E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të vendosur të luftojmë krimin - forca e ligjit do të godasë këdo që cenon sigurinë publike”

15-09-2012 / Gazeta 55

Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në një deklaratë për shtyp të premten lidhur me vrasjen e Kryekomisar Adem Tahirajt, shef i komisariatit të policisë së Shijakut, konfirmoi arrestimin e njërit prej autorëve të dyshuar të këtij krimi të rëndë, Ilir Xhakja. Burgaj tha se, strukturat e Policisë së Shtetit aktualisht vazhdojnë punën për kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje, shtetasit Ledjan Krasnaj, të cilit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, iu gjetën rreth 60 fishekë të llojeve të ndryshme”. Burgaj bëri të ditur se materialet proceduriale në ngarkim të këtyre dy shtetasve i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë.
Ai konfirmoi edhe njëherë se, “Policia e Shtetit garanton opinionin publik se të gjithë strukturat e saj janë maksimalisht të angazhuara për të siguruar rendin e qetësinë publike në të gjithë territorin e vendit dhe do të përballet me forcën e ashpër të ligjit, kushdo që do të cenojë jetën e sigurinë e qytetarëve. Njëherazi i shprehim ngushëllimet familjarëve në emër të të gjithë Policisë së Shtetit për këtë humbje të madhe, të cilëve u gjendemi pranë për të ndarë sado pak dhimbjen dhe garantojmë se Policia e Shtetit do të përballë me të gjithë forcën e shtetit ligjor, të gjithë ata që me dorën e krimit do të tentojnë të godasin strukturat e policisë”, u shpreh kreu i Policisë, Burgaj.
Ai shprehu bindjen se, “së bashku me të gjitha organet ligj-zbatuese, do të jemi të gjithë së bashku, në një hap, në luftën kundër krimit”. Sipas burimeve zyrtare nga drejtoria e policisë e qarkut të Durrësit 38-vjeçari Ilir Xhakja, autori kryesor i dyshuar i vrasjes së Kryekomisar Adem Tahirajt, u detyrua të vetëdorëzohet rreth orës 02.00 të mëngjesit të djeshëm. Xhakja ishte shpallur në kërkim që prej orës 18.00 të ditës së djeshme, pak minuta pas vrasjes me armë zjarri të shefit të komisariatit të policisë së Shijakut, Adem Tahiraj. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në një nga rrugët e fshatit Katund Sukth, 12 km larg Durrësit, kur Kryekomisari dhe vartësit e tij po kryenin kontrolle në automjete për armëmbajtje pa leje. Adem Tahiraj, 49 vjeç, me një karrierë 20 vjeçare në Policinë e Shtetit, ndërroi jetë menjëherë nga plagët e marra.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›