“Të vërtetat” e pavërteta të Edi Ramës
Qysh tani “Kurbani” i Edi Ramës po katandiset si ajo anija që po fut ujë nga të katër anët dhe është në mbytje e sipër. Po ndjek fatin e “Refleksioneve”“, të cilat u asfiksuan nga duart e të zotit. Ka mbetur vetëm një shpresë: tirazhi.
Shitja e këtij libri po nxitet me mënyrat nga më pak dinjitozet, gjer në qesharaket. Duke përfituar nga gjysmëkryetarllëku i mbetur, autori i grushtit të hekurt po bën fushata blerjeje të detyruara në anëtarësinë ende nën pushtet të tij, për blerje të detyruar, me paracaktime të numrave të ekzemplarëve që duhen blerë detyrimisht kudo që merr takim me militantët. Po na kujton shitjen me direktivë partie të “Veprave” të Enver Hoxhës. Elementë si Fosko Dinuçi nuk mungojnë. Natyrisht, edhe autori i “Refleksioneve” (ndjesë pastë), si edhe i “Kurbanit”, ka Foskot e tij!
Tani po i bën reklamë vetvetes në Kosovë. Po mundohet ta shohë Kosovën me të vërtetën tjetër. Tani ka veshur pelerinën e kombëtarizmit të tij të rremë, duke harruar ekzaltimet pezake të ditirambeve të 16 shtatorëve, me ekzaltimet e figurës së Enverit. Tani u dashka të harrohen edhe lidhjet e emisarëve të vet me gjithçka antishqiptare gjendet përqark kësaj rrokullije, - që të përdorim një fjalë të Fishtës. Këta emisarë antishqiptarë i kërkojnë me qiririn e Diogjenit Qoset, e Karla del Pontet, e Dik Martët, e majtistët ekstremistë antishqiptarë të emisioneve antikosovare të 1999-s, në tryezën televizive të Santoros.
Para se të shtjellojmë dyzimet e “të vërtetave” të Ramës, le të kujtojmë përhapjen e “Mein Kampf-it” të Hitlerit, që t’ia davarisim paksa iluzionet e shitjeve të librave të “Kurbanit” të masakrimit të të vërtetave, siç do ta shohim në këtë shkrim.
***
Qysh në vitin 1933 u shitën 1 milion kopje nga libri me titullin “Lufta ime” të Hitlerit. Gjatë të 12 viteve të regjimit u shitën më shumë se 12 milion libra të “Mein Kampf-it”. Historiani Werner Maser vëren se i nipi i Hitlerit, Peter Raubal, i kishte mundësitë që të trashëgonte të drejtën e autorit. Por Piteri dinjitoz e flijoi shumën prej disa miliona eurosh dhe s’dëshironte t’i ndynte duart me të drejtat e një libri të tillë. E flijoi këtë shumë. Domethënë, sipas leksikut të Ramës, e bëri kurban. Veçse në një domethënie pozitive. Kurse libri i Ramës është kurban i të vërtetave të vetme, jo të dyzuara. “E vërteta” e Ramës, apo e vërteta e Mit’hat Havarit? Por le të vazhdojmë me shitjen e librit të Hitlerit.
Në Vendet e Ulëta “Mein Kampf-i” është nxjerrë jashtë ligjit (1997). Është lejuar vetëm libri me shënime dhe me shpjegimet kundërshtuese, që vënë përballë së vërtetës, kundërshtimet shkencore. Në Brazil janë vetëm disa librari të pakta, që e kanë në shitje për qëmtime historike. Në të gjitha libraritë e tjera ky libër nuk gjendet në shitje. Në Austri dhe në Izrael librat janë absolutisht të ndaluara. Qendra Simon Wiesental ia arriti që t’i bllokojë shitjet në vitin 1999. Edhe në Bashkimin Sovjetik është ndaluar, me përjashtim të disa bibliotekave të veçanta, për studime historike. Ja, pra, milionat e kopjeve për të cilat trashëgimtari legjitim nuk pranoi as trashëgiminë milionëshe në euro!
***
Së paku libri i Hitlerit mund të shërbejë për disa studime historike, siç e pamë. Por atij libri nuk i mungon koherenca, siç është ajo e dy të vërtetave(!) të Edi Ramës. Nëse Ramën e rren mendja se synon të paraqesë dy të vërtetat e tij, njërën në “Refleksionet”, tjetrën në “Kurbanin” e tanishëm, ai bie në një nonsens matematik: Në atë të shumës së dy vektorëve të kundërt, shumë e cila ka si rezultante vektorin zero.
Në lajmet e fundit nga Kosova, na erdhi një lajm i shkurtër në TV nga Rama, për librin e tij që orvatet ta shesë edhe në Kosovë: - “Secili nga personazhet (e përmendur në libër) do të mund të rrëfente një të vërtetë tjetër. Jo të ndërtojmë të vërtetat e të tjerëve” – thoshte ai në ekran. Ç’do të thotë kjo? Për këtë pseudoletrar të vonuar, që na e ka bërë atë fjalën “transparencë” si shpues të timpanit të veshëve, qartësia e mendimit është ajo që i mungon më shumë. Nga ç’mund të kuptohet, paskemi tri të vërteta: E vërteta e epërme, e atij vetë; e vërteta e personazheve të “Kurbanit” dhe e vërteta e “të tjerëve”, me shumë gjasa e personave që s’përmenden në libër. Siç duket, në këtë kategori hyjnë edhe komentuesit, shqyrtuesit e veprës.
Le të ndjekim kriteret e zhveshura nga çdo modestí prej autorit të librit “Kurban”. E vërteta e Mit’hat Havarit është, pra, e kësaj kategorie. Natyrisht edhe e vërteta e Ramës (sipas tij). Atëherë: Kush, prej të dyve, e prishi parkun “Rinia”? Rama thotë se e prishi ai. Si gjithmonë, pa argumente. Havari bën pyetjen: Me çfarë e prishi? Pa fadrome? (Zefi është njëri prej drejtueseve të kësaj makinerie). Tregon edhe personin që e ngarkoi si shef të operacionit. Ky është kryeministri. Ky mund të pyetet; është, pra, një dëshmitar. Havari thotë edhe se në selinë e vet, në prani të funksionarëve me detyra për jetësimin e këtij operacioni, kryeministri e ngarkoi Mit’hatin, në cilësinë e tij si drejtor i përgjithshëm i Policisë Ndërtimore të kryeqytetit.
Le të dalë cilido nga shebekët më servilë të autorit të gënjeshtrave dhe të rrëzojë argumentet e z. M. Havari. Kësisoj Ramës nuk i mbetet veçse të bëjë një “lëshim”. Atë të së vërtetës tjetër, domethënë të vërtetës së tij! A kërkon t’u tredhë trutë naivëve? Ai është mashtruesi, pa dyshim. Është grabitësi i meritave të tjetrit. Jo vetëm, por guxon ta quajë autorin e vërtetë të ndërhyrjes në parkun “Rinia” si fjalëshumë e punëpak. Por ja që na del Rama i tillë. Ai provon pa dashur, se autori i vërtetë i ndërhyrjes është fjalëpakë e punëshumë. Rama kishte vetëm detyrën e rregullimit të barit jeshil!
Tjetër: Cila është e vërteta e Ramës: Kur thoshte se PS-ja, si pasardhëse e parinovuar e PSSh-së duhej nxjerrë jashtë ligjit? Apo kur thotë se PS-ja e ka me hak të ketë kryeministrin përveç kryetarit të bashkisë! Së treti: Kur nuk përgënjeshtronte as antiamerikanizmin e G. Ruçit, as anarkizmin e S. Ngjelës (13.000 të vrarë për zhvatje pushteti, apo rrëmbim pushteti për dy ditë), apo tani që na është bërë properëndimor i zjarrtë (!) dhe demokrat (!) me respektim të ligjeve të demokracisë! Së katërti: E vërteta (në kuptimin e zgjeruar të së drejtës) qëndron në shenjtërimin e fletëvotimit, apo të kutive të votimit, që janë instrumente administrative numërimi? E pesta: E vërteta e Ramës është ajo e bllokimeve të institucionit parlamentar, apo ajo e zhbllokimit të këtij institucioni, si kofini pas së vjeli, pas dy vitesh të tëra! Pyetje të tilla mund të bëhen pafundësisht. E këto të çojnë në të gjitha rastet në absurd. Se s’mund të jetë i vërtetë édhe antonimi i saj, i së vërtetës. Mos të harrojmë se e vërteta trajtohet, si term, për të drejtën kurse e pavërteta ka të bëjë me të padrejtën.
Kështu janë mësuar, sipas shembullit të Edvinit, të tallen me të vërtetën edhe propagandistët e tij. Lorenc Vangjeli tha, në ballafaqim me Çlirim Pekën, se sot nuk shkohet dot as te piedestali i monumentit të Skënderbeut, për të bërë qoftë edhe një foto! Kur Çimi i vuri përpara pasqyrën e rrenës së tij, L. Vangjeli tha se kjo ishte një metaforë! Por metafora, ndonëse nuk është një sinonim, është një figurë letrare që, për hijeshí stilistike, i ngjason së vërtetës, kurse Vangjeli e trajton të vërtetën si antonim të saj,- sipas absurditeteve të ustait!
E, meqë e kemi muhabetin te të vërtetat pa thonjëza, po e mbyll me një vërshim shpirtëror që e kam vërejtur te mjaft njerëz të ndershëm: mos guxoni të zini në gojë lulëzimin e qendrës të Lulzimit, se ky bëri një mrekulli. Bëri brenda pak muajve atë që ustai juaj nuk e bëri dot për 11 vjet! Për hir të përkushtimit të tij dhe në nder të jetësimit të Premtimeve të tij, që u dukën thuajse të parealizueshme. Koha do të shndritë edhe Premtimet e tjera të tij. Dhe tiranasit do të brohorasin me zemër: Rrofsh, o Lulzim Basha. Jehona do të ndjehet në të gjithë Shqipërinë. Berisha dhe qeveria e tij ditën kë zgjodhën, për të mirën e vendit.