"Të vegjlit" e djathtë: Mbështesim protestën e PS
Të djathtët që në zgjedhjet e 28 qershorit ngelën jashtë Kuvendit mbështesin pa rezerva bojkotin e Kuvendit nga Partia Socialiste. Pas një mbledhjeje të përbashkët mes 4 kryetarëve të forcave të djathta, si kreu i PLD, Spartak Ngjela, ai i LZHK-së, Dashamir Shehi, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, dhe i PBD, Ylber Valteri, është rënë dakord të mbështetet moralisht edhe protesta e opozitës, pavarësisht se ata do të mungojnë në protestë ditën e shtunë. Ata kërkuan hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave në qarqet e kontestuara, si një e drejtë legjitime e qytetarëve shqiptarë dhe si një kusht për të mbyllur kapitullin e errët të manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Përfaqësuesit e katër partive hodhën idenë e rigrupimit të partive opozitare të qendrës së djathtë në një organizëm të përbashkët politik. Përfaqësuesit e katër partive politike të djathta dhe të qendrës së djathtë, analizuan situatën politike të krijuar në vend pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Zgjedhjet nga ky grupim u cilësuan të deformuara. Ata hodhën idenë e rigrupimit të partive opozitare të qendrës së djathtë në një organizëm të përbashkët politik. Ata vlerësuan domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave jetike për vendin dhe në veçanti theksuan domosdoshmërinë e rishikimit dhe reformimit të Kodit Zgjedhor. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për dialog politik dhe bashkëpunim me të gjithë faktorin politik në vend që është i angazhuar për hartimin e një ligji të ri zgjedhor që garanton zgjedhje të drejta dhe të lira. Përfaqësuesit e katër partive politike vlerësuan se në zgjedhjet e 28 qershorit u goditën rëndë standardet demokratike dhe pluralizmi politik, liritë politike të qytetarëve dhe perspektiva europiane e Shqipërisë. Ata mbështesin ankesat që LZHK u ka bërë institucioneve kushtetuese për ndëshkimin e shkelësve të ligjit, dhe njëkohësisht inkurajojnë këto institucione për zbatimin e ligjit me qëllim kthimin e besimit të qytetarëve te pavarësia e gjyqësorit.
E.A.
E.A.