E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shia Labeouf, i famshëm pa dëshirë

Në "Transformers 2", aktori protagonist, Shia Labeouf, e kalon pjesën më të madhe të kohës duke vrapuar si i çmendur për të shmangur pushtuesit e këqij. Në dorë i dallohet qartë një fashë e madhe ngjyrë e bardhë. Në të vërtetë, kjo gjë nuk ishte parashikuar në skenar. Por, 27 korrikun e kaluar, në mes të xhirimeve të filmit, të drejtuar nga Michael Bay, Labeouf doli për të festuar në Hollywood dhe ndërsa kthehej në shtëpi me fuoristradën e tij pësoi një aksident, ku u përplas me një makinë tjetër. Një aksident vërtet i rëndë, që i shkaktoi dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit dhe një frakturë shumë të keqe në dorën e majtë. Pas dy javësh qëndrimi në klinikë, mes ndërhyrjeve kirurgjikale dhe konvaleshencës, 23-vjeçari Labeouf vendosi të lërë mënjanë këshillat e mjekëve dhe të kthehej në sheshin e xhirimeve. Michael Bay, pasi mori frymë lirisht për kthimin e tij, u detyrua të shpikte një skenë ku personazhi i interpretuar nga Labouef, djaloshi simpatik, Sam Witwicky, që krijon miqësi me "Autobots"-at e mirë, plagoset në dorë në një eksperiment të rrezikshëm. "Nuk mund ta lija filmin në mes", thotë tani Labeouf, në pritje të premierës së "Transformers 2" në Beverli Hills. "M‘u desh të kryeja një ndërhyrje kirurgjikale në dorë, që do të më largonte nga puna për shumë muaj me radhë. Për këtë arsye, e shtyva operacionin për në tetor. Tre gishta i kam të shtypur dhe të dëmtuar rëndë. Ndoshta do të rregullohen plotësisht, ku i dihet, por filmin më duhej ta mbaroja. E kisha shumë për zemër". Djaloshi Shia, që e ka nisur karrierën si aktor që kur ishte adoleshent, i detyrohet shumë "Transformers 1" (në vitin 2007), që me suksesin e jashtëzakonshëm (700 milionë dollarë fitime nga kinematë botërore), e bëri të famshëm në të gjithë botën. Labeouf ka qenë pjesë edhe në episodin e katërt të "Indiana Jones". I lindur në Los Anxhelos, në lagjen "bohemiane", "Echo park", Labeouf ka nisur të merret me kinema që 10 vjeç, deri kur në moshën 12-vjeçare u pranua në serialin televiziv për fëmijë të "Disney"-t, "Even Stevens". Ka nga ata që e cilësojnë si një version të përzier të Robert de Niros kur ishte i ri, me bukurinë e Richard Geres, apo shpirtin e humorit të Tom Hanks-it. Në fakt, ai e identifikon veten me komedianin dhe aktorin Lenny Bruce. Shia, idhulli i të rinjve, të paktën në Amerikë, dhe një njeri shumë i respektuar nga kolegët është vetëm, pasi kohët e fundit ka shkëputur lidhjen e tij me China Brezner, vajza e një producenti amerikan. Ai nuk i fsheh kurrë rrënjët e origjinës dhe me një fytyrë prej engjëlli si djalosh universiteti ka treguar një personalitet të fortë, që ka bërë për vete regjisorë, producentë dhe aktorë.

Për të, Harrison Ford ka thënë: "Shia-s nuk i është dashur t‘i mësojmë asgjë. Vërtet është i ri, por di ta bëjë shumë mirë atë që i caktojnë. Është shumë i talentuar". Në "Transformes 2", që ka kushtuar më shumë se 200 milionë dollarë, i mbushur me efekte speciale dixhitale dhe shumë aksion në krahasim me filmin e parë, Shia ka në krah bukuroshen Megan Fox, që interpreton rolin e së "dashurës" së tij. "Në film, personazhi im është paksa i ngjashëm me atë të stërgjyshit Archiband në ‘Transformer 1‘", përpiqet të shpjegojë aktori.

Shia, ju e keni ende dorën në allçi? Edhe për sa kohë do të zgjasë kjo?

Edhe për pak, besoj. Kam disa gishta me fraktura në shumë vende dhe do të më duhet ta mbaj kështu të paktën deri në tetor, kur kam lënë dhe operacionin. Ishte e dhimbshme që të interpretoja me dorën kështu, sidomos në këtë lloj filmi ku ishte vërtet e nevojshme të vrapoje dhe të ngjiteshe, edhe kundër makinave që nuk ekzistonin, apo elementëve dixhitalë të ndërtuar në kompjuter.

E keni menduar ndonjëherë se do të ktheheshit në një hero në filmat me aksion?

Jo, asnjëherë. Mendoja se do të isha një aktor i mirë komik. E mendoja këtë sepse vij nga një familje hipi, eklektike, ku e qeshura ka qenë gjithnjë shpëtimi ynë.

Si po e përjetoni suksesin?

Në të vërtetë, aspak mirë. Aktorët në përgjithësi nuk janë të bindur nëse e meritojnë suksesin. Këtë timin e konsideroj një mrekulli. Nuk më interesojnë fare paratë që fitoj. Më parë, kur nuk kisha asnjë cent me vete, më dukej diçka e madhe të ishe i pasur. Është e vërtetë se paratë janë gjëja e fundit për të cilat mendoj tani.

Çfarë ndryshimi ka mes një regjisori si Spielberg dhe Michael Bay?

Steven Spielberg është ai që vendos për gjithçka dhe kaq mjafton. Duhet të bësh atë që thotë ai dhe të rrish urtë të mos thuash asnjë fjalë më shumë. Gjatë xhirimeve të "Indiana Jones 4" ka mbajtur një profil të ulët. Krejt ndryshe është të punosh me Michael Bay. Jemi bërë shumë miq. Dhe gjatë xhirimeve të filmave të tij na lejohet të bëjmë shaka, të bëjmë ndonjë gjë të tepruar dhe të themi atë që mendojmë. Mua të paktën, kështu më ka ndodhur.

E dimë se jeni lidhur shumë me Harrison Ford-in...

Më telefonoi menjëherë pas aksidentit dhe erdhi të më takonte në spital. Harrison është babai im në botën e kinemasë. Edhe babai im i vërtetë është dakord me këtë zgjedhje.

Po ëndrrat?

Të jetoj me këmbë në tokë dhe të jem një njeri i vërtetë, i ndershëm dhe i besueshëm. Të mos bëhem shënjestra e tabloidëve, ashtu siç ndodhi me mikun tim, Leonardo di Caprio, në kohën e suksesit me "Titanic", kur kishte moshën që jam unë tani. Por, dua të ndjek shembullin tij si aktor dhe njeri, që përpiqet të ndihmojë të tjerët në nevojë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›