Të vjetrit e PS-së, ditën me Ramën, natën me Metën
Figurat më përfaqësuese të Asamblesë së PS-së nuk po merren me vete në takimet që Edi Rama po mban në qarqet e Kukësit, Elbasanit, Fierit a Gjirokastrës, por ato po i përgjigjen me një sabotim të ethshëm, i cili shkon nga inaktiviteti në parlament, deri tek fushata jozyrtare për alternativën e Ilir Metës. Edvini në panik po përpiqet të fitojë kohë, por simpatia e tij shkon për Erion Velinë, Ajola Xoxën e Endri Fugën, e jo për Ben Blushin, Bashkim Finon apo Namik Doklen
Afrimi i fushatës elektorale dhe i momentit kur strukturat drejtuese të partive do të duhet të përcaktojnë edhe njerëzit me të cilët do të përballen me elektoratin në të 12 zonat elektorale (lexo “qarqet e vendit”), ka sjellë edhe shtimin e tensionit në radhët e Asamblesë së Partisë Socialiste. Një bërthamë e rëndësishme të “deklasuarish” nga llogorja e parë, në anëtarësinë e thjeshtë të strukturës më të rëndësishme të partisë që aktualisht “qeveriset” nga Edvini, po bën një presion brendapartiak që të arrihet njëfarë marrëveshjeje kontinuiteti në të majtë, e cila do t’u garantonte atyre praninë në listat e zgjedhësve, për shkak të një kompromisi paraelektoral me rivalët sektarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një numër figurash, që janë lënë pas dore në politikën e foltoreve e konferencash shtypi i kanë dërguar mesazh Edi Ramës se nuk mund të presin gjatë në këtë fazë defaktorizimi e se duan që publikisht t’u konfirmohet rëndësia e kontrinuiteti politik, përndryshe, ata do të shihnin mundësi të tjera, edhe jashtë partisë që po drejtohet privatisht nga Edi Rama. Mesazhi është i qartë e shantazhi i referohet afrimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila megjithëse ka përparuar në fazën e përzgjedhjes së kandidaturave për në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duket se ka ende hapësira për peshat e vjetra të Partisë Socialiste, të cilat nuk e gjejnë veten, as tek politika e re e Ajola Xoxës e Endri Fugës, e as tek politika e vjetër e Ilir Gjonit dhe Flamur Bimes.
Edi Rama nuk ka pranuar të kthejë një përgjigje zyrtare, megjithatë burime pranë tij, bëjnë të ditur se ai nuk do të tolerojë për një kohë të gjatë një dyzim të drejtuesve historikë të PS-së, të cilët, kur u jepet rasti, ditën shfaqen në një tribunë me të, kurse natën, s’lënë tavolinë të shkojë kot, pa konfirmuar se për momentin, Ilir Meta, është i vetmi që po përfaqëson të majtën shqiptare. Emra si Ben Blushi, Bashkim Fino, Namik Dokle apo Kastrio Islami, me gjithë protagonizmin ndër vite, ndihen të mënjanuar nga shërbimet e çuditshme që Gramoz Ruçi po ofron ende për lidershipin e ri, por edhe nga faktorizimi i të “rinjve”, të cilët ose janë bij të eksponentëve të Bllokut enverist, ose vijnë nga aradha e Mjaft-it, dhe merret me mend se sa djersë kanë derdhur për këtë katapultë politike. Ai s’ka dhënë përgjigje të prera për këtë shantazh, por Kastriot Islami nuk është shfaqur në takimet e Edi Ramës në Myzeqe a Mallakastër, as Namik Dokle më qarkun e Kukësit a të Elbasanit e as Ben Blushi në takimet problematike të Qarkut të Korçës. Mosprania e tyre ka qenë një mesazh i qartë se ata do të duhet t’i nënshtrohen vullnetit sovran të kryetarit e nëse humori i tij do të jetë i keq, lojën do ta fitojnë sëra e Flamur Bimes në Gjirokastër, e Erion Velisë në Durrës (jo në Berat, ku i zbyth nga Erion Braçe) dhe e Endri Fugës në Tiranë.
Deri më tan, Ilir Meta nuk është përzier në këtë betejë sektare mes së vjetrës dhe së resë së vjetër në Partinë Socialiste, por nëpër intervista, ka lënë të kuptohet se nuk do të refuzojë asnjë kontribut që do të jepet në drejtim të çlirimit të së majtës nga Edi Rama dhe pengmarrja e saj prej parave të korrupsionit të bashkisë së kryeqytetit. Pasiguria në Asamblenë e PS-së dhe flirtimi i tyre me faktorë të tjerë të së majtës konfirmojnë tollovinë prej nga s’mund të prodhohet asnjë alternativë elektorale. Megjithatë, ngjan se ende temperatura nuk ka mbërritur maksimumin, e atëhere do të shohim se si do të shkojë përplasja finale, e cila nuk do të jetë aq paqësore, sa ç’u verifikua dy ditë më parë në Mallakastër, në përplasjen verbale mes Kastriot Islamit dhe Piro Lutajt.