Vrau motër e vëlla për jonxhën, dorëzohet
është vetëdorëzuar në polici vrasësi i dyfishtë për pronën, ndërsa ka qëndruar për afro një javë i fshehur në territorin e Rrethit të Matit. Gëzim Zeneli, autori i dyshuar i vrasjes së Xhevrie Stafës dhe Qemal Cepanit, ka shkuar dhe është dorëzuar dje në polici. Presioni i vazhdueshëm i strukturave policore dhe veçanërisht atyre të hetimit, si dhe grumbullimi i informacionit mbi vendndodhjen e të dyshuarit si autor i vrasjes së vëlla e motër në fshatin Fushë-Thumanë të Krujës, bënë që shtetasi Gëzim Zeneli të ndihej pa rrugëdalje. 38-vjeçari nga fshati Vinjoll i Rrethit të Kurbinit u shpall në kërkim ditën e krimit të rëndë që ndodhi në Rrethin e Krujës, të mërkurën e javës së shkuar, në datën 12 maj. Rreth orës 11:50 të kësaj dite, në fshatin Fushë-Thumanë të Krujës, Zeneli, pas një konflikti për probleme pronësie, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri shtetasit Xhevrie Stafa, 50 vjeçe dhe Qemal Cepani, 41 vjeç, motër e vëlla. Autori i dyshuar dhe një prej viktimave, 50-vjeçarja Stafa, kishin një konflikt të hapur për çështje pronësie. Të plagosurit janë dërguar menjëherë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë, kanë gjetur vdekjen. Menjëherë pas ngjarjes autori i dyshuar është larguar, duke iu shmangur hetimit dhe në dispozicion të kapjes së tij janë vendosur shërbime të strukturave të ndryshme të policisë, si dhe shuma prej 10000 eurosh e ofruar për personat që zotëronin informacion të saktë të vendndodhjes së tij. Gjatë periudhës njëjavore, Gëzim Zeneli ka qëndruar i fshehur në territorin e Rrethit të Matit. Ndërkohë vazhdon puna për gjetjen e armës së kryerjes së krimit, e cila sipas hetimeve të kryera është hedhur prej tij në afërsi të vendit të ngjarjes. 38-vjeçari akuzohet për vrasje të kryer në rrethana të cilësuara dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, hetime të cilat po kryhen nga Prokuroria e Rrethit të Krujës.
#