Teatri bashkon Tiranën, Shkupin e Prishtinën
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, do të dalë nesër në një konferencë për shtyp para mediave ku do të deklarojë nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit mes tre teatrove kombëtare shqipfolëse atë të Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës. Marrin pjesë përveç drejtorit Skrami edhe Arjan Krasniqi, drejtor i Teatrit Kombëtar të Prishtinës dhe Adem Karaga, drejtor i Teatrit kombëtar të Shkupit. Ky memorandum firmoset në kuadrin e intensifikimit të marrëdhënieve midis tri institucioneve më me zë të teatrit mbarëkombëtar shqiptar. Ai është hartuar mes tri institucioneve përkatëse që kanë në themel të aktivitetit të tyre promovimin, ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kombëtare përmes teatrit. Ky memorandum paramendon shkëmbim shfaqjesh dhe bashkëprodhime për premierat në tria kryeqytetet. Në sajë të kësaj marrëveshjeje synohet zgjerimi dhe bashkëpunimi i mëtejshëm edhe në të ardhmen. Falë saj pritet që të promovohen më tej edhe vlerat kulturore mbarëkombëtare të artit teatror dhe veprave më të mira të fondit teatror botëror. Gjithashtu, pritet që kjo marrëveshje të jetë një ndihmë në realizimin e politikave të përbashkëta në fushën e artit skenik, si dhe për të vendosur baza institucionale të bashkëpunimit artistik.