E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri sot, shkatërrimtar i së vjetrës dhe krijues i historive të reja

Vazhdojmë të përsërisim të njëjtën pyetje prej kohësh tanimë. A është i aplikueshëm teatri, duke pasur këtu parasysh konceptin e kohës? Për dy mijë vjet rresht teatri ka ngritur një “pasqyrë” për botën, duke shpjeguar edhe pozicionin që ne kemi në këtë jetë. Tragjedia e ka paraqitur jetën teksa bëhej subjekt i fatit ose rastësisë sikurse edhe komedia, e cila bëri të njëjtën gjë, por në mënyrën e saj. Duke mos qenë perfekte, qeniet njerëzore bëjnë gabime fatale dhe në bazë të rrethanave i nënshtrohen pushtetit dhe bëhen “të dobët”. Për shkak të hipokrizisë dhe naivitetit tonë, shpesh ne gëzohemi prej injorancës sonë, e natyrshëm ndjejmë kotësinë dhe dobësinë tonë përpara Zotit. Shumë shpesh dëgjoj njerëzit teksa thonë se jeta sot është jashtë sferave apo instrumenteve tradicionale të teatrit, e për pasojë në ditët e sotme bëhet pothuajse e pamundur të rrëfesh histori. E këto histori tashmë janë zëvendësuar nga tekste të vogla, pa dialog por ç’është më e keqja dhe pa ndonjë prezantim të thjeshtë nëpërmjet fjalëve. Nuk ka problem. E them këtë sepse tanimë një tjetër lloj qenieje njerëzore po na shfaqet në horizont: flas për ato lloj qeniesh njerëzore të klonuara dhe manipuluara gjenetikisht, të realizuar sipas një plani shumë të detajuar. Ky fakt i fundit na bën të besojmë me sa kuptohet se këto qenie të reja njerëzore, duke mos pasur asnjë lloj defekti nuk do të kenë nevojë për teatrin. Pse? Sepse ata do të ishin të paaftë të kuptonin konfliktin që ringjall një shfaqje teatrale. Por ne nuk njohim të ardhmen, e unë mendoj se është detyra jonë që të vëmë në punë të gjitha energjitë dhe talentet, të dhunuara nga dikush që nuk njohim e t’i vëmë në shfrytëzim për të mbrojtur me çdo kusht të tashmen tonë, ketë të tashme të dobët, të bukur jo perfekte, të mbrojmë ëndrrat tona irracionale. Teatri është një art i papastër, jo perfekt, por në fund të fundit prej këtyre aspekteve buron e gjitha fuqia dhe vitaliteti i saj. Në mënyrë të paskrupullt teatri përdor çfarëdo lloj gjëje që i del në rrugën e vet, e për këtë arsye teatri herë pas here i tradhton principet e veta. Ky padyshim që nuk është një imitim i modave të kohës, por më tepër një përdorje e imazheve të mediave aktuale, e këtë e provon duke përdorur mënyrën e të folurit, ndonjëherë shpejt e ndonjëherë ngadalë, më pas vazhdon duke hezituar e duke rënë në qetësi. Teatri i sotëm është ekstravagant dhe banal, evaziv, shkatërrimtarë i historive të vjetra e në të njëjtën kohë krijues i historive të reja. Unë jam i bindur se teatri do të jetë gjithmonë e aftë të mbushë vetveten, për aq kohë sa ne, qeniet njerëzore do të kemi nevojë t’i tregojmë njëri-tjetrit atë çka jemi, atë çka nuk jemi dhe atë çka duhet të jemi. Jetë të gjatë teatrit! Teatri është një nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit, e barabartë me rëndësinë e shpikjes së zjarrit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›