Teatri, uthull dhe Coca-Cola!
Edhe pse është në kushte krejt të jashtëligjshme dhe funksionon mbi bazën e një statusi të brendshëm sa për ta quajtur institucion publik, Teatri Kombëtar vazhdon t’i rezistojë traditës së trashëguar nga diktatura. Aktorët kanë, pothuajse rrogat më të mira në rajon, sa shpesh ngatërrohen ish-drejtorët, se kush ua bëri këtë nder.
Po këta aktorë vazhdojnë të jenë permanentë, të punësuar, që presin të firmosin borderonë në fund të muajit, pra të marrin rrogë si një punëtor normativ. Po ashtu ka dhe nga ata aktorë që çdo mëngjes duhet të shohin “tabelën” e shfaqjeve se mos kanë emrin gjëkundi, që të ndihen në punë - sa për të mos e marrë rrogën kot. Megjithatë, të tilla figurojnë plot në Teatrin Kombëtar. Në vit nga kjo skenë mezi përgatiten nja dy-tri premiera, ndonëse faji i vihet buxhetit të ulët që u jep Ministria e Kulturës. Dhe ky “gjigand” teatror është i vetmi në kryeqytet. Ndaj të gjithë rrinë të qetë në oborrin e Teatrit apo në kafenenë pranë tij, sepse nuk ka asnjë konkurrent, të rinj a të vjetër - ata janë të vetmit në fuqi, prej 18 vitesh. Emra që vërtiten sipas klaneve, sipas preferencave të regjisorëve - dy nga dy, tre nga tre aktorë.
Po të ishte zbatuar ligji për teatrin, ndryshe do të ishte puna. Por as këtë nuk e imagjinojmë dot. Vetë regjisorët vazhdojnë të aplikojnë, të fitojnë nga dy-tre projekte dhe po të njëjtët të thonë se teatri është në asfiksi, se ligji ka faje, nuk zbatohet.
Ja, ky nivel teatri do të na ballafaqohet në lajmin më të fundit, se Teatri Kombëtar është pranuar si anëtar i Unionit Evropian të Teatrit, i themeluar më 1991, që ka deri tani 23 anëtarë. Entuziazmi i Kristaq Skramit mund edhe të konfuzohet me pasionin e tij, por syçelët lajmi na duket pak e pabesueshme për shumë arsye, por dhe ato që u përmendën më lart. Kur kriteret për të hyrë në Unionin Evropian të Teatrit është një shans me risk të vogël financiar, pra për të firmosur një mandat prej 5 mijë eurosh, të tjerat kushte ndoshta do të ishte e vështirë të përfytyroheshin nga të huajt. Gjithsesi, Skrami e kalon këtë moment për të na treguar se kjo bën pjesë në punën e tij si drejtor për ta hapur teatrin. Dhe faza tani, pasi ka kaluar në njohjen dhe bashkëpunimet me Kosovën dhe Maqedoninë, i takon një dorë më të shtrirë. Vetë presidenti i ETC-së, me emrin Zhan-Klod Beruti, i ka ftuar drejtuesit e TK-së për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme që bëhet më 21-23 maj, në Gjermani.
Për ta kuptuar se çfarë teatri bëjmë ne, njerëzve të Unionit Evropian të Teatrit do t’u tregohen disa vepra nga TK-ja shqiptare si “Filumena Marturani”, “Trojanet”, dhe dy-tri sekuenca nga shfaqje të vëna në skenë. Kjo lloj performance, që ndonëse do t’u flitet se kemi një repertor nga dramaturgjia perëndimore, është “argumenti” përfaqësues për ne, si për t’i thyer hundët kritikës apo mungesës totale të kritikës në Tiranë. Se kemi të bëjmë me një repertor serioz! Në këtë takim Skrami na sqaron se do të rrahin debatet mbi buxhetin për 2009-n mbi teatrin apo krizën ekonomike që ka zënë vendet dhe përballë tyre si është teatri, sa ndikon gjuha në shkëmbimet teatrore a të bërit teatër në kontekstin global. Skrami e sheh të mirën e këtij anëtarësimi në mundësinë e projekteve të përbashkëta, në marrjen pjesë dhe njohjen nga festivale të ndryshme; ndjekjen e lëvizjeve teatrore, ballafaqimet, po ashtu dhe një shans për t’u trajnuar. Por kalohen pak kufijtë e “pasionit” kur thuhet për mediat se do të marrim pjesë në festivalet më prestigjioze të Evropës, kur teatri këtu nuk kalon as pikët minimale të kritikës - duke lënë mënjanë kompromiset që bëhen në kryeqytet.
Por më në fund, modestinë e tregon Skrami kur na thotë me bindje se të paktën ndikimi i këtij anëtarësimi do të ndihet. Kjo do të jetë krejtësisht e vërtetë. Dhe ka nisur të ndihet, sepse qysh dje ka nisur riaktivizimi i website-it të Teatrit në internet.
Tani, - thotë Skrami, - të detyruar, do nisin organizimin e web-it nga e para! Të tjerat… si të vijnë, me një buxhet gati 90 mijë euro.