Përse mund të mbrojmë Akademinë Marubi
Mbasi krijoi geto me banorë hallexhinj të ardhur nga rrethet, pushtetit shqiptar, nuk do as të lerë një dritare hapur për një pjesë të rinisë që thjesht do filma të mirë dhe jo pushtet
Kundër humanizmit të shtirë e të vjetëruar shqiptar, le të themi se ka ardhur vërtet koha që njeriu, ish kapitali ynë gjoja më i çmuar, t'ia lejë më në fund rrugën e lirë konceptit. Që do të thotë se në rastin me të cilin po merremi, halli personal vetëm të shërbejë si sebep reagimi shoqëror kundër pushtetit, i cili është përherë i keq e kundër njeriut; dhe që të dalim ndoshta aty ku ka mungesë te ne: te protesta minore, e ardhur nga poshtë, dhe jo më e organizuar nga organizatat e shoqatat, që tashmë i kanë ezauruar të gjitha modulet e protestës në Shqipëri.
Të hyjmë pra në temë: As të mos bëhemi aq merak për Kujtim Çashkun dhe për "hallin" e tij. Madje do të reagoja me dhimbje, por dhe me qesëndi, ndaj patetikës së tij në çastin e mësymjes së policëve tek akademia Marubi: një protestë pak a shumë financiare, e vonuar në kohë, e papërpunuar si mizanskenë.
Por ndoshta ky incident mund të thyejë sadopak edhe elitizmin e sforcuar të gjoja-ish-elitës intelektuale tiranase, qoftë edhe atë të Çashkut. Ndoshta e gjitha kjo mund të bëjë nesër që ai vetë të mendohet më mirë kur të ketë marrëdhënie, si dikur, me pushtetin. Ndoshta nesër - pas kësaj avarie personale - ai, vetë Çashku etj, do ta ketë më vështirë të shihet e të radhitet në prani të figurave të pushtetit, si dikur te bar Dashuria, apo ku di unë...
Por mësymja e policëve është, ama, e shëmtuar. Është dhunë, dhe s'ka emër tjetër për të.
Ky shkrim po mundohet të anashkalojë të gjitha aferat dhe logjikat ligjore, përderisa unë s'jam fatmirësisht as drejtor tatimesh, as nëpunës përmbarimi. Por mendoj, nëse mund të kemi pak shtytje sot për t'u marrë me mbrojtjen e Akademisë Marubi, kjo mund të lidhet vetëm me një gjë të vogël: me kultivimin e kulturës së protestës në rang estetik, në rang shijeje dhe po aq në rang politik, si çdo estetikë, dhe si çdo reagim-ballafaqim me pushtetin e madh.
Dhe këtu na del fatkeqësia më e madhe e tranzicionit tonë: që ne, vendi i shqiponjave, ne ish kalaja e buzës së Adriatikut, ne vendi me 0,1 heronj për metër katror, ne, fatkeqësisht nuk jemi aspak një shoqëri. Dhe ndjesia për të qenë mirëfilli shoqëri, nuk pret mirëfilli gjë nga pushtetet, nga asnjë lloj pushteti (le më pastaj shteti). Mendoj se ajo, shoqëria, fillon kur protesta nuk ka më lidhje as me sëmbimin e zemrës, as me organizimin e ndjenjës, as të drejtuar nga Mjafti, as nga cilido organizëm që herët a vonë do të shitet në pushtet, thjesht nga fakti se është organizëm.
Edhe një herë: mendoj se konceptualizimi i çështjes mund të fillojë vetëm pasi të tejkalojmë burokracitë e pronës, të afateve, të vendimeve vkm, të të drejtave dhe detyrave. Por kulmi fillon aty ku është vërtet kulmi: te telat me gjemba. Por dhe më tej: te fakti se është aq e pamundur të mendohet te ne që disa qytetarë shqiptarë, të kenë të drejtën e vetvetishme që të shohin një kinema e filma shumë të ndryshëm nga ato që shet-e-pjerdh Millenium. Që disa qytetarë, të kenë të drejtën të mendojnë dhe të jetojnë më ndryshe nga kryetari i bashkisë, apo nga fotokopjet njerëzore të çdo lloj pushteti: shqiptar, hollivudian, maxhoritar, të të gjithë atyre që kanë marrë me dhunë dhe parà të drejtën e prepotencës dhe dominimin e imazhit.
Të themi shkarazi, për historik, që dikur në Paris, kur ministri i kulturës André Malraux (po, pikërisht i shkreti Malraux!) vendosi të mbyllte një kinematekë, kjo masë idiote u bë shkas për të shpërthyer gjithë revolucionin e vitit 68. Kineastë si Godard e Truffaut madje arritën të ndërpresin festivalin e Kanës si reagim e protestë.
Por unë nuk shpresoj shumë në shkallëzime të tilla në Tiranën tonë tashmë as heroike, sa-për-të-thënë socialiste, edhe të kuqe por edhe blu... Jo, ndoshta ama do të ketë një reagim që vjen nga disa qytetarë, studentë e të tjerë, që nuk iu rruhet fare për rinumërimin e votave nga kqz, apo ojq, apo kshh, apo ku di unë, por se ata protestojnë, ne, protestojmë, që të kemi aq të drejtë sa të ndjekim një shije të caktuar, atë që "ikonat" tona të pushtetit ose s'e kanë për réféné, ose e kanë abandonuar.
Shkurt, mbase do arrijmë në një revolucion të vockël fare, por sa për të bërë me dije shoqërinë joekzistente shqiptare, që ekzistojnë edhe disa frymorë të tjerë shqiptarë, që thjesht nuk duan t'i binden asnjë pushteti, jo vetëm të Berishës apo të Edi Ramës, se kjo është kollaj, por asnjë pushteti që dikton preferencën e që lufton, me ndërgjegje ose jo, çdo formë, çdo modul të rezistencës mendore. Tek e fundit, jeta vetëm me një punë të mirë dhe me një dalje te Mumja apo te Llollipop, nuk është kusht i nevojshëm për çdo banor të republikës sonë ish socialiste, jopopullore, aspak demokratike të Shqiprisë.
Pse ky zinxhir? Pikërisht kjo nga droja, nga mangësia e madhe e kontestimit intelektual e konceptual ndër ne.
Ajo mungesë e madhe e pozicionimit kundër pushtetit shtetëror. Fare rastësisht, në një takim, kineasti dhe gazetari francez Laurent Jarrige më nxiti kureshtjen kur më tha se Ismail Kadare do të kishte bërë një hap të madh në kulturën e alternativës në Shqipëri sikur ta kishte refuzuar çmimin që mori së fundi nga Ministria e Kulturës këtë vit. Ai madje shtoi se tek e fundit Kadare s'ka kontestuar asnjëherë diçka mirëfilli, gjithë duke qenë faktor i madh publik në Shqipëri.
E gjitha kjo bisedë erdhi pikërisht sajë përfoljes së madhe që ekziston lidhur me "ndershmërinë" e ministrisë në fjalë sot.
Është e kotë, ndoshta, të pikëllohemi për rrethimin e dhunën ndaj akademisë Marubi në këto ditë. Logjika më e ndershme e trishtimit e do që tek e fundit ne në Shqipëri nuk duam, apo ndoshta s'kemi hiç nevojë mbase për kinema me cilësi (dhe filmat e Kujtim Çashkut nuk është se kanë dhe aq cilësi).
Ndoshta do të duhet që t'i heqim qafe edhe shtëpitë botuese, të gjitha, sidomos ato që duan dhe kërkojnë të botojnë libra jo-komercialë. Edhe radiot, apo emisionet e kujtesës e të debatit.
Mbase tek e fundit kjo Shqipëria jonë hibride e viteve të fundit ka nevojë vetëm për televizione, sidomos ato si Top Channel, televizioni më zaptues, më me stereotipe në Tiranë; ndoshta ne shqiptarëve na u dashka vetëm lufta e përgjithësuar e stresit me anë të telenovelave dhe zëvendësimi bojërozë që Fiks Fare i bën strukturave të vetë shtetit, duke eleminuar çdo formë tjetër kritike sociale, duke eleminuar çdo lloj ekrani tjetër mendor social.
Por një gjë duhet të mbetet e sigurt, një gjë ka për të qenë e sigurt: që njerëzit në Shqipëri përherë dijnë vetiu më shumë dhe më mirë sesa intelektualët e sesa gazetarët. Veçse çdo natë, në çdo trasmetim valor, atyre iu ofrohet me forcë e kundërta, iu jepet dhuna e injorancës.
Dhe kjo është maska sublime, me të cilën çdo pushtet mban ende gjallë në Shqipëri mitin e sotëm të suksesit e të kompleksit.
Pikërisht se ne në Shqipëri jemi popull, jemi hedhës votash, jemi grykës politikë, por aspak një shoqëri.
Atëherë, si përherë, do të na mbeten vetëm dy zgjidhje, ndoshta: ose do të mësohemi të rrimë përjetësisht ngrohtë në këtë atmosferë prej republike bananesh, siç na akuzojnë, ose ndoshta do të na plasë shpirti e truri, dhe do ta na duhet mandej të mendojmë për një regjim tjetër klasor, shpirtëror, mendor e konceptual.
Kinema, hapësirë, fantazma
Fantazma e sotme në kokë të Tiranës është blloku. Pikërisht se nuk ka arritur të mbetet ish-blloku. Gjithë këto vitet e fundit blloku, me kafetë e veta, po bëhet grënësi i të gjithë energjisë rinore, aty është kampi i përqëndrimit "cool" i rinisë në Tiranë. Deri dje kjo zonë, që përmbante vetëm byroistë politikë, tani është bërë teatri i paraqitjes dhe i pjesëmarrjes së gjerë rinore.
Ky "emigrim" i të gjithë rinisë sonë drejt bllokut, ky përqëndrim i habitshëm aty: i të rinjve me lekë, i atyre pa punë, i atyre që punojnë në shtet, i të rinjve që drogohen, i të rinjëve që studiojnë, i të rinjve që vijnë nga studimet jashtë shtetit, i të rinjëve tiranas e i të rinjve të ardhur më vonë në Tiranë etj etj, ky qendërzim në lokalet kalke të njëra tjetrës, më duket diktatura më e madhe e (vet)krijuar në Shqipëri.
Një kinema si Marubi, një ambjent i tillë, ku disa nga ne mund të ndjekin kulturë e filma jashtë masivizimit trushpëlarës, të paktën ekziston si invertim i këtij qendërzimi drejt bllokut. Ne shkojmë drejt bllokut se gjithë "shoqnia" është atje, se në fakt kafenetë e periferisë në Tiranë janë vërtet të shëmtuara e ofensive.
Një ambjent i tillë si Marubi do të mundësojë që disa nga ne t'i hipim autobuzit, pa u veshur me firmato, për të parë ndonjë film të vërtetë e për të folur mbi ta.
Për një arsye te tillë mund të mbrojmë "Marubin", dhe pushteti, dashje pa dashje, këtë mundësi të riurbanizimit tiranas po sulmon. Mbasi krijoi geto me banorë hallexhinj të ardhur nga rrethet, pushtetit shqiptar, blu e rozë, nuk do as të lerë një dritare hapur për një pjesë të rinisë që thjesht do filma të mirë dhe jo pushtet.
Në një farë mënyrë, mua më vjen për mbarë që ky incident i ndodh regjisorit të "Kolonelit bunker". Mbase këtej e tutje ai dhe ne të gjithë do të kemi mprehtësinë të vërejmë bunkerë apo minibunkerë (funksioni është njëlloj) në çdo lloj pushteti.
Por prapë mbetet më kryesorja: pushteti- ashtu si familjet në përgjithësi- e ka për hise të shumohet. Nëse ky ministër i sotëm psikozoanalitik ikën, me siguri një tjetër do mbijë për ta zëvendësuar.
Ky shkrim vjen, natyrisht, brenda disfatës së pritshme: qeveria do i lerë Çashkut atë godinë që ka, dhe një ndërtesë do t'i ngrihet asaj mbi kokë, t'i tregojë me ngërç ekzistencën e vet me rrënjët thellë te shteti (sikundër dikur pretendonim që i kishim rrënjët te populli).
Megjithatë një gjë duket si një fantazmë në këtë dritëhije mediatike shqiptare: Lufta mendore ka filluar tashmë, subjekte shqiptare që nuk janë as ish enveristë, por as mish për top i partive të sotme, kanë filluar të ekzistojnë. Një vrimë që arrin të hapet në realitet zor s'e mbyllet më.