Shumë vizitorë, asnjë përshtypje
Ekspozita e antikomunizmit që Ministria e Kulturës e ndërtoi në më pak se një muaj, që nuk lejoi ta shihte kush deri ditën e 20 shkurtit dhe tani asnjeri nuk ka interes të dijë cili ishte efekti tek njerëzit. S'ka të dhëna të sakta për vizitueshmërinë
Kur më 20 shkurt u hap ekspozita "Nderim viktimave të sistemit komunist", holli i në Muzeun Historik Kombëtar priti ndoshta numrin me të lartë të vizitorëve që kanë marrë pjesë ndonjëherë në një ekspozitë arti apo dokumentare. Njerëzit lëviznin në formë rrethore por në të dyja kahet. Punonjëset e muzeut që mbikëqyrin ekspozitën, do të thoshin më pas se, një interesim i tillë vazhdoi në ditët në vijim.
Gratë nuk japin shifra as në bazë të biletave të shituara - hyrja është e lirë - dhe as të ndonjë formë tjetër të numërimit të vizitorëve, por ato thonë se afërsisht, numri i atyre që kanë hyrë në muze posaçërisht për ekspozitën e antikomunizmit është 500 vizitorë në ditë. Shifër kjo paksa e paimagjinueshme për një institucion si Muzeu Kombëtar, apo për cilindo muze të Shqipërisë.
Punonjëset thonë se kjo e dhënë është nxjerrë nga vëzhgimi me sy të lirë.
Vizitueshmëria nuk është me ritme të njëjta përgjatë gjithë javës, po sipas punonjseve numri më i madh i vizitorëve është gjatë fundjavës, kur njerëzit kanë më shumë kohë të lirë. Ditën kur ekspozita u vizitua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, numri i vizitorëve pësoi sërish ngritje.
Për sa i përket grupmoshave të interesuara për temën e krimeve të diktaturës përfshirë në një rrafsh kohor ndërmjet viteve 1944-'91, të dhënat po me "sy të lirë" thonë se nuk mund të bësh shumë dallim, dhe se interesi ka qenë i njëllojtë si nga të rinjtë, nga mosha e mesme dhe të moshuar.
Disa nga kurioziteti, disa për të rikujtuar se ç'ndodhte me shqiptarët deri para viteve nëntëdhjetë dhe disa të tjerë të detyruar nga mësuesit.
Shifrën e vizitorëve e ngre paksa numri i nxënësve të shkollave të mesme që në kuadër të programit mësimor mbi historinë e Shqipërisë vizitojnë muzeun dhe në rastin konkret vetë mësuesit dhe nxënësit duhet të përballen me historinë jo didaktike, atë pjesë të historisë së Shqipërisë të shekullit të njëzetë që nuk gjendet në tekstet shkollore.
Foto të qelive, burgjeve, kampeve të punës në Spaç, Burrel, Ballsh, Tiranë..., të atyre mijërave që kalonin në torturën psikologjike të hetuesisë, të atyre që u dënuan me gjyqe popullore, në gjyqe ushtarake, imazhe filmike nga dënimi i inteligjencës, i klerit mysliman, bektashi, katolik e ortodoks; një tel me gjemba, ekrane që përcjellin dënimet kapitale, duartrokitjet dhe delirin në kongrese, turmat të përfshirë në shkatërrimin e objekteve të kultitit dhe në gjyqet e hapura.
Të gjitha këto nuk të lënë pa ngarkesë emocionale.
Por as Ministria që e ka organizuar ekspozitën e as vetë Muzeu nuk kanë gjetur ndonjë formë për të ditur se sa u ka interesuar njerëzve ajo që paraqitet tek "Nderim viktimave të sistemit komunist".
Do ishte mirë që të dihen përshtypjet apo ndjesitë që la tek qytetarët: sa prej tyre vinin ta shihnin ekspozitën nga kurioziteti; sa të tjerë për të parë emrat apo edhe fotografitë e të afërmve të tyre; sa kishin ndjerë neveri nga një paraqitje e tillë; sa mendonin se kjo ekspozitë është vërtetë një homazh ndaj njerëzve që u vranë gjatë atij regjimi; sa kishin dijeni për këtë faqe të historisë nën regjim; cilat ishin imazhet më goditëse etj, etj, etj.
Por si çdo ngjarje tjetër që nis si kërkesë e politikës, zhurma më e madhe bëhet tre ditët e para dhe më pas pllakos heshtja. Askush nuk kujtohet më. Edhe me këtë ekspozitë ndodhi e njëjta gjë. U ndërtua në më pak se një muaj, nuk u lejua ta shihte kush deri ditën e 20 shkurtit dhe tani nuk shfaqet as interesi më i vogël për të reflektuar për efektin që pati tek njerëzit gjithë kjo, e ndërtuar nën kujdesin e veçantë të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Artistët kosovarë sot në TOB
Muaji i kulturës Shqipëri-Kosovë sjell në Tiranë artistët e rinj kosovarë. Në Teatrin e Operës dhe të Baletit sot në orën 19:00 interpretojnë Adhurim Grezda (bariton), Blendi Bozdani (klarinetë), Elona Braho (flaut), Festa Fevzati (piano), Njomëza Kastrati (piano) dhe Pëllumb Vula (klarinetë). Mbrëmja koncertore "Talentet e Kosovës në Tiranë" prezantohet nga muzikologia Albulena Nuredini. Artistët shoqërohen në piano nga Genta Hoxha dhe Festa Nevzati.
Studentët e dramës paraqesin "Metranpazh"
Studentët e vitit të katërt të dramës në fakultetin e Artit Skenik në Akademinë e Arteve vënë në skenë tragjikomedinë "Metranpazh" të dramaturgut Alexander Vampilov. Shfaqja do të jetë sot edhe nesër në orën 19:00 në sallën "Black Box" të AA. Studentë e kanë përgatitur këtë vepër nën kujdesin e pedagogëve Mario Ashiku dhe Altin Basha. Skenografia është realizuar nga Lirim Lila, ndërsa grimi nga Linda Guri.