Edhe përfaqësuesi i Drejtorisë kundër trafikimit me narkotik nga EULEX-i, Oliver Hofman e vlerësoi lartë fushatën dhe bashkëpunimin me policinë vendore. Ai tha se puna e suksesshme policore ka bërë që Kosova të mos mbetet një vend i mirë për trafikimin me drogë.

“Ne do të mundohemi të krijojmë një mjedis shumë të keq për kriminelet që merren me drogat dhe gjatë muajve të kaluar kemi arritur rezultate të mira dhe pikërisht dje është shpallur një vendim me të cilin janë dënuar disa persona që janë gjetur fajtor, njëri prej tyre është dënuar me 4 vjet, tjetri me 8 vjet. Pastaj është konfiskuar një shumë e parave që është gjetur aty dhe është gjobitur personi me 200 mijë euro”, tha ai.

Mirëpo punën e suksesshme kundër narkotikëve si zyrtarët vendor ashtu edhe ata nga EULEX-i nuk kanë mundur ta arsyetojnë për gjithë vendin, ashtu siç është e përcaktuar me Kushtetutë.

Madje, Oliver Hofman edhe pse pohon që fushata është zhvilluar në gjithë vendin, nuk ka paraqitur asnjë të dhënë konkrete të luftës kundër drogës për pjesën veriore të Mitrovicës dhe arrestimin e ndonjë personi atje.

“Aktualisht nuk kam ndonjë pasqyrë të saktë për këtë, mirëpo nëse u intereson mund të kontaktoni nëpërmjet zyrës për informim të EULEX-it dhe ata të ua ofrojnë me shifrat e duhura lidhur me këtë çështje”, ka thënë Hofman.

Ai nuk ka dhënë ndonjë vlerësim as sa i përket raporteve ndërkombëtare që Kosovën e konsiderojnë si vend transit të drogës.

Ndryshe fushata kundër abuzimit me substanca narkotike “Mos i mbyll sytë” ka nisur dy muaj më parë. Gjatë kësaj kohe policia ka bërë 60 vizita nëpër qytete e fshatra për të informuar qytetaret lidhur me pasojat që sjellë droga. Po ashtu, qytetarët janë njoftuar edhe për lidhjen e marrëveshjeve me operatoret Vala dhe Ipko, ku mund të telefonohet pa pagesë në numrin 0800 11111. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›