Pula pagën më të madhe se presidentja Jahjaga

Drejtoresha e dorëhequr e ngrohtores “Termokos”, Fëllënza Pula, e cila gjatë sezonit të dimrit i ka mërdhirë qytetarët e Prishtinës, paguhet për ‘punën’ e saj 3226 euro në muaj, duke e kaluar kështu me rrogë edhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka një pagë mujore prej 2873 euro.
Paga e Pulës është bërë e ditur nga raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) për vitin 2010, ku thuhet pas Pulës me pagë 3226 euro pasohet drejtori administrativo-ligjor i kësaj kompanie, i cili merr 1744 euro në muaj.
Me gjithë pagat e majme të menaxhmentit, “Termokos” sipas ZAP-it, ka probleme serioze financiare dhe është vënë në dyshim funksionimi i veprimtarisë në përgjithësi.
Deri te ky konstatim auditorët kanë ardhur pasi kanë audituar në 18 tenderë të “Termokosit”. Njëjtë sikurse në raportin për vitin 2009, edhe në këtë raport për pasqyrat financiare të vitit 2010, auditorët kanë gjetur shkelje të mëdha në tendere të ndryshme.
Duhet përmendur faktin se gjatë sezonit të dimrit menaxhmenti i “Termokosit” ka dështuar plotësisht për të ofruar ngrohje për qytetarët e Prishtinës. Madje ngrohje nuk kanë pasur as spitalet, çerdhet e shkollat.
Mirëpo gjithë ky dështim nuk e ka penguar udhëheqjen e “Termokosit” që të marrë për vetë paga të majme, që e kalojnë edhe atë të presidentes së shtetit.