E Diel, 1 Nëntor 2026

Të vdekurit nuk kafshojnë

Tingujt e politikës botërore dëgjohen pikërisht në kohëra të vendimeve të mëdha ndërsa melodia që po shfaqet kohëve të fundit në KS të OKB –së sikur jep shenja të një paqeje për disa popuj që pranojnë të dëgjojnë këtë melodi dhe për disa të tjerë që ngurrojnë ta dëgjojnë zërinë e këtij realiteti të ri të krijuar nga rrethana historike të ndryshme .

Të gjithë e dimë se fatit s’i shmangesh dot dhe këtë po e përjetojmë edhe ne si popull që dëshiron paqen , lirinë dhe e pavarësinë. Në këto rrethana fati i Ballkanit dhe Europës respektivisht botës demokratike po shoqërohet me rrethana dhe mënyra të ndryshme të përvojave historike por që ka si synim një vend të përbashkët dhe një sistem vlerash të bashkuara në kultura të ndryshme. Këtë fat po e përjeton edhe Ballkani i cili gjatë shumë shekujve kishte fat të zi pa parë fatbardhësinë e demokracisë dhe sistemin e velerave reale dhe me prespektiv për të ardhme të përbashkët në një botë të përbashkët. Të gjithë e dimë dhe kemi një përvojë të hidhur se bota me ndikime të mëdha historike nuk është treguar e drejtë në të gjitha rastet e zgjidhjes së problemeve të saj , sic ishte rasti para 100 viteve në Ballkan me ndryshimin e kufijve dhe me hapjen e plagëve ballkanike , por dihet se këto ndodhën në rrethana të atilla sa që fajtorë nuk ishte vetëm evropa e bota por edhe shqiptarët si dhe popujt e tjerë mbanin fajin e tyre sepse etja ishte e madhe për terrritore të huaja.

Mirëpo pas kësaj si duket bota po tregohet paksa më e kujdesshme dhe shumë e matur me Ballkanin dhe popujt e saj e sidomos ato autokton .Kështu që mund të thuhet e ç’të mirë ka këtu që bota po tregohet e drejtë vetëm një herë në 100 vjet ?. Kjo mund të shpjegohet shumë lehtë; bota po tregohet e drejtë pas këtyre viteve sepse mësoi shumë nga luftrat se sa të dëmshme janë ato dhe ç’rrezik paraqesin ato plagë të pambyllura dhe cdo vend pa status është sikur fëmija pa emër dhe cdo vend pa sovranitet është sikur të shëtitësh në varreza të pashënuara ku kushdo mund të shkel sepse nuk ka shenja të një identiteti dhe kulture dhe kështu në kët mënyrë i kanosej botës rreziku nga një botë pa shenja dhe identitete të qarta.

Nga kjo mund të thuhet se proceset e reja që po ndodhin në Ballkanin e trazuar dhe realiteti i ri që po mbisundon në ambinetin e ri politik të Ballkanit është një shenjë e mirë se bota demokratike tani ka arritur ta kap drejt këtë problem duke e orientuar këtë hapësirë në hapësirën e rrjedhave historike të demokracive botërore respektivisht kulturës europerëndimore. Kështu Ballkani e vecanërisht Kosova tani më po bëhen një projekti i suksesshëm që faktori ndërkombëtar do të realizoj në respekt të zbatimit të së drejtës së popujve për vetëvendosje dhe për përfshirjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave si aspekte themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe tipar dallues të rendit të ri botëror mbas Luftës së Ftohtë.

Prandaj pa marr parasysh zërat e ndryshëm në këtë kohë të fundit , Kosova nuk mund të rrezikohet më nga politikat e vjetra si ato të Serbisë , Rusisë dhe të shteteve që hezitojnë ta pranojnë këtë realitet të ri si dhe këtë projekt të madhë ballkanik e eurpoian. Kështu që loja e fundit e Rusisë që do përdorë veton në KS të OKB –së , nuk është asgjë tjetër vecse të thuash se të vdekurit nuk kafshojnë. Ajo është orvatje e dështuar për të fituar kohë , për të rrahur xhoksin e komunizmit dhe për të treguar se Rusia nuk është më ajo e Rambujes kokëulur , sepse ajo tani ka shlyer disa borxhe dhe thithë rrethë 600 milion dollar në ditë nga gazi dhe nafta. Megjithë këtë, Kosova po ecën në drejtim të duhur edhe pse ka shumë vështirësi deri te miratimi i rezolutës , votimi i saj dhe njohja e shtetit të ri të Kosovës , por demokracia botërore është më e fortë se komunizmi i vdekur që nuk kafshonë.Dhe në fund në këtë kohë kur pritet të shpallet Kosova shtet i ri ballkanik dhe me synime europiane janë të rëndësishme disa faktorë kyq dhe shumë të rëndësishëm që Kosova të ecën në rrugën e duhurë të paqes dhe forcimit të demokracisë ,stabilitetit politik e ekonomik si dhe të hapjes së kufijve. Si faktorë të rëndësishëm mund të jenë avancimi i përshpejtuar në përgatitjen e kapaciteteve njerëzorë, konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve shtetërore demokratike, konsolidimi i rendit dhe ligjit, normalizimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve ndëretnike, zhvillimi i ekonomisë dhe kulturës, bashkëpunimi fqinjësor, rajonal dhe integrimi euroatlantik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›