E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozitë e re, "Dje nga afër, sot nga larg"

Tiranë, 25 tetor 12:18 NOA - Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë dhe në bashkëpunim me të, Instituti Kombëtar i Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë përuroi mbrëmë ekspozitën e piktorit Bujar Ferra "Dje nga afër, sot nga larg".

Bujar Ferra ka lindur në maj të vitit 1942 në qytetin e Krujës dhe dhjetë vite më pas familja e tij u vendos në Tiranë.

Pasionin e vizatimit dhe të pikturimit e nisi në një kurs të specializuar në vitin 1957 dhe në 1960 u regjistrua në Liceun Artistik të kryeqytetit.

Në fillim të viteve gjashtëdhjetë mori pjesë në tre ekspozita dhe ndërsa vazhdoi studimet për inxhinieri e vijoi dhe e zhvilloi më tej pasionin e tij të pikturës, veçanërisht në teknikën e pastelit. Krijimet e tij të viteve tetëdhjetë ranë në sy për nivelin e tyre të dukshëm artistik.

Në vitin 1990 piktori Bujar Ferra u vendos me banim e punë në qytetin e Milanos, ku edhe aktualisht jeton.

Në vitin 1999 tre punime të tij u paraqitën bashkë me kolegë të tjerë shqiptarë në ekspozitën që u hap në Parlamentin Evropian. Në vitin 2004 u regjistrua në kursin dyvjeçar të nudos, që u organizua pranë Akademisë "BRERA" në Milano. Fryti artistik i këtyre viteve janë rreth 40 nudo në pastel të thatë dhe tetëdhjetë të tilla me pastel vaji.

j.s/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›