Vlorë, grabitet zyra e kolaudimit të automjeteve

Ngjan me një skenë të filmave aksion, por me ngjarje të zhvilluar në Vlorë. Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë dhunuar punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të transportit rrugor në qytetin bregdetar, dhe më pas kanë grabitur në mes të ditës arkën e kësaj administrate duke përfituar një shumë prej rreth 20 milion lekësh të vjetra. Sipas informacioneve pranë kësaj drejtorie, në këto arka kryeheshin pagesat për taksat e automjeteve.
Sipas dëshmitarëve, të dy prsonat kanë mbërritur me një motorr në ambjentet e jashtme të zyrave, ndërsa në duar mbanin një armë të tipit pistoletë. Ata kanë treguar se autorët fillimisht kanë qëlluar në drejtim të rojes së sportelit, por fatmirësisht ky i fundit nuk është lënduar. Më pas, personat e armatosur kanë hyrë në ambjentet e brendshme të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të transportit rrugor në Vlorë dhe nën kërcënimin e armëve kanë mundur të vjedhin rreth 20 milion lekë të vjetra.
Dëshmitarët thonë se ngjarja ka ndodhur brenda pak minutash, ndërsa autorët janë larguar menjëherë me një motor në drejtim të paditur. Policia ka mbrritur në vendin e ngjarjes për të zbardhur këtë vepër penale, në të cilën jo vetëm është kryer grabitje, por janë dhunuar edhe punonjësit e administratës. Policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje duke u mbështetur në të dhënat e grumbulluara. Në Vlorë janë raportuar edhe raste të tjera të ngjashme, kryesisht në banka.