Lezhë, 4 plumba në gjoks emigrantit nga Kamza
Osman Berberi ishte zhdukur më 21 shkurt. Trupi pa jetë u zbulua mëngjesin e djeshëm në këmbët e urës së Zogut
LEZHË- Një 30-vjeçar nga Kamza, i cili kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Greqia është gjendur i vdekur paraditen e djeshme në hyrje të qytetit të Milotit. Viktima është Osman Berberi, i cili ishte zhdukur nga shtëpia një javë më parë. Ai ishte parë për herë të fundit nga familjarët më 21 shkurt ndërsa dje është gjendur në këmbët e urës së Zogut me katër plumba në trup. Policia ende nuk ka asnjë pistë konkrete për ngjarjen ndërsa familjarët thonë që ai nuk kishte pasur asnjë konflikt. Kjo ka mbështjellë këtë çështje edhe më shumë me një hije misteri teksa policia po heton mbi jetën e mëparshme të Berberit në Greqi.
Kufoma
Trupi i përkiste një të riu rreth të 30-ave është gjetur i vrarë me katër plumba nën këmbët e urës së Zogut nga kalimtarët e rastit. Ata kanë pikasur kufomën dhe kanë njoftuar policinë, e cila ka shkuar pak minuta më pas në vendin e ngjarjes. Hetuesit pohuan se vendi ku u gjet viktima nuk kishte ujë. Trupi ishte me fytyrë nga toka dhe kur policët e kanë kthyer kanë zbuluar se kishte katër plagë plumbi në gjoks. Duke iu referuar veshjes së tij dhe ekspertizës së kufomës, policia ka dalë në përfundimin se i riu është vrarë më parë në një vend tjetër dhe më pas është hedhur poshtë këmbëve të urës së vjetër të qytetin e Milotit për të humbur gjurmë. Ekspertët e policisë pohuan se vrasja ka ndodhur ditët e fundit dhe se mbi trupin e viktimës janë gjetur shenja dhune. Në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për të vërtetuar nëse viktima është sjellë aty me ndonjë mjet apo është hedhur nga ura. Vendi ku u gjet kufoma është një zonë shumë e rrahur nga këmbësorët pasi përdoret për nxjerrjen e inerteve.
Hetimet
Kufoma është identifikuar vetëm në orët e drekës. Të dhënat e shpërndara nga policia e Lezhës përkonin me ato të një personi të humbur që më datë 21 shkurt në kryeqytet. Familjarët janë thërritur për verifikim dhe kanë pohuar se bëhet fjalë për njeriun e tyre, Osman Berberi, 30 vjeç. Pas kësaj familjarët pohuan në polici se viktima kishte një javë që kishte ardhur nga Greqia. Për momentin ai nuk po merrej me asnjë punë. Sipas dëshmitarëve, Osmani ishte parë për herë të fundit më 21 shkurt kur kishte dalë nga banesa për të mos u kthyer më. Një ditë më pas është bërë denoncimi në polici. Osman Berberi ishte i martuar dhe ka një fëmijë.