“Çifti Martin” në Ditët e Kulturës së Kosovës
11/02/2011 Është një krijim artistik eksperimental i ndërtuar mbi një skenë të vetme (me një tekst prej tri faqesh) të antikomedisë “Këngëtarja tullace” të Eugene Ionesco-s.
“Çifti Martin” është shfaqja që do të vijojë të shtunën Ditët e Kulturës së Kosovës në Teatrin Kombëtar në Tiranë, në kuadrin e trevjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Një realizim i Teatrit Kombëtar të Kosovës me regji nga Bekim Lumi, interpretojnë aktorët: Astrit Kabashi & Gresa Pallaska. Skenografia është realizuar nga Mentor Berisha, kostumografia nga Samka Ferri, etj.
Në plotësinë antikomedisë së Ionesco-s, skena e çiftit Martin mund të lexohet edhe si një dramë më vete. Dialogu ekspresiv i kësaj skene antologjike, i sajuar në formën e një parodie mbi motivin e “rinjohjes” burrë e grua, është një gjedhë e papërsëritshme dramaturgjike, e cila përmes aventurës triviale të një çifti fiktiv, parodizon konvencionalitetin, falsitetin dhe “shkëlqimin” e marrëdhënieve të bukura, shpesh të rrejshme bashkëshortore. Në një marrëdhënie të këtillë, krejt çmendurisht, plekset jeta e Martinëve të martuar prej shumë vitesh, të cilët ndonëse banojnë në të njëjtën shtëpi, ndonëse vazhdimisht udhëtojnë me të njëjtin tren, ndonëse flenë bashkë në të njëjtën dhomë dhe bëjnë seks në të njëjtin shtrat dysh të mbuluar me jambuli e, për më tepër, ndonëse kanë edhe një vajzë të vogël dyvjeçare, “nuk njihen”, prandaj, ashtu si në tragjeditë antike greke apo në baladat popullore shqiptare të rinjohjes, përmes “shenjave” të ndryshme “rinjihen” vazhdimisht.
Krejt ndryshe nga dramat me intonim klasik dhe konvencional, madje edhe jashtë klisheve dhe uniformitetit me të cilin zakonisht trajtohen tekstet e teatrit absurd, drama e çiftit Martin i jep mundësi të paskajshme, deri në xhonglerim të çmendur, gjenit kreativ aktoresk dhe regjisorial. Jo rastësisht, prandaj, akti krijues i kësaj shfaqjeje vjen në formën e një burleske teatrore me elemente të mjuzikalit, në të cilën, varësisht nga situatat e ndryshme, kompozicioni i tablove, nga imazhet poetike dhe vibrimet e lehta komike, përshkallëzohet deri në parodizim dhe karikaturizim grotesk. Shfaqja “Çifti Martin” nuk është as më shumë e as më pak se veç një përrallë e përbotshme njerëzore, e cila, me ekspresivitetin e saj skenik, emotiv dhe artistik, synon ta rrëmbejë dhe ta fisnikërojë publikun, ta mallëngjejë, ta gëzojë, ta bëjë atë të qeshë dhe, njëkohësisht, të qajë me lot ironie, pikëllimi, dëshpërimi e gëzimi.
E realizuar në nëntor të vitit 2008 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, kjo shfaqje e ka përfaqësuar Kosovën përmes pjesëmarrjes nëpër disa festivale teatrore ndërkombëtare, të tilla si: Festivali Ndërkombëtar Teatror ‘Incontri Teatrali’ në Lugano (Zvicër), Festivali Teatror Kamertal ‘Risto Shishkov’ në Strumicë (Maqedoni), Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Kosovë (Prishtinë) dhe Festivali i Teatrit Kontemporan Evropian ‘Euro-Scene’ në Leipzig (Gjermani).
B.Goce