E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezart Taçi nuk i ndahet Milanit: Po, dua ta blej

 

Vazhdon të besojë në “ëndrrën” e tij Rezart Taçi. Biznesmeni shqiptar dëshiron me çdo kusht të jetë pjesë e Milanit, duke blerë aksione të këtij klubi. Këtë gjë ai e ka konfirmuar edhe gjatë një interviste për të përditshmen prestigjioze italiane “Gazzetta dello sport”. “Si Berluskoni ashtu edhe Galiani e dinë shumë mirë se nëse kompania do të vendosë të lëshojë shumicën e kuotave apo një pjesë, domethënëse të klubit, grupi im është i disponueshëm ta blejë”, është shprehur Taçi. Biznesmeni shqiptar, i ka lëshuar një sfidë Silvio Berluskonit. “Ëndrra ime është të hyj në shoqëri. Milani është prioriteti im, por nuk përjashtohen edhe rrugë të tjera. Edhe të shkoj të trokas tek Menarini, kush e di”, ka thënë Taçi. Gjatë kësaj vere ai ishte një hap larg marrjes së klubit të Bolonjës, por disa orë para se të zyrtarizohej gjithçka Taçi u tërhoq nga blerja duke shkaktuar shumë polemika. Duket s arsyeja kryesore ka qenë fakti se Berluskoni pati thënë se mund të shiste aksione të Milanit. Pikërisht kjo gjë ka bërë që Taçi të hiqte dorë, duke shpresuar të bëhej pjesë e klubit kuqezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›