E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes te sigurimet!

Njohësit e sigurimeve thonë se parakusht për zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me Serbinë është ujdia në fushën e sigurimeve. Besnik Nikçi propozon tri modele të mundshme. Modelin siç është me Shqipërinë, ai i targave të regjistruara si provë e sigurimit apo modeli për njohjen reciproke të polisave TPL. Përjashton çdo mundësi të mospranimit të targave të Kosovës. Nga Agon Sinanaj më 05 korrik 2011 në ora 11:50

Marrëveshja e arritur me Serbinë për lëvizjen e lirë nuk ka përfunduar ende, nëse merren parasysh modalitetet e zbatimit të saj. Nuk dihet ende se çfarë modeli do të aplikohet dhe a do të jetë gjithçka reciproke. Posaçërisht ujdia në fushën e sigurimeve, që është parakusht për zbatimin e saj.

Njohësit e kësaj fushe përjashtojnë çdo mundësi që nëpër Serbi të kalohet me targa të përkohshme. Ata kërkojnë që targat të jenë të Kosovës.

Eksperti i sigurimeve, Besnik Nikçi, thotë se pala kosovare kur të ulet për të biseduar rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje, patjetër duhet t’i ketë propozimet e saj. Ai, në një intervistë për Express, jep tri modele të mundshme se si do të duhej të zgjidhej problemi i sigurimeve me Serbinë në kuadër të kësaj marrëveshjeje.

Fillimisht, sistemi i kartës ndërkombëtare të sigurimeve përjashtohet si mundësi e zbatimit, duke marrë parasysh statusin e Kosovës në këtë institucion. Prandaj, Nikçi thotë se marrëveshja e mirëkuptimit si në rastin e Maqedonisë e Shqipërisë mund të jetë njeri nga modelet.

“Mirëpo, vetë situata specifike e raportit Serbi-Kosovë kërkon që ky memorandum të jetë diçka ma specifikë”, thotë Nikçi.

Modeli tjetër, sipas tij, është ai i targave të regjistruara si provë e sigurimit. Ky model, nënkupton që në momentin kur një veturë me targa të Kosovës kalon për Serbi, asaj i njihet edhe sigurimi në bazë të targës. Pra, përjashton mundësinë e sigurimeve kufitare.
Në fakt, Nikçi thotë se vetë Serbia e ka këtë model, të cilin po e përqafojnë gati të gjitha vendet e Evropës.

“Nëse eventualisht çështja e njohjes së targave nuk nënkupton një njohje të thjeshtë të targave të caktuara, atëherë zbatimi i marrëveshjes bëhet më i komplikuar”, shprehet Nikçi.

Një zgjidhje tjetër është njohja reciproke e validitetit të polisave TPL, me shtrirje territoriale jashtë territoreve të këtyre shteteve. “Diçka ngjashëm si memorandumi me Shqipërinë”, vazhdon Nikçi

Sipas tij, duhet të ketë kujdes të shtuar në çdo detaj të marrëveshjes sa i përket sigurimeve. Kjo nga fakti se njëra nga pengesat që Kosova nuk është anëtare në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimeve është pikërisht problemi i sigurimeve me Serbinë. Për këtë arsye, sipas Nikçit, sigurimi kufitar duhet përjashtuar si mundësi menjëherë. Në të kundërtën, kjo do t’i prolongonte edhe më tutje procedurat e anëtarësimit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Kartonit të Gjelbër në Bruksel.
“Ky memorandum nuk e ka rëndësinë vetëm të një memorandumi. Në anën tjetër, ai i përshpejton edhe procedurat për kartonin e gjelbër”, pohon Nikçi.

Veç kësaj, sipas ekspertëve, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka ardhur në momentin e duhur, pasi të njëjtin ka mundësi ta firmosë për të parën herë Shoqata e Sigurimeve e jo Banka Qendrore e as në të ardhmen e afërt Byroja Nacionale. Kjo, pasi nënshkrimi nga dy institucionet e fundit për palën serbe do të nënkuptonte si njohje e Kosovës shtet.
“Rekomandim imi është që ne të shkojmë me propozimet tona. Pse mos të propozojmë ne diçka tonën”, ka përfunduar Nikçi.

Ndryshe, me këtë marrëveshje, njohësit e sigurimeve presin që Kosova shumë më lehtë ta posedojë të drejtën në kartonin e gjelbër. Kjo për faktin se deri tani problemet në fushën e sigurimeve me Serbinë janë parë si një pengesë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›