E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadojnë pasaportat e vjetra, udhëtimi vetëm me biometrike

Ferdinand Poni: Emigrantët mund të kthehen nga jashtë me të vjetrat.

Pasaportat e vjetra, të lëshuara me afat 10-vjeçar për qytetarët e Shqipërisë, nuk janë më të vlefshme si dokument udhëtimi apo identifikimi që prej ditës së djeshme. Çdo shtetas shqiptar që ka ende në përdorim vetëm pasaportën e vjetër, nuk mundet të udhëtojë jashtë Shqipërisë pasi dokumenti i vjetër nuk është më i vlefshëm. Dokumenti i vjetër do të lejohet vetëm në ato raste kur shtetasit shqiptar që ndodhen jashtë kufijve të vendit kërkojnë të kthehen në Shqipëri. Por, pasi të hyjnë në kufi, nuk do të lejohen më të dalin jashtë shtetit pa qenë të pajisur me pasaportën biometrike. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme thanë dje se nuk merret më parasysh data e përfundimit të afatit të përdorimit që shënohet në pasaportën e vjetër. Të gjithë shtetasit shqiptarë që janë të pajisur me pasaporta jo biometrike, nuk mund t’i përdorin më ato, pavarësisht datës së skadencës që shënohet në dokument. “Qytetarët shqiptarë mund të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, por nuk mund të dalin. Të gjitha pasaportat janë bërë të pavlefshme. Ky urdhër i ka shkuar Policisë së Shtetit, më saktë, është konceptuar dhe është ngarkuar për gjithë këtë kontroll. Pika 9 dhe 10 e këtij urdhri ngarkon Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij për nxjerrjen e pavlefshëm të sistemit të pasaportave të vjetra, lejimin e qytetarëve për të hyrë dhe njoftimin e qytetarëve në momentin që hyjnë se nuk mund të dalin dot me pasaportat e vjetra”, deklaroi dje në media zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Këshilli i Ministrave vendosi pak muaj më parë që pasaportat biometrike do të jenë të vlefshme si dokument udhëtimi deri më datën 1 mars 2012. Në bazë të këtij vendimi, duke filluar nga dje, të gjithë shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi të udhëtojnë jashtë shtetit vetëm me pasaporta biometrike. Sipas zv.ministrit Poni, deri tani janë tërhequr nga qytetarët 2 milionë e 169 pasaporta biometrike, ndërsa kanë aplikuar 2 milionë e 217 mijë shtetas. “Në një javë mund të prodhohen normalisht në sistem rreth 15 mijë pasaporta, duke punuar 5 ditë në javë me orar normal. Ne kemi prodhuar dhe 30 mijë pasaporta në javë për shkak se e kemi dyfishuar punën, por sot nuk jemi në këto kushte. Sistemi ka katër zyra aplikimi, pranë zyrave konsullore në Athinë dhe Selanik, si dhe në Romë dhe Milano. Pra shtetasit shqiptarë mund t’i tërheqin pasaportat atje”, u shpreh Poni.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›