E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri i Superiores ul siparin

Apolonia me Gramozin bien nga kategoria, Skënderbeu e Kastrioti në “play-out”

Kategoria Superiore, aktiviteti elitar në vend që gjatë këtyre javëve të fundit është shndërruar në një “teatër sportiv”, ka mbyllur siparin. Ndeshjet e javës së 33 dhanë verdiktet përfundimtare të sezonit: për skuadrat që do të bien nga kategoria dhe dy ekipet të cilat do të luajnë në “play-out”. Rezultate të pritshme dhe lehtësisht të parashikueshme. Të gjithë i kishin bërë llogaritë me laps në dorë dhe nëpër tavolina drejtuesish, ndërsa fusha rezervoi komedinë e radhës. Futboll pa grintë, gola që as në ligat amatore nuk shihen dhe rezultate, të cilat ndryshojnë disa herë në harkun e pak minutave.
Përveç sfidës së mbrëmjes, Dinamo-Besa, e cila vlente vetëm për t’i dorëzuar titullin bluve, në takimet e tjera skuadrat ishin të përfshira në “vorbullën” e mbijetesës, apo të tolerimeve ndaj ekipeve që rrezikonin. Apolonia, e sigurt se të gjithë kanë luajtur kundër saj, ishte thjesht një vizitore në Ersekë për sfidën me Gramozin, që i ka dhënë prej javësh lamtumirën elitës. Fierakët u mposhtën me rezultatin 3-0 nga kolonjarët, duke marrë në rrugë zyrtare vendimin për të zbritur në Kategorinë e Parë. Ata kthehen në “ferr” vetëm pas një viti mes më të mirëve, edhe pse diku nga mesi i edicionit krijuan iluzionin se ishin një skuadër e denjë për të luftuar për kupat e Europës. Kastrioti merr tri pikë të lehta me Laçin: fitorja minimale 1-0, me golin e Kalarit ka bërë që krutanët të ngjiten në vendin e nëntë. E pashmangshme ndeshja “play-out”, ku si kundërshtar i të besuarve të Ramazan Ndreut do të jetë Lushnja, që e mbylli sezonin në vendin e katërt në Kategorinë e Parë. Skënderbeu kënaqet me një barazim 2-2 me Tiranën. Korçarët zbresin në vendin e 10 dhe në “play-out” do të kenë përballë Kamzën. Ndeshja e luajtur në qytetin juglindor nuk ka qenë aspak normale: Skënderbeu e mbylli pjesën e parë me shifrat 1-0, ndërsa rezultati final u vulos vetëm 4 minuta pas fillimit të fraksionit të dytë. Tirana barazoi në të 46-n me Abilaliajn; dy minuta më pas çajku kaloi bardhekuqtë sërish në avantazh; ndërsa 60 sekonda më pas Sorra shënoi rrjetën e barazimit 2-2. Me pikën e marrë në javën e fundit, Tirana kapërcen Laçin dhe e mbyll sezonin në vendin e tretë.

Flamurtarit i mjaftonte vetëm një pikë përballë Shkumbinit, por bregdetarët fituan 3-2 dhe ngjiten në vendin e pestë. Rezultati në Vlorë nuk ishte shumë bindës edhe për faktin se katër nga pesë golat e takimit (nga dy për secilën skuadër) u shënuan në harkun e tetë minutave. Madje, kuqezinjtë kryesonin 3-0, ku avantazhi i pjesës së parë me golin e Shehajt u thellua me rrjetat e Lenas në të 85-n dhe Memellit në të 90-n. Por në minutat shtesë, peqinasit shkurtuan shifrat me golat e Branicës (91’) dhe Gjylës (93’). Në “Loro Boriçi”, Vllaznia nuk ka bërë rezistencë përballë Teutës. “Djemtë e detit” u larguan nga Shkodra me tri pikë që i shmangën dhembjet e kokës në zonën “play-out” dhe e mbyllin sezonin me 45 pikë, po aq sa edhe Shkumbini. Dy gola të kapitenit Mile, falë impenjimit minimal të vendasve, në minutat 47 dhe 50 i dhuruan durrsakëve fitoren.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›