E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të trembur nga drejtësia

I akuzuari kryesor për abuzimet në segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, Lulzim Basha, i kërkoi Gjykatës së Lartë të pezullojë gjykimin ndaj tij, pasi Prokuroria, sipas tij, ka shkelur afatet e hetimit.


Për të gjithë ata që besonin se kjo nuk do të ndodhte, tani ka një fakt publik, është paraqitja e vetë Lulzim Bashës para trupit gjykues me këtë kërkesë. Bëhet fjalë për një akuzë, e cila fillon me 200 milionë euro abuzime dhe nuk dihet sa mund të shkojë, nëse bëhet realisht një hetim gjyqësor i paanshëm dhe, mbi të gjitha, bëhet fjalë për nderin e qeverisë "Berisha" dhe betejën e saj kryesore, luftën kundër korrupsionit.


Kryeakuzën e ngritur ndaj ministrit më të rëndësishëm të tij, Kryeministri, Sali Berisha, nuk paska ndërmend ta hedhë poshtë me përballje me drejtësinë, por me ikje nga beteja për t'u përballur.

Ky, në të vërtetë, është lajmi më i ri që ka prodhuar qeveria. Deri më dje ka folur media. Deri dje kanë folur politikanë të opozitës dhe shoqëria civile. Deri dje kam shkruar unë dhe kolegë të mi për abuzime flagrante financiare dhe kapje të shtetit prej familjes së Kryeministrit. Dy ditë më parë ne heshtëm, të fliste drejtësia. Por, në vend të saj foli vetë Lulzim Basha dhe kërkoi të mos gjykohej!


Për cilindo vëzhgues të rëndomtë të jetës politike në Shqipëri, ajo që Lulzim Basha bëri dje, është pranimi me zë të lartë dhe haptas i abuzimit në segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, i cili është më pak se gjysma e rrugës Durrës-Kukës dhe kushton 20 herë më shumë se gjithë pjesa tjetër e së njëjtës rrugë. Lulzim Basha, i cili e ndjen se hetimi gjyqësor mund ta prangosë si abuzues dhe shkelës të ligjit, po kërkon të përdorë procedurën gjyqësore për t'iu shmangur gjykimit.


Përpara shqiptarëve është një qeveritar, i cili po akuzohet nga drejtësia si përgjegjës dhe fajtor për shpërdorimin e, së paku, 200 e ca milionë eurove. Një akuzë e tillë është aq e rëndë, sa njeriu i parë që duhet të çonte te dera e gjykatës me Lulzimin për dore, duhet të ishte Sali Berisha. Kryeministri duhet të merrte Lulzimin pa gdhirë dita e djeshme dhe ta çonte në Gjykatë për të mbrojtur nderin e qeverisë. Kryeministri, i ardhur në pushtet me sloganin e "Duarve të pastra", nuk mund t'i fshihet betejës me drejtësinë, duke shpikur zvarritje procedurash hetimore.


Një Kryeministër i pastër dhe i papërzier në këtë krim, shkon vetë drejt e në gjykatë dhe pastrohet nga akuza. Lulzim Basha nuk mund të pastrohet nga akuza duke mbyllur çështjen, as duke blerë gjyqtarët, as duke bërë lobing dhe presion mbi ta dhe ndaj tyre. Ai duhet të shkojë në Gjykatë dhe të dëshmojë se nuk është fajtor për këtë supershpërdorim.

Nëse nuk është ai, është Sali Berisha, ose dikush tjetër. Ato pará janë shpërdoruar nga kjo qeveri dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi. I vetmi skenar që nuk lejohet, është ikja nga ballafaqimi me drejtësinë.


Gjesti prej burracaku i ministrit Basha, që kërkon të shpëtojë nga gjykimi "me procedurë", jo vetëm që e paragjykon atë në opinion si fajtorin de facto të këtij skandali, por turpëron gjithë filozofinë e qeverisë, e cila pretendon se akuzat ndaj saj janë sajime të medias.

Tani, ndaj Lulzim Bashës ka një akuzë në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë dhe rruga e duhur për t'u pastruar nga akuza është ulja në bankën e të akuzuarit dhe përgjigjja e pastër dhe e sinqertë për çdo pyetje dhe paqartësi të Gjykatës.


Fakti që në vend të këtij gjesti normal dhe qytetar, ministri ynë ka zgjedhur kërkesën për të mos u gjykuar sikur krimi nuk ka ndodhur, na tregon të gjithëve se, përveçse përgjegjës, përveçse fajtor, përveçse varrosës i së paku 200 milionë eurove, ky djalosh, që pardje i kishte ngrirë buzëqeshja në buzë, është dhe burracak.


Qeveria e Kryeministrit Berisha, pas katër muajsh do votëbesohet nga shqiptarët dhe mjafton kjo ikje nga ballafaqimi me drejtësinë i Lulzim Bashës, që t'i rëndojë asaj si gur në qafë për çdo akuzë për korrupsion që i është bërë.


Kërkesa e këtij burracaku për t'i ikur ballafaqimit me drejtësinë, bën legjitime jo vetëm akuzat ndaj tij, por apriori, dhe çdo akuzë të ngritur ndaj vajzës së Sali Berishës për pastrim parash, ndaj djalit të Sali Berishës për trafik armësh, ndaj dhëndrit të Sali Berishës për trafik trojesh, ndaj Fatmir Mediut, si djalë shpirtëror i Sali Berishës, jo vetëm për masakrën e Gërdecit, por dhe privatizimin e INSIG-ut dhe grabitjen e mjediseve të Spitalit Ushtarak, për spitalin e tij privat në mes të Tiranës.

Këta qeveritarë që i kemi parë arrogantë prej pushtetit, të krekosur prej parave, të majmur prej korrupsionit dhe të frustruar prej skandaleve, tashmë po i shohim të trembur nga drejtësia dhe totalisht burracakë para dyerve të gjykatës. Po na kërkojnë një favor "të vogël": të mos gjykohen për çfarë kanë bërë! Si gjithë burracakët!

*Marrë me shkurtime nga gazetatema.net / Titulli është i redaksisë

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›