Teatri Metropol, Basha emëron Suela Konjarin në postin e drejtorit

Pas një periudhe të gjatë të shkarkimit të Kiço Londos, në postin e drejtorit të Teatrit të Metropolit, kreu i bashkisë së Tiranës ka emëruar Suela Konjarin për ushtrimin e kësaj detyre. Aktualisht postin e drejtorit të Metropolit pas shkarkimit të Londos e mbante kantautori i njohur Luan Zhegu.
Konjari ka një karrierë prej 20 vitesh si aktore në teatër. Pasioni për teatrin e ka ngacmuar Suelën që në vitet e para të rinisë së saj. Roli i saj i parë në skenën teatrore është me shfaqjen “Nata me hënë” e Isamil Kadares me regji të Edmond Budinës në vitin 1989 në rolin e Norës.
Në të gjitha rolet e saj ajo është vlerësuar për atë çfarë ajo ka sjellë dhe ka interpretuar para publikut. Fillimet për të kanë qenë të mrekullueshme, pasi ka pasur fatin të punonte me artistë të merituar të kinemasë shqiptare si, Pirro Mani, Gëzim Kame e shumë artistë të skenës. Vlerat e saj si aktore janë gjithmonë në rritje dhe asnjëherë nuk humbasin, pasi ka marrë një mbivlerësim të suksesshëm në skenën teatrore, por dhe në kinematografi. Ajo ka një gamë të gjerë të roleve si në filma televizivë, ashtu dhe në teatër.