Bakaj: Dinamo është rikthyer, rivalët të ruhen
Sulmuesi i talentuar i bluve të kryeqytetit dhe kombëtares kuqezi analizon efektin “Daja” në ekip dhe siguron se për momentin është i fokusuar vetëm te kampionët, ndonëse shpreson në një transferim të mundshëm jashtë vendit
Dinamo është rikthyer dhe sinjalin e dha qartazi në Elbasan! Të paktën i këtij mendimi është Elis Bakaj, sulmuesi i formacionit blu dhe element i kombëtares së Kuzhes. 23-vjeçari ka qenë protagonist absolut në përballjen e mesjavës, ku Dinamo kaloi me lojë dhe rezultat Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta” dhe Bakaj, me 2 nga 3 golat e shënuar nga ekipi i tij, ishte padyshim lojtari më i mirë në fushën e lojës. Megjithatë, Elisi kërkon t’i ndajë meritat me ekipin dhe trajnerin e ri, që, sipas tij, ka rritur ndjeshëm motivimin e grupit të lojtarëve dhe do të arrijë t’i marrë maksimumin nga njëra-ndeshje në tjetrën.
Elis, ishit protagonisti i ndeshjes kundër Elbasanit. Dy gola dhe një lojë e tëra në rritje.
Nuk ishte vetëm loja ime, por e krejt skuadrës. Natyrisht që jam shumë i kënaqur me dy golat e shënuar dhe ndiej se do të shënoj akoma shumë të tjerë. Personalisht jam në formë mjaft të mirë sportive, por jam i lumtur të them se edhe grupi i lojtarëve është gjithashtu në formë.
Besoni se kjo vjen nga efekti i ndërrimit të trajnerit, pasi Daja mund të ketë sjellë një tjetër frymë në ekip?
Jo vetëm kaq. Me Dajën kemi gjetur atë që na ka munguar në pjesën e parë të sezonit. Unë nuk dua të bëj rolin e atij që shprehet keq, sidomos tani që trajneri argjentinas Blanko ka ikur, por me Ilir Dajën Dinamo ka gjetur oksigjenin e duhur për të ecur përpara me ritëm të lartë.
Konkretisht, çfarë ka më shumë Dinamo e Dajës sesa ajo e Blankos?
Në radhë të parë unitetin. Skuadra ndihet shumë më mirë tani që kemi Dajën si trajner. Plus që kemi më shumë besim te forcat tona. Skuadra pak ka ndryshuar nga ajo e pjesës së parë të kampionatit dhe ne e treguam që në ndeshjen e parë sesa të fortë jemi.
Duket sikur kërkoni të paralajmëroni rivalët tuaj.
Nuk është nevoja që ta them unë me fjalë. Të gjithë e dinë mirë se Dinamo është ekipi më i fortë në Shqipëri dhe se është në gjendje ta përmbysë në favor të vet të gjithë diferencën që ka me vendin e parë. Flamurtari dhe Skënderbeu janë ekipe të mira vërtet, të përforcuara me elementë cilësorë, por ne kemi diçka që ata nuk e kanë: vazhdimësinë.
Çfarë i nevojitet Dinamos që të arrijë objektivin kryesor, titullin kampion?
Punë, shumë punë. Kemi 9 pikë diferencë me Flamurtarin dhe natyrisht që duhet një përpjekje kolosale për ta kthyer situatën në favorin tonë. Por ne jemi Dinamo, “nëndetësja”, dhe do dimë t’ia dalim mbanë.
Ndeshja e radhës për Dinamon është derbi me Tiranën. Mund të themi nëse kjo ndeshje do të jetë prova e vërtetë e forcës së Dinamos?
Tashmë dihet formula e derbit, ndeshje që i pranon të tre rezultatet. Por jo në rastin tonë. Tirana është përforcuar mjaft në këtë merkato dhe do të ketë uri për fitore, por Dinamo është kampionia në fuqi dhe do ta tregojë këtë gjë në fushën e lojës. Ne do të kërkojmë ta mposhtim Tiranën edhe për tifozët tanë të mrekullueshëm, por edhe sepse kjo fitore do të na jepte moralin e duhur për të synuar mbërthimin e kreut.
Ofertat? Ende nuk kam vendosur asgjë
Emri i Elis Bakajt është lakuar shumë gjatë këtyre ditëve në lidhje me një transferim të mundshëm në kampionatin turk dhe më konkretisht te skuadra e Sivasporit, por vetë lojtari ka dashur të ulë disi vrullin që ka marrë në opinionin sportiv ky lajm. Natyrisht që për të një aventurë jashtë Shqipërisë do të ishte e mirëpritur, por lojtari nuk dëshiron të nxitohet. “Janë disa oferta dhe ende nuk kam asgjë të përfunduar. Janë disa ekipe që interesohen për shërbimet e mia, por pa marrë tratativa një rrugë konkrete, nuk mund të them asgjë. Natyrisht që e mirëpres një ofertë jashtë Shqipërisë në një klub serioz, pasi kjo do të më rriste shumë si lojtar,” ka deklaruar Bakaj për gazetën.
Superliga – Java 18
Flamurtari-Shkumbini 13:00
Teuta-Vllaznia 13:00
Besa-Elbasani 13:00
Dinamo-Tirana 13:00
Skënderbeu-Bylis 13:00
Laçi-Kastrioti 13:00
Renditja
Skuadra N F B H Gol P
1) Flamurtari 17 12 1 4 27-13 37
2) Skënderbeu 16 10 1 5 26-17 31
3) Vllaznia 17 9 4 4 18-15 31
4) Dinamo 17 8 4 5 27-21 28
5) Tirana 16 7 5 4 25-16 26
6) Laçi 17 7 3 7 20-20 24
7) Teuta 16 6 3 7 18-16 21
8) Shkumbini 16 6 2 8 20-23 20
9) Kastrioti 17 5 5 7 19-25 20
10) Besa 17 3 6 8 13-23 15
11) Bylis 17 4 3 10 20-31 15
12) Elbasani 17 3 3 11 18-31 9