Teatër në televizor
Të kesh një teatër në shtëpi nuk është njësoj si të përjetosh drejtpërdrejt atë dhe vetë lojën aktoriale. Mirëpo, teatri nuk vizitohet nga një masë e madhe njerëzish, ndërkohë që ekrani televiziv mbledh një numër dukshëm më të madh shikuesish para vetes.
Megjithatë, një shfaqje teatrore duket se tash e tutje do të mund ta shohim edhe të ekranizuar, ndonëse kështu humbet origjinaliteti i drejtpërdrejtë i saj. Në Shqipëri, sikur edhe në shumë vende tjera të botës, në televizionet private dhe ato publike ekzistojnë termine të dedikuara për shfaqjet e ekranizuara, që synim kanë një audiencë më të gjerë.
Sipas dramaturgut, Arian Krasniqi, ekranizimi i shfaqjeve nuk mund të ketë efekt të ngjashëm as emotiv, as artistik, e as estetik, siç e ka përjetimi i drejtpërdrejt i shfaqjes në skenat e teatrit. Mirëpo, nga ana tjetër, praktika e “ekranizimit” të shfaqjeve mund të prodhojë efektin tjetër - atë të depërtimit në masë, dhe të arkivimit digjital të një produksioni teatror.
“Ne e dimë se shfaqja e ka kohën e vet. Sado që të jetojë ajo në skenën e teatrit, vjen koha kur shfaqja mbaron - pra “vdes”. Prandaj, krejt çka mbetet pas “vdekjes” së shfaqjes janë fotografitë, artikujt dhe shkrimet në gazeta, por edhe xhirimi digjital i saj”, shprehet Krasniqi.
Ai e përkrah idenë për ekranizimin e shfaqjes, duke e cilësuar atë me interes për publikun. Ky veprim, sipas tij, vjen si pasojë e asaj që ne ende s’kemi një traditë të gjatë të frekuentimit të teatrove nga një numër më i madh njerëzish, e as një publik tradicionale dhe të kultivuar teatrore.
“Gjykoj se një shfaqje, pasi që ta ketë konsumuar jetën e saj teatrore, mund edhe të xhirohet, dhe ta ripërjetojë një jetë të re, atë të ekranizimit në një medium viziv, si televizioni, i cili ka shikueshmëri dukshëm më të madhe”, thotë Krasniqi.
Për regjisorin Bekim Lumi shfaqja fillimisht duhet të konsumohet nga publiku në teatër, dhe vetëm pasi ta ketë përmbyllur ciklin e vetë në skenën teatrore ajo mund të xhirohet dhe pastaj t’i transmetohet publikut përmes ekranit televiziv.
“Natyrisht, ekrani televiziv nuk është mediumi më i mirë i mundshëm për transmetimin e një shfaqjeje, për shkak të vetë karakterit të saj. Mirëpo, në mungesë të skenave teatrore në Kosovë, kjo ndoshta do të ishte mirë të bëhej me disa nga shfaqjet reprezentative të teatrove tona, të cilat në termine të caktuara mund të transmetohen dhe t’i jepen publikun sa më të gjerë të mundshëm”, mendon Lumi. Edhe pse, sipas Lumit, vlerat e saj humbin shumë përmes transmetimit në ekranin televiziv. Megjithëse, sipas tij, kjo nuk preferohet, ideja ndoshta do të ishte e mirë për njerëzit që jetojnë në provinca dhe nuk kanë mundësi që të shohin shfaqje në teatër.
Kur flet për ekranizimin e shfaqjeve, Lumi kujton se diçka të ngjashme kishte hasur në fëmijërinë e tij, në vitet e 70’a dhe 80’a, kur në Televizionin Shqiptar ekzistonte një rubrikë e veçantë e quajtur “Teatri në Ekran”. Asokohe diçka e tillë nuk ekzistonte në Kosovë. “Përveç projekteve të caktuara, mbaj mend se, kur isha në moshën 10-vjeçare, ishte bërë xhirimi i shfaqjes ‘Duke Pritur Godonë’, megjithëse jo në një skenë teatri por në Plazhin e Ulqinit.
Shfaqja u transmetua pastaj edhe në Televizionit të Prishtinës”, kujton Lumi, sipas të cilit nëse do të bëheshin sot transmetime të kësaj natyre, para transmetimit të tyre do të duhej të bëhej një plan i veçantë regjisorial për mënyrën e xhirimit dhe të transmetimit të tyre në televizion.
Krasniqi ndërkaq gjykon se, sikur në Shqipëri dhe kudo tjetër, te ne duhet të ekzistojë një kanal i veçantë, ose një program televiziv, ku së paku një herë në javë do të transmetohej teatri në ekran.
Nga ana tjetër, aktorja, Ilire Vinca, ekranizimin e shfaqjeve e sheh vetëm si një hapësirë të vogël që i jepet teatrit në televizion, e jo si një vlerë që shijohet përmes tij. Kjo ngase, sipas saj, shfaqja nuk shijohet përmes ekranit, por luhet dhe punohet në skenë, andaj edhe vetë loja e aktorëve është e përshtatur për skenë teatrore.
“Por, mendoj se duhet gjetur një formë e re, që ekranizimit t’i bashkëngjitet diçka tjetër. Pra, të gjendet mënyra e një lidhjeje mes televizionit dhe teatrit”, thotë ajo. Kjo kërkesë e Vincës për
një formë më origjinale vjen si pasojë e asaj se nuk e sheh të vlefshme idenë e ekranizimit, sepse ashtu humbet origjinaliteti, shfaqja duket e zbrazët, dhe nuk përjetohet emocioni si në teatër. Madje, siç thotë, ekranizimi shpesh mund të krijoj efekt krejt të kundërt, dhe të rrezikojë edhe vetë teatrin.
Megjithatë, Vinca sheh edhe diçka pozitive në këtë ide.
“Nga pikëpamja praktike, kur ekranizohet një shfaqje në televizion, ajo i krijon hapësirë teatrit për një publicitet më të madh. E afron audiencën me aktorin profesionist, sidomos ata që s’kanë mundësi ta vizitojnë teatrin. Ndoshta edhe për të parë se aktorët punojnë edhe diçka tjetër, e jo vetëm në seriale televizive”, thekson Vinca.
Në televizionet kosovare aktualisht nuk ekziston ndonjë termin i veçantë për shfaqjet teatrore, edhe pse Teatri Kombëtar në arkivin e vetë ka disa shfaqje të digjitalizuara. E kjo, sipas Krasniqit, do të mund të shfrytëzohej. Prandaj, ai mendon se projekti i digjitalizimit në TKK duhet të vazhdojë, jo vetëm për nevoja të arkivimit, por edhe të vetë produksionit të TKK’së dhe të teatrove tjera.
“Vetëm në këtë mënyrë ne, gradualisht, mund ta mbajmë gjallë kujtesën për një histori teatri në Kosovë. Të tillë çfarë ekziston”, përfundon ai.