Banda e Lushnjës, 6 dëshmitarë rrëfejnë vrasjen e Nimet Zenelit
Tiranë - Procesi ndaj bandës së Lushnjës vijoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda me dëshmitë e 6 dëshmitarëve të Akuzës. Dëshmitarët përgjithësisht folën për momentet e pas ngjarjes së ndodhur më 13 shkurt 1998 në Kolonjë të Lushnjës, kur si pasojë e një sulmi me armë zjarri, u vra shtetasi Nimet Zeneli. "Pashë një grumbull njerëzish, nga të cilët mësova se ishte vrarë një person", - tha para trupës gjyqësore dëshmitari M. Gremi, duke iu referuar momenteve pas atentatit ndaj Nimet Zenelit. Dëshmitarët e thirrur nga Gjykata e Krimeve të Rënda janë banorë të Kolonjës në Lushnjë, të cilët ditën kur u vra Nimet Zeneli, ndodheshin pranë vendit të ngjarjes. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se vrasja e Nimet Zenelit 11 vjet më parë në Lushnjë, ka për autorë të pandehurit e ish-bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare. Me cilësinë e të pandehurit në këtë proces, janë shtetasit: Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stregu, Agur Musaku dhe Erion Cici, të cilët akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe vrasje të ndodhura vite më parë në Lushnjë. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Aldo Bare, i cili po ashtu është në proces gjykimi në këtë Gjykatë, por në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi. Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tre vitet e fundit nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Krimet e Rënda: Burg për jetë për vrasjen e dy policëve të Krujës
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me burg të përjetshëm dy nga tre të akuzuarit për vrasjen me armë zjarri të punonjësve të policisë, Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1999 në Krujë. Gjatë dhënies së vendimit, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor dhe dënoi me burg për jetë të pandehurit Sokol Halilaj dhe Dritan Rexhepi, ndërsa, i pandehuri tjetër i procesit, Shefqet Seferi, u dënua me 20 vjet burg, si bashkëpunëtor në këto vrasje. Tre personat e lartpërmendur akuzohen se janë autorë të vrasjeve të punonjësve të policisë së Krujës, Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1999 në këtë rreth. Në këto atentate rastësisht mbeti i vrarë edhe shtetasi Raim Bakiasi, nga Kruja. Të njëjtat masa dënimi për të akuzuarit ishin kërkuar një seancë më parë gjyqësore nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila për disa muaj hetoi çështjen penale ndaj tyre.
Vrasja për gjakmarrje e 15-vjeçarit dhe plagosja e 2 femrave, zbulohet autori
Shkodër – Autorësia e një krimi të tmerrshëm që ka ndodhur 11 vjet më parë është zbuluar nga policia vetëm dje. Burime policore thanë për gazetën se autor i dyshuar i krimit është një 41-vjeçar, i cili përballet me akuzat e “vrasjes në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”. Për shkak se i dyshuari nuk është vënë ende në pranga, nuk publikohet identiteti i plotë. Sektori i Luftës Kundër Krimeve të Rënda konfirmoi dje se A. Nike, 41 vjeç, lindur e banues në fshatin Grudë, Komuna Rrethina në Shkodër, është i vetmi i dyshuar për masakrën. Bëhet fjalë për ngjarjen e 17 janarit 1998 në lagjen “Tom Kola” të qytetit verior. Atë ditë, nën motive gjakmarrjeje, A. Nike, që në atë kohë ishte 30-vjeçar, nuk kurseu plumbat ndaj një fëmije vetëm 15-vjeçar dhe dy femrave. Për pasojë, mbeti i vrarë Ergys Kopshtari, kurse u plagosën rëndë edhe Marina K. dhe Mervete M. Për 11 vjet me radhë ky krim ishte listuar si ngjarje e pazbardhur. Pak kohë më parë, si rezultat i veprimeve të kryera nga ana e Antikrimit, Prokuroria e Rrethit vendosi rifillimin e hetimeve për këtë dosje të pezulluar dhe më 13 shkurt të këtij viti, Gjykata e Rrethit Shkodër ka vendosur në mungesë ndaj A. Nike, masën e sigurisë “arrest me burg”.
Kapshticë, policia zbulon 10 kg heroinë në makinën e emigrantit shqiptar
Korçë - Sekuestrohen 10.5 kg heroinë në pikën kufitare të Kapshticës. Droga është zbuluar mëngjesin e djeshëm, kur policia deklaroi se në makinën me targa greke, pronë e 23-vjeçarit Artur Hasalla, ishin gjetur 3 kg lëndë narkotike e tipit heroinë e pastër, ndërkohë pak më pas është bërë e ditur se në mjetin e drejtuar nga Hasalla, janë gjetur 10.5 kg. Uniformat blu kanë nisur menjëherë hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorët e rrjetit që transportonte drogën drejt Greqisë. Droga ishte fshehur në një nga gomat rezervë të një automjeti me targa greke. Policia Kufitare e Kapshticës ka vënë në pranga një person, ndërsa mësohet se janë në kërkim dhe të tjerë persona, pjesë e këtij rrjeti narkotrafikantësh. Droga është zbuluar mëngjesin e djeshëm, kur policia deklaroi se në makinën me targa greke, pronë e 23-vjeçarit Artur Hasalla, ishin gjetur sasi të konsiderueshme heroine e pastër. Policia ka nisur menjëherë hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorët e rrjetit që transportonte drogën drejt Greqisë.
21 Shkurt 2009