E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, hapet drita jeshile për fletët e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje pasdite porosinë prej 3.145.748 fletësh votimi, që pritet të përdoren në zgjedhjet e ardhshme


TIRANË- Megjithëse çështja e fletës së votimit pritet të gjykohet sot nga Kolegji Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje pasdite porosinë prej 3.145.748 fletësh votimi, që priten të përdoret në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Por, akti i paraqitur për votim prej administratës ka ngjallur jo pak debate mes përfaqësuesve të dy forcave kryesore politike në KQZ, të cilët kanë shprehur qëndrime të ndryshme nëse ky komision duhet të priste apo jo vendimin e kolegjit për kërkesën e socialistëve për pezullimin e procesit të prodhimit të fletës së votimit.


Përfaqësuesi socialist në KQZ, Eridian Saliani, ka lexuar që në nisje të seancës së djeshme, para trupit të anëtarëve të KQZ-së, kërkesën e subjektit të tij politik, ku kërkoi pezullimin e përkohshëm të prodhimit të fletëve të votimit deri në përfundim të shqyrtimit të çështjes nga Kolegji Zgjedhor. "Partia Socialiste e Shqipërisë ka paraqitur pranë Kolegjit Zgjedhor ankimimin për kundërshtimin e vendimit të KQZ-së për miratimin e listave shumemërore të PAA-së. Kërkojmë këtë pezullim të përkohshëm të këtij procesi, pasi një vendim i mundshëm i kolegjit për anulimin e vendimit të marrë nga KQZ-ja për listat e PAA-së, do të sjellë përjashtimin e kësaj force nga fleta e votimit, çka do të kërkojë më pas ndryshim të fletës së votimit", - tha Saliani në kërkesën që i parashtroi KQZ-së. Kundër kësaj kërkese është shprehur përfaqësuesi demokrat, Niazi Kosovrasti, i cili ka theksuar se KQZ-ja mund të marrë një vendim të tillë për të pezulluar procesin e prodhimit të fletës, vetëm po ta kërkojë kolegji nëpërmjet një vendimi të ndërmjetëm dhe jo një subjekt politik.


Pa hyrë në këtë debat, KQZ-ja ka vendosur gjatë seancës së pasdites të miratojë numrin dhe listën e shpërndarjes së fletëve të votimit për 4.812 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë. Sipas këtij vendimi, numri i fletëve të votimit është përcaktuar mbi bazën e numrit të votuesve plus 2 për qind më shumë për çdo qendër votimit, duke parashikuar në këtë mënyrë dëmtimet e ndryshme. Ndryshe nga herët e tjera, fletët e votimit që do të përdoren më 28 qershor do të prodhohen me numrin e qendrës së votimit dhe numrin e serisë që nga fabrika, duke bërë të pamundur që fleta e votimit të një qendre votimi të përdoret në një qendër tjetër.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›