E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e xhepistëve, spagoi 3herë “gjobën” tek dy policët

08/06/2010 Preng Frani dhe Besnik Preni, u kërkonin lek pasi në të kundërt do arrestoheshin

TIRANE- Rreth 12 persona që grabisnin qytetarët në autobuzët e linjave urbane në kryeqytet, ishin vënë në shërbim të dy efektivave të policisë, të cilëve në fund të çdo muaji duhet ti dorëzonin një shumë prej 300 mijë lekë të vjetra dy policëve Preng Froku dhe Besnik Preni me detyrë kryeinspektor dhe inspektor të komisariatit Nr. 3 Tiranë. Sipas organit të akuzës kjo gjë kryhej, me qëllim që grabitësit të mos arrestoheshin nga efektivat e policisë dhe kundrejt këtij nderi ata i detyroheshin në fund të muajit, për ti dhënë shumën financiare të cila u ishte vendosur si “gjobë” nga blutë e komisariatit nr. 3. Lidhur me këtë çështje njësia hetimore Task-Forcë brenda tre muaj hetime ka mundur të faktojë aktivitetin kriminal të dy policëve si dhe të dërgojë dosjen në gjykatë duke i akuzuar të pandehurit për veprën penale të korrupsionit. Sipas hetimeve të kryera nga njësia Task-Forcë, kallëzimi penal ndaj dy policëve është depozituar në prokurori nga një shtetas që kishte marë pjesë në disa grabitje në autobus. Këtij personi dy efektivat e policisë i kishin kërkuar para për çdo vjedhje që kryente, pasi në rast të kundërt ata do ta arrestonin. Prokurorët e Task-Forcës kanë marë në dorë kallëzimin ku në bashkëpunim edhe me oficerët e policisë kanë filluar ndjekjen operative, përgjimin dhe filmimin e dy të pandehurve Preng Froku dhe Besnik Preni. Nga administrimi i provave në dosje është konstatuar se të sipërcituarit komunikonin me persona të ndryshëm, duke i vendosur atyre në mënyrë taksative “gjoba” në fund të muajit. Në qoftëse kjo “gjobë” nuk do paguhej atëherë personat, që dyshoheshin si grabitës në autobuzët e linjës urbane në Tiranë, do arrestoheshin nga policia e kryeqytetit. Hetuesit thanë se fillimisht dy të pandehurit kanë marë 50 mijë lekë të vjetra, rast ky që është dokumentuar nga prokuroria. Mirëpo pas kësaj, me përfundimin e muajit Mars të pandehurit Froku dhe Preni kanë kontaktuar sërisht personat e dyshuar për grabitje, duke i kërkuar shumën prej 100 mijë lekësh të vejtra. Kjo metodë tashmë ishte “bërë rrugë” për efektivat e policisë të cilët në fund të muajit Mars u arrestuan në flagrancë nga kolegët e tyre duke i marë shumën prej 300 mijë lekësh disa persona që mendohet se ishin xhepistat e autobuzave. Ndërkohë që pas ndalimit të tyre dhe verifikimeve të mëtejshme njësia Task-Forcë konstatoi se i pandehuri Besnik Preni ka qënë me dosje penale. Ky fakt bëri që organi i akuzës të ndajë aktet hetimore, me qëllim hetimin e praktikës së ndjekur nga komisioni i përzgjedhjes së kandidatëve që aplikojnë për tu bërë pjesë e Policisë së Shtetit.

Task-Forca e Tiranës ka mbyllur hetimet për ish-kryeregjistruesin e Hipotekës

Hetimi i Gazmend Zenelit, dosja përfundon në gjykatë

Zeneli uli çmimin e truallit 6 m2. Tregu e parashikonte me 150 euro

TIRANE- Kanë mjaftuar dy vjet hetime që njësia hetimore Task-Forcë të gjejë fakte dhe prova, kundër ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekave Gazmend Zeneli. Tashmë ky i fundit jo vetëm që është marë i pandehur, por burimet pranë prokurorisë së Tiranës thanë se dosja penale në ngarkim të tij është transferuar në gjykatë. Akuza për të cilën akuzohen ish-drejtori i hipotekave është ajo e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi në vitin 2005 i pandehuri ka shitur një sipërfaqe toke prej 6 mije metra katrore nën çmimin që e parashikonte tregu. Aktualisht trualli ndodhet ish-parkun e autobuzave, vend ku kanë ndërtuar pallate biznesmenë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe administratorin e kompanisë “Albademil” Mihal Delijorgji. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se dokumenti që ka përcaktuar cmimin e shitjes së tokës është i firmosur vetëm nga Gazmend Zeneli. Sipas prokurorisë akti i përcaktimit të çmimeve është bërë pa ngritur asnjë grup pune, pasi me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë kryeregjistruesi do të duhej vetëm të verifikonte çmimet e trojeve të shitura në atë zonë duke parë dokumentet e regjistrimit të tyre në hipotekë. Prokuroria ka shkuar edhe më tej duke pohuar në kërkesën e gjykimit se çmimi mesatar në kohën e shitjes së tokës, për atë zonë ka qënë 120 deri në 150 euro metri katror. Pavarësisht këtij konstatimi, ish-drejtori i Hipotekave aktualisht avokat privat Gazmend Zeneli, ka vendosur që çmimi i shitjes së sipërfaqes tokësore prej rreth 6 mijë metra katrorë të jetë 50 euro metri katror. Duke marrë të mirëqenë listën e çmimeve të dhënë nga drejtori i Hipotekës, ministria ka kryer shitjen e pronës prej 6 mijë metra katrorë tokë në vitin 2005. Më pas kontrolli i kësaj procedure ka hedhur dyshime sipas të cilave çmimi dhënë për metër katror në zonën ku ndodhej trualli, ka qenë të paktën 30 për qind nën vlerën reale të tregut. Dosja është marrë në shqyrtim dhe menjëherë pas verifikimit të dokumentacionit të saj, është arritur në përfundimin se çmimi nën vlerë i shitjes së truallit ishte përcaktuar me firmën e ish-kryeregjistruesit të Hipotekës. E. Qyno

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›