Të verbrit, KQZ miraton mjetin e posaçëm
TIRANË- Në zgjedhjet e 28 qershorit, edhe të verbrit do të mund të shprehin lirshëm vullnetin e tyre për forcën politike që preferojnë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë sot paradite projektvendimin që parashikon krijimin e kushteve të nevojshme që edhe kategoria e zgjedhësve me aftësi të kufizuara në shikim, të mund të votojnë pa asnjë kushtëzim në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen pas afro tri javësh. Kodi Zgjedhor parashikon detyrimin e KQZ-së për të pajisur komisionet e qendrave të votimit me mjete të posaçme votimi, të cilat lejojnë zgjedhësit që të lexojnë ose të kuptojnë fletën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të pavarur.
Si rrjedhojë, KQZ-së i ka lindur detyrimi për të pajisur me mjete të posaçme zgjedhësit e verbër mbi bazën e informacionit që duhet të vënë në dispozicion njësitë vendore për numrin e tyre. Duke qenë se ky informacion nuk disponohej nga KQZ-ja në momentin e hartimit të buxhetit dhe të planifikimit të nevojave për bazën materiale zgjedhore, ky komision ka vendosur të pajisë me nga një mjet të posaçëm secilën qendër votimi. Bëhet fjalë për blerjen e maskës, e cila është një mjet që ka formën dhe përmbajtjen e fletës së votimit, por me alfabetin e përshtatshëm për personat e verbër. KQZ-ja, në bazë të këtij projektvendimi, pritet të blejë plot 5.000 copë mjete të posaçme votimi për të verbrit.