E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo e Gjinushi: Në shesh për të mbrojtur lirinë

Aleatët e Partisë Socialiste, PSD-ja e drejtuar nga Skënder Gjinushi dhe PDS-ja e Paskal Milos deklaruan dje se mbështesin protestën e ditës së shtunë. Ata garantuan se do të jenë së bashku me drejtuesit e socialistëve në shesh për të ushtruar trysni për të njëjtat kërkesa. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi dje se kërkesa e PS-së për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit është e drejtë ndaj dhe protesta duhet të mbështetet. Gjinushi ju bëri thirrje qytetarëve të dalin në shesh për të protestuar kundër vjedhjes së votave. Duke iu rikthyer deklaratave më të hershme kundër marrëveshjes Berisha-Meta, kryetari i PSD-së, Gjinushi, u shpreh se kjo aleancë bazohet në mashtrimin popullor.

"PSD-ja përkrah protestën popullore që do zhvillohet të shtunën, duke bërë thirrje që të gjithë të shkojnë në protestë për votën e lirë, për transparencën, për hapjen e kutisë së votimit dhe për nxjerrjen e së vërtetës mbi zgjedhjet e 28 qershorit", theksoi Gjinushi. Sipas tij, pazari Meta-Berisha mbështetet vetëm në mashtrimin popullor, mbi votën e manipuluar dhe nuk mbështetet mbi votën e lirë të qytetarëve, votë e lirë e cila do lexohet përfundimisht dhe tërësisht qartë vetëm pas hapjes së kutive të votimit. "Pro" protestës është shprehur edhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo. Ashtu si Gjinushi dhe drejtuesit e PS-së edhe kryetari i PDS-së, Milo, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e së shtunës dhe të kërkojnë me forcë hapjen e kutive të votimit. Lidhur me deklaratën e KQZ për asgjësimin e fletëve të votimit PDS vlerëson se vendimi për djegien e tyre është një përpjekje për të zhdukur provat materiale të manipulimeve. Sipas PDS, KQZ po tenton të fshehë provat e krimit elektoral të 28 qershorit. Opozita prej disa muajsh akuzon mazhorancën se ka kryer një maskaradë me zgjedhjet e 28 qershorit ndaj për ta demaskuar këtë duhet të pranojë hapjen e kutive të votimit.

E.Gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›